E dua Mitrovicën sa tërë Kosovën!

Opinione

E dua Mitrovicën sa tërë Kosovën!

Nga: Florim Zeqa Më: 21 shtator 2023 Në ora: 09:05
Florim Zeqa

Kështu e quanin Mitrovicën e tërë Kosova në fund të viteve të ’80-ta, si sinonim me Grevën e Minatorëve të shkurtit të vitit 1989. Greva e 1300 minatorëve të Kosovës në vitin 1989 ishte një grevë urie e iniciuar nga punëtorët e Minierave të Trepçës më 20 shkurt 1989 kundër heqjes së autonomisë së Krahinës së Kosovës nga Republika Socialiste e Serbisë. Greva përfundoi më 28 shkurt pas shtrimit në spital të 180 minatorëve dhe dorëheqjes së krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës Rahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi.

Greva e vitit 1989 ishte shndërruar në rezistencë paqësore mbarë popullore për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar njëherit edhe fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Histori e vjetër dashurie për Mitrovicën

Me të arritur në qytetin e Mitrovicës, objekti i parë që bie në sy është Përmendorja e lartë e Minatorëve, në një kodër, herë të gjelbëruar, herë të tharë e herë të mbuluar me borë buzë pjesës urbane të qytetit. Në kujtesën e secilit qytetar dhe vizitor, emri i Mitrovicës korespondon me këtë objekt, që shihet nga të gjitha pjesët e qytetit. Ky monument ka nisur të ndërtohet në vitin 1959 në vendin e quajtur “Kodra e Minatorëve” dhe është përfunduar në vitin 1973.

Janë shumë pika turistike dhe monumentale në Mitrovicë, por Monumenti i Minatorëve, Kalaja e Zveçanit dhe Kulla e Isa Boletinit ishin ndër vendet historike më të vizituara gjatë kohës së studimeve në ‘Qytetin e Minatorëve’.

Përderisa dy të parat, Monumenti Minatorëve dhe Kalaja e Zveçanit janë të pandryshuara që nga vitet e ’80-ta, kurse Kulla e Isa Boletinit asokohe ishte e rrënuar, ku vetëm një gurë vertikal i shtëpisë i kishte mbijetuar kohës. Për fat të mirë sot Kulla është e rindërtuar dhe e kthyer në Muze Kombëtar për vizitorët.

I ndava këto tre pika orjentuese të ish qytetit të bashkuar të Mitorvicës me të cilat ndërlidhet edhe dashuria e jetës ime, e cila më bën ta dua Mitrovicën sa tërë Kosovën.

Si e mësova historinë e vërtetë të Isa Boletinit

Ndjenjë e mirë është kur e sheh origjinalin, e krejt ndjenjë tjetër kur e sheh kopjen e atij origjinali!

Ndjenjë e mirë është kur historinë e heroit kombëtar e mëson nga historianët, por krejt ndjenjë tjetër kur atë e dëgjon dhe e mëson nga familjarët dhe pasardhësit të heroit!

Ndjehem me fat që historinë e vërtetë të heroit kombëtar Isa Boletini e mësova në fshatin Boletin në pranverën e vitit 1983 gjatë vizitës me mikun Xhevat Zeneli në konakun e profesorit Rrustem Peci-Boletini (dajë i mikut tim).

Më shumë mësova për Isa Boletinin për një ditë të vetme në Boletin sesa për dekada nga profesorët dhe historianët e kohës!

Më shumë kam mësuar për Isa Boletinin nga libri KUJTIME i Tafil Boletinit (nip i Isa Boletinit) sesa nga secili libër historie që kam lexuar deri më tani.

Vetëm në librin KUJTIME të Tafil Boletinit i ndarë në dy vëllime; PRANË ISA BOLETINIT & PËRBALLË SFIDAVE TË KOHËS, mund ta mësoni historinë e vërtetë dhe të drejtë të Isa Boletinit.

Ju bëjë thirrje publike gjithë opinionit të gjërë, shqiptarëve në trojet etnike dhe diasporë që ta lexojnë këtë libër e të mos bien pre e pseudo-historianëve të sojit të keq, të cilët me porosi të armiqve tonë shekullorë po trumbetojnë të pavërteta për Isa Boletinin dhe Ismail Qemalin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat