“Shqipëria e Madhe” në skenarët e Beogradit!

Opinione

“Shqipëria e Madhe” në skenarët e Beogradit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 21 gusht 2023 Në ora: 11:59
Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Albin Kurti

Besoj ju kujtohet ndeshja e futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë në Beograd tetorin e vitit 2014! Të gjithë e mbajmë mend dronin mbi stadium dhe sherrin “nacionalist” me hartën e asaj që serbët e quajnë “Shqipëria e Madhe” dhe ne i themi “Shqipëria Etnike”! E mbajmë mend edhe faktin se kjo skenë e atëhershme, disi e çuditshme, shërbeu për të akuzuar për nacionalizëm vëllain e kryeministrit, Olsin, si dhe vetë Edi Ramën. Kam shkruar dhe kam thënë asokohe se gjithçka ishte e sajuar, skenarizuar dhe kishte për regjisor presidentin e Serbisë dhe strukturat shtetërore të saj.

Ndërsa tani po ndodh diçka e ngjashme dhe njëkohësisht e ndryshme nga ajo kohë. Po shfrytëzohet vizita e kryeministrit të Kosovës në Tetovë dhe Shkup (Ju lutem mos përdorni emërtimin Çair, se nuk ka diçka të tillë), me qëllim që të shtyhet përpara projekti i Serbisë për këtë “Shqipërinë e Madhe” që ata e stimulojnë. Në Serbi e dinë se Serbia e Madhe mund të realizohet si projekt, nëse shqiptarët dalin e thonë se “Ne duam Shqipërinë e Madhe” dhe kroatët gjithashtu kërkojnë po ashtu “Kroacinë e Madhe”! Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, janë angazhuar fort pas vizitës së zotit Kurti në Maqedoninë e Veriut të flasin për atë që ata e quajnë “Shqipëria e Madhe”! Ky i fundit paralajmëroi gjithashtu Maqedoninë e Veriut dhe Malin E Zi.

Sipas serbëve, nëse ndërtohet rruga me tunel Prizren-Tetovë, kjo i shërben “Shqipërisë së Madhe”! Ju kujtohet besoj kur të njëjtën gjë thoshin udhëheqësit serbë për ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe Sali Berishën e paraqisnin si gogolin e destabilizimit të rajonit, pasi që ai “synon Shqipërinë e Madhe”. Në fakt nuk kishte asgjë të tillë. Edhe gjatë vizitës së Kurtit në Tetovë e Shkup nuk pati asnjë deklarim dhe asnjë sinjalistikë të një strukture, çfarë në Beograd propagandojnë. Askush nga liderët shqiptarë që akuzohen nuk e përmendin atë që quhet “krijimi i Shqipërisë së Madhe”!

Por është interesant fakti se në terma politikë këtë aksiomë e ka përmendur kryeministri Edi Rama. Ai bëri thirrje para disa vitesh nga Prishtina për zgjedhjen e një presidenti të përbashkët. Dhe shumë shqiptarë ishin entuziastë për këtë, pa llogaritur pasojat ose përparësitë që do të kishte një iniciativë e tillë. Atëherë Beogradi nuk foli, së paku kaq sa flet sot. Nuk alarmoi institucionet ndërkombëtare. Sot po bën një fushatë agresive për “destabilitetin e Albin Kurtit” dhe “përpjekjeve të tij për krijimin e Shqipërisë së Madhe”! Njësoj siç denoncon p.sh Sali Berishën për këtë lloj nacionalizmi.

Ndërkaq, në Beograd luten natë e ditë që bota të bie dakord para institucionalizimit të pavarësisë së Kosovës për “krijimin e Shqipërisë së Madhe”! Sepse në këtë rast Serbia përfiton shumëfish. Nuk zgjerohet vetëm në Republikën Srpska. Ajo do të përfitonte territore të shumta në Kosovë e gjetkë. Nëse Serbia ia arrin të bindë ndërkombëtarët se duhen shtete me kufij etnikë, atëherë do të hedhin pikërisht këto teza.

Dakord, do të thotë Aleksandër Vuçiç. Edhe unë nuk bëhem pengesë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Por serbët duhet të jetojnë në shtetin e tyre dhe jo në një shtet të huaj, ku ndjehen të kërcënuar”! Ai nuk ka asnjë provë se serbët në Kosovë kërcënohen, por propaganda e tij i ka bindur disa ndërkombëtarë për këtë. Dhe në këto rrethana çfarë përgatitet të ndodhë?

Përgatitet ndarja e Kosovës në vijat e saj etnike dhe Serbia do të pretendojë territore deri në Brezovicë. Ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm se liderët serbë e përdorin akuzën kundër “Shqipërisë së Madhe” për të parapërgatit ndarjen në vija etnike të territorit të Kosovës dhe rrëmbimin e pasurive të saj. Edhe si konotacion negativ dhe kritikë ndaj Albin Kurtit, zhurma për “Shqipërinë e Madhe” është strategji e ndarjes së Kosovës.

A e keni dëgjuar zotin Rama para dy-tri vitesh kur Ballkanin e Hapur e arsyetonte me heqjen e kufirit me Kosovën? “Pa Ballkanin e Hapur, thoshte ai, nuk mund të hapemi me Kosovën”! Sipas tij, është Serbia ajo që kundërshton hapjen e Shqipërisë me Kosovën dhe për këtë arsye duhej mbështetur Open Balkan. E vërteta është se Serbia kundërshton çdo lloj integrimi brenda shqiptar në Ballkan. Dhe secilin hap në këtë drejtim e konsideron përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Por është fakt se një integrim të tillë nuk e ka mbështetur as Edi Rama. Jo se ai është kundër “Shqipërisë së Madhe” që merr parasysh bashkimin e gjysmës së Kosovës me Shqipërinë, por se ai ka frikë se në këtë skemë përfshihet e gjithë Kosova së bashku me trojet shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe pushteti i tij nuk trashëgohet te Zahua, siç u trashëgua nga Koleka e Kristaqi te Edi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat