Papa Françesku në Mongoli – pritet nga motrat e Shën Nënë Terezës

Opinione

Papa Françesku në Mongoli – pritet nga motrat e Shën Nënë Terezës

Nga: Frank Shkreli Më: 3 shtator 2023 Në ora: 00:06
Frank Shkreli

Papa Françesku arrijti të premtën në Mongoli, vizita e parë në historinë e papëve të Romës në atë shtete të Azisë, një vend ky pa dalje në det që, gjeografikisht, shtrihet midis dy fqinjëve të mëdhej, Kinës dhe Rusisë – dy shtete këto me të cilat Vatikani ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të acaruara.

Papa Françesku u shpreh se po viziton Mongolinë – një shtet me një popullsi prej 3.5 milionë banorësh – për të inkurajuar komunitetin e vogël katolik në atë vend, prej jo më shumë se 1500 anëtarë të Kishës Katolike në Mongoli.

Duke folur me gazetarët për vizitën e tij në Mongoli, Papa Françesku u shpreh se është i kënaqur të vizitonte një vend si Mongolinë – ndonëse me një popullsi të vogël, por një popull me një kulturë të madhe, për të cilën “nevojiten ndjenjat që të kuptohet.” Mongolia kuptohet, shtoi ai, vetëm me ndjenjat tona.

Sipas itinerarit të vizitës në Mongoli, Papa Françesku do takohet me udhëheqsit më të lartë mongolezë, përfshirë Presidentin dhe Kryeministrin

e vendit dhe do të mbajë një fjalim para elitës qeveritare dhe kulturore të Mongolisë, para se të takohet me ipeshkvijt, priftërinjtë dhe murgeshat të cilët kujdesën për komunitetin e vogël katolik mongolez prej nja 1500-antarësh – në një popullsi prej 3.5 milonë banorë që ka Mongolia.

Kisha Katolike mongoleze ka një histori të re, jo më shumë se 25-vjet të themelimit të saj, pas shembjes së komunizmit në atë vend, dhe pasi liria e fesë u sanksionua në kushtetutën e re post-komuniste. Me shembjen e komunizmit në atë vend, Mongolia dhe Vatikani kanë vendosur marrëdhënie diplomatike midis tyre dhe disa grupe misionarësh katolikë, përfshirë edhe – kush tjetër, por edhe Motrat e Shën Nenë Terezës, e kanë mbajtur gjallë këtë komunitet të vogël katolik në Mongolinë e largët. Atje, motrat e Nënë Terezës, kujdesen për të moshuarit me aftësi të kufizuara, të pa strehët dhe persona të përjashtuar nga familjet e tyre dhe nga shoqëria. Njoftohet se gjatë vizitës në kryqytetin Ulaanbaatar të Mongolisë, Papa Françesku do të inaugurojë një qëndër të re të drejtuar nga misionarët, për tu kujdesur për më të varfërit e Mongolisë.

Kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, ndihma për të sëmurët dhe të moshuarit e braktisur nga familjet e tyre, kujdesi për të pastrehët, për ata që nuk kanë ushqim për të ngrënë dhe ndihma për familjet e varfra dhe të flakura në mes të katër rrugëve. Këto janë veprat, në shërbim të Ungjillit dhe të popullit mongol -- sipas një lajmi nga Radio Vatikani -- që kryejnë çdo ditë Misionarët e Bamirësisë së Shën Terezës, në Mongoli. Motra e kjëtij urdhëri, Salvia Mary Vandanakara, u shpreh mëtej se, “Nëpërmjet këtyre veprave bamirësie – përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë sesa të çmuar janë para syve të Zotit, me dëshirën e thellë për t’u rikthyer dinjitetin dhe vlerën e tyre njerëzore”. Motra Salvia Mary, përfaqësuese e Urdhërit të Shën Nenë Terezës, citohet nga Radio Vatikani të ketë thenë se ajo kishte mbërritur në Mongoli në vitin 1998, atëherë, "kur Kisha sapo kishte filluar të lëshonte rrënjë" në atë vend. “Duke iu kushtuar shërbimit ndaj të më të varfërve ndër të varfër, ne ndjemë se duhej të jetonim mes tyre dhe të provonim disa nga vështirësitë me të cilat përballeshin ata, si mungesa e ujit dhe e nevojave të tjera elementare”.

Jehona në median ndërkombëtare të takimit të Papa Françeskut me motrat e Urdhërit të Nënë Terezës gjatë vizitës së tij në Ulaanbaattar, Mongoli, përkon me organizimin në trojet shqiptare të Akademisë Solemne – “Manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes” – që po shënon Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, në bashkpunim me Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) Shkup dhe drejtorin e saj, Skender Asani – manifestim ky që do të zgjasë deri më 5 shtator, në ditëfestën liturgjike të sajë. Në këtë manifestim morën pjesë udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, pasi faleminderoi drejtorin Asani për këtë aksion domethënës, tha se Nënë Tereza mbetet hallka më e fortë që mund të bëjë integrimin e brendshëm shpirtëror e kulturor të shqiptarëve. Ajo tha se si përfaqësues i udhëheqësve shtetërorë, është gjithmonë e gatshme për të mbështetur dhe për të kontribuar në nderimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së figurave të ndritura si ajo e Nënë Terezës. Sipas saj, dashuria për njëri tjetrin ishte mesazhi më i rëndësishëm i Nënës Terezë.

Manifestimi kulturor-shkencor, “Drita e Gonxhes”, udhëtoi këto ditë për në Prishtinë. Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, me këtë rast, ka takuar Presidenten e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani, me të cilën mbollën një bredh, me origjinë nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup. “Bredhi dedikuar Nënë Terezes simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, ka thenë Skender Asani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat