Iluzionet për “suksesin” e bisedimeve të 14 shtatorit në Bruksel

Opinione

Iluzionet për “suksesin” e bisedimeve të 14 shtatorit në Bruksel

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 13 shtator 2023 Në ora: 14:24
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Nesër do të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në agjendë është përpjekja për ta shtyrë përpara realizimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj në Ohër në fillim të pranverës së shkuar. Lajçak është shfaqur optimist për këtë takim. Ndërkohë janë bërë deklarata se ky takim do të jetë i suksesshëm. Suksesi dhe dështimi në fakt janë nocione relative e madje edhe perceptim. Në këtë kuptim ka hapësirë spekulimi për të. P.sh mund të thuhet në përfundim se ishte sukses fakti që palët takohen e bisedojnë.

Iluzioni i “suksesit” të ditës së nesërme në Bruksel më shumë shërben për të shprehur “kënaqësinë” europiane se sa kohë bisedohet nuk ka luftë, nuk ka konflikt. Suksesi evropian në rajonin tonë matet kësisoj me atë që nëse zgjatet ose jo statuskuoja në rajonin tonë. Mirëpo kjo nuk varet gjithsesi vetëm nga bisedimet Kosovë-Serbi. Këto ditë Milorad Dodik e ka shpallur non grata përfaqësuesin ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, zotin Schmidt. Pra varet nga ajo se çfarë lëvizjesh separatiste do të bëjë presidenti i Republikës Srpska, ndërkohë që Beogradi me mbështetjen e ndonjë evropiani dhe amerikani kërkon të krijojë një republikë të dytë të këtij lloji në Kosovë! Varet nga raportet dhe marrëdhëniet etnike në Malin e Zi gjithashtu. E mbi të gjitha varet nga raportet e Serbisë me Rusinë.

Në këto rrethana, çfarë do të sjellë 14 shtatori në bisedimet Kurti-Vuçiç? Thuajse asgjë. Aty, me dyer të mbyllura, mund të flitet për gjithçka. P.sh për krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por pa asnjë rezultat. Më habit fakti pse Vuçiç nuk inatoset dhe nuk nevrikoset nga kundërshtitë e kreut të ekzekutivit të Kosovës për krijimin e këtij asociacioni. Si ka menduar ai ta përdor këtë kundërshti në favorin e tij?! Është diçka enigmë kjo dhe më duket se ka njëlloj akordi me zotin Lajçak dhe zotin Borrell, sepse as ata nuk këmbëngulin së paku publikisht rreth kësaj teme. Në publikimin e agjendës së të enjtes nuk përmendet asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Pse? Për shkak të kundërshtive të zotit Kurti, apo për shkak të interesit serb për ta zhagit kër temë sa më gjatë?!

Kjo do të thotë se asgjë substanciale nuk do të dalë nga takimi i 14 shtatorit në Bruksel. Do të përsëriten zotimet se secila palë është për ruajtjen e paqes e të stabilitetit dhe se të dyja palët kanë rënë dakord që të takohen sërishmi. Pra do të ri thuhet ajo që është thënë prej 12 vitesh, se “palët pajtohen që të gjitha çështjet midis Kosovës e Serbisë të zgjidhen përmes dialogut”! A mjafton kjo për të qenë optimistë se bisedimet e nesërme në Bruksel janë të suksesshme? Besoj se është thjesht një dezhavu e praktikave të një dekade.

Pse ndodh kësisoj? Duket se të gjitha palëve ju intereson statuskuoja. Përfshi gjithashtu zotit Kurti. Ndryshe prej marsit të shkuar e deri më sot do të kishim një projekt konkret të qeverisë së Kosovës për ti dhënë zgjidhje kërkesave të marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit. U tha atëherë se pas pesë muajsh gjithçka do të duhej implementuar dhe njëkohësisht të mblidhej një konferencë e donatorëve për të dy vendet. Por koha kaloi dhe askush nuk e përmend këtë fakt. Vuçiç kërkon ti largohet detyrimit për të njohur de facto shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Kurti kërkon ti largohet obligimeve të “patates së nxehtë”. Lajçak punon për ta harruar marrëveshjen dhe aneksin në fjalë, ose thjesht e përdor atë si retorkë të fjalëve boshe. Shkurt, rezultati është zero!

Pala që do të bëjë propozime konkrete për zgjidhje, ajo palë bëhet superiorë në dialog. Asnjëherë dialogu nuk bëhet pa alternativë dhe pa propozime. Ndryshe nuk mund të konsiderohet dialog. Pikërisht ky tipar i mungon bisedimeve të së enjtes në Bruksel. Mungesa e projekteve, propozimeve, alternativave në tryezë nuk përbën sukses, përkundrazi, shënon dështimin e këtyre bisedimeve. Sukses i bisedimeve do të ishte një kërkesë ultimative për presidentin e Serbisë që të heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës. Do të ishte sukses i qeverisë Kurti paraqitja me detaje e projektit për “vetëmenaxhimin” e komunave serbe, projekt i cili të kushtëzohej vetëm me njohjen juridike të Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. As njëa, as tjetra nuk kanë ndodhur. Për pasojë nuk ka pse dikush ushqen iluzione, se nesër do të jetë më mirë.

Përkundrazi, Aleksandër Vuçiç është në pritje të “fitores” të Vladimir Putin në Ukrainë, me qëllim që të përcaktojë të ardhmen e vendit të tij jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë arsye tjetër domethënëse pse ai zvarrit gjithnjë e më shumë rezultatin konkret të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit si dhe aneksit të Ohrit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat