Devijimi nga vlerat e traditës kombëtare e ka kapluar gjithandej shoqërinë tonë

Opinione

Devijimi nga vlerat e traditës kombëtare e ka kapluar gjithandej shoqërinë tonë

Nga: Ismail Muçiqi  Më: 2 shtator 2023 Në ora: 14:33
Ismail Muçiqi 

Po jetojmë në kohën e turbulencave dhe rreziqeve më të ndryshme të cilat po ndodhin gjithandej botës. Shoqëria kosovare përballet me fenomenet më të ndryshme negative të cilat po i atakojnë vlerat morale njerëzore e kombëtare.

Në emër të demokracisë dhe lirisë sot është polarizuar dhe devijuar politika në përgjithësi. Edhe bujku e punëtori e kanë humbur drejtimin dhe misionin e tyre në zhvillimin e resurseve bujqësore apo ekonomike, duke u marrur me zhvillimet politike në vend. Kjo katrahurë ka depërtuar thellë në të gjitha segmentet e jetës, pak kush ka sjellje apo komunikim normal.

Sot njerëzit jo kompetent të instaluar në krye të sindikatave të arsimit kërcënojnë institucionet e shtetit duke e shantazhuar përmes mënyrës dhe formave më të ulëta për të cilat nuk janë kompetent e as të autorizuar. Këto opstrukcione të cilat kohë pas kohe po dalin në sipërfaqe nga grupet e caktuara të interesit të cilat që nga pavarësia e Kosovës janë të instaluara pa mandat dhe flasin në emër të arsimit është mjerimi më i madh për shoqërinë kosovare, për inteligjencën e këtij vendi.

Këto ditë kanë ngritur kokën sërish Rrahman Jashari sindikalisti i arsimit i cili e keqpërdorë misionin e tij duke i kaluar të gjitha parimet dhe kompetencat që i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë të Kosovës. Askush sot nuk është në gjendje të ndalet dhe të mendojë për vendin, shtetin dhe popullin. Çdo gjë është shndërruar në interes, materialo financiar dukuri kjo e cila do ti kushtoj këtij vendi. Kemi filluar t'i humbasim vlerat tradicionale, respektin ndaj prindërve, ndaj moshës së vjetër, duke i shkelur parimet e respektit dhe humanizmit ndaj para ardhësve tanë.

Sot për fat të keq po mungon aktivizimi qytetar, po mungojnë tubimet e njerëzve nëpër fshatra dhe bashkësi lokale ku do të duhej të shtroheshin hallet dhe problemet e qytetarëve. Për shkak të kësaj gjendje gjithnjë e më shumë po ndodhin konflikte, plagosje e vrasje ndërmjet njerëzve. Për shkak të këtij pasiviteti politikë nëpër vendbanimet tona nuk funksionojnë këshillat e pajtimit të cilat gjithmonë kanë dhënë kontribut në parandalimin e konflikteve (e belave ndërmjet njerëzve).

Si mund të zhvillohet shteti demokratik i Kosovës derisa haptazi kërcënohen figurat udhëheqëse të shtetit. Shtrohet pyetja ku na qon kjo rrugë?!. Po sillemi me plot pa përgjegjësi ndaj vendit. Të gjithë jemi ngritë në këmbë për të përfituar nga shteti duke e zhvatur paranë publike përmes formave më të ndryshme abuzive. Këto janë fenomenet negative që po i ndodhin shoqërisë kosovare që nga pavarësia e shtetit. Mendoj se është koha e fundit që si popull të vetëdisohemi, si popull të marrim përgjegjësi për vendin në të kundërtën do të jetë vonë për ti sanuar këto fenomene negative të cilat duhet ti luftojë qdo njeri i ndershëm i këtij shteti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat