Kë duhet mbështesin shqiptarët, Izraelin apo Palestinën?

Opinione

Kë duhet mbështesin shqiptarët, Izraelin apo Palestinën?

Nga: Faton Mehmeti Më: 9 tetor 2023 Në ora: 17:42
Autori Faton Mehmeti

Konflikti i fundit mes Hamasit të Palestinës dhe Izraelit ka prodhuar deri tani mbi 700 të vrarë në Izrael dhe afërisht 500 në Gaza. E gjitha bota, me përjashtim të Iranit dhe Rusisë, fajësuan Organizatën e Hamasit, një organizatë e shpallur terroriste nga Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe një mori shtetesh të botës. Shqiptarët u solidarizuan me Izraelin, flas për qëndrimin zyrtar.

Ndonëse, qytetarët shqiptarë në përgjithësi nisen nga aspekti fetar për të mbështetur Palestinën. Por, raporti i shqiptarëve me Izraelin në përgjithësi është më i fortë për dy arsye: e kaluar historike dhe SHBA. Tek e kaluara historike të kujtomë se shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë holokaustit. Gjatë viteve 1933-1944, Shqipëria shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Evropës. Fakti është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cenuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin; nuk pati ligj që kufizonte si numër futjen e tyre në Shqipëri.

Izraeli, gjithnjë është treguar falënderues për një gjë të tillë. Derisa, në anën tjetër Palestina me presidentin e saj në vazhdimësi i ka siguruar Serbisë mbështetjen e tij dhe i ka rikonfirmuar pozicionin e Palestinës për pavarësinë e Kosovës duke thënë para kamerave: "Ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën". Derisa, pikërisht edhe për shkak të perceptimit të Kosovës si adhuruese e ShBA-së, Palestina nuk e ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe në fakt ka votuar kundër anëtarësimit të saj në UNESCO në vitin 2015.

Faktet janë fakte, interpretimet të ndryshme, shqiptarët dhe Kosova në veçanti duhet mos të gjykojnë nga prizmi fetar, por nga e drejta duke qëndruar krah SHBA dhe në përputhje me orientimin e saj, kjo s’do të thotë se s’duhet mbështetur edhe Palestina kur ka të drejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat