Bota buzë gërmisë!

Opinione

Bota buzë gërmisë!

Nga: Mersel Bilalli Më: 14 tetor 2023 Në ora: 11:30
Mersel Bilalli

Njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, përpara se lufta t'i japë fund njerëzimit – pat thënë dikur John Kennedy!

Parag Khana, një strateg i njohur gjeopolitik, autor i librit “E ardhmja është Azia”, thotë se jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha tektonike në nivel global. Bota është godit nga dy "luftëra botërore" të reja - “Covid” dhe “Ukraina”, dhe ja tani edhe Lindja e Afërt! Para syve tanë tani shembet rendi ekzistues botëror. Lindi një luftë e re e ftohtë, por edhe shumë e nxehtë. Bota më nuk do të jetë e njëjta. Kur vallëzoni me djallin, fitoni ferrin! Fundja, një djall nuk duhet dëbuar me ndihmën e një djalli tjetër, sepse do kemi punë me dy djajë!

Teoria e kaosit, “efekti i fluturës” simbolizon ate se një ndryshim i vogël në një pikë të botës, mund të krijojë pasoja globale. Pas Kovidit në botë u shfaq kaosi. E njohur është se Murtaja e shekullit të 14-të, që ka vrarë me qindra miliona njerëz në Euroazinë – pat shkatërruar perandorinë më të fortë në gjithë historinë – Perandorinë Mongole me 33,000,000 km2. Po e njëjta murtajë krijoi zhvillimin teknologjik revolucionar në Evropë, e cila më pas çoi në kolonializmin evropian.

Dihet se “Gripi spanjoll” pas Luftës së Parë Botërore, i plotësuar nga Traktati i Versajës, çoi në “Krizën e Madhe (1929-1933), që solli Hitlerin në pushtet dhe mori 50 milionë jetë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u krijua OKB-ja me autoritet të madh dhe institucione funksionale. Por, disfata sovjetike në Afganistan çoi në rënien e BRSS dhe gjithë komunizmit në Evropë. Sot, në kushtet e mjegullës jashtëzakonisht të dendur globale, mund të presim disa "efekte fluturash" tejet të rrezikshme.

Tani është e qartë se rendi ekzistues botëror u shemb kryesisht për shkak të "Covid-it" dhe Ukrainës. Ajo që po ndodh tani mes Izraelit dhe Hamasit, ku mund të përfshihen lojtarë të shumtë botërorë, është një vazhdimësi e së keqes akoma më të mdhe. Tani ekonomitë perëndimore kanë pësuar fatin e një udhëtari të humbur në shkretëtirë. Së pari, halucinacione se gjithçka do jetë e lehtë - sepse oaza, uji dhe hija janë brenda mundësive, kurse në fakt përfundon në humnerë! Bota kurrë nuk do të jetë më si para 2019-ës dhe kjo do të rrisë numrin e politikanëve që do shesin fjalë boshe që të mbushin xhepat!

U bë shpejt e qartë se zinxhirët e furnizimit në tregjet globale ishin shumë më komplekse sesa mendohej më parë. Tregjet u dobësuan dukshëm dhe kjo dobësoi gjithë ekonominë botërore. Pentagoni dhe NATO tani e dinë se do të ketë një luftë afatgjatë në Ukrainë dhe se SHBA dhe aleatët e saj do t'i duhet t'i rezistojnë agresionit rus për një kohë të gjatë. “Ne do të përfshihemi në këtë konflikt për një kohë të gjatë që do të jetë një luftë shkatërruese për ne”, thotë Steven Hall, ish-kreu i operacioneve të CIA-s për Rusinë.

Një luftë kaq e gjatë mund të jetë një provë serioze për unitetin e NATO-s dhe BE-së. Nëse Tramp fiton në zgjedhje, shumë gjëra do çojnë në kaos global. Dihet se kohë më parë 63 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve (kryesisht mbështetës të Tramp) votuan kundër rezolutës në mbështetje të NATO-s. Çfarë do të ndodhte nëse Tramp do të kthehej sërish në Shtëpinë e Bardhë!? Për më tepër, sot në disa anëtarë të BE-së ka një disponim pro-rus, madje edhe qeveri pro-ruse!

Sot bota përballet me sfida më të rrezikshme se kurrë më parë. Sekretarja e finasave të SHBA-së, Janet Yellen potencon "pasojat e mëdha" që do të ketë lufta në Ukrainë në furnizimet globale të ushqimit dhe energjisë. Çmimet e larta botërore të energjisë dhe ushqimeve, të cilat kanë shkaktuar inflacion të lartë, mund të kenë implikime të mëdha politike, duke përfshirë edhe atin e demokracisë vetë SHBA. Pasojat ekonomike globale kanë filluar të minojnë ekonomitë ekzistuese. Drejtori i një prej kompanive më të mëdha në botë “Blackrock” – Larry Fink, i cili menaxhon portofolin më të madh të aseteve në botë prej 10 trilionë dollarësh, mendon se kemi një thyerje në komponentët ekonomikë që lidhin botën. Pandemia ka ndërprerë zinxhirët globalë të furnizimit, duke shkaktuar rritjen e inflacionit dhe se sanksionet e ashpra ndaj ekonomisë ruse nuk do të ndëshkojnë vetëm Putinin, por gjithë ekonominë botërore.

Çmimet e energjisë janë ende të larta sepse Rusia është e përjashtuar nga pjesa e rëndësishme e tregut botëror të naftës. Presidenca e Bajden-it, e lindur nga një krizë pandemike, tani po përballet me sfida të mëdha. Nuk është e rastit që Sekretarja e mëparshme e Jashtme britanike, Liz Truss, bëri thirrje për një rishikim të qëndrimit të sigurisë në Perëndim. “Epoka e bashkëpunimit me Rusinë ka përfunduar”, tha ajo. "Ne kemi nevojë për një qasje të re për sigurinë në Evropë, bazuar në forcën, mbrojtjen dhe parandalimin"- tha ajo në Bruksel.

Dimri i ardhshëm mund t'i detyrojë vendet e BE-së të vazhdojnë me problemet rreth furnizimit me energji, që do të thotë domosdoshmërisht një vazhdim i recesionit. Çmimi i naftës sërisht do rritet për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Gazës, që mund t'i vë flakën gjithë rajonit. Ka dallime edhe për rrugën për të biseduar me Rusinë. Përpjekjet për bisedime thelbësore të paqes, të mbështetura nga Franca, Gjermania, Turqia dhe Izraeli, tani janë bllokuara. Nuk ka ide se çfarë do jetë neutraliteti që lyp Moska për Ukrainën. Zelenski thotë se ëndrra e Ukrainës për anëtarësim në NATO nuk është më e realizueshme. Ai pranon neutralitetin nëse pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca), plus Gjermania dhe Turqia, garantojnë sigurinë e Ukrainës. Por,si nuk është aspak i gatshëm të njohë aneksimin e rajoneve të shkëputura Donetsk dhe Luhansk. Makron dhe Sholc propozojnë një konferencë më të gjerë paqeje që do të përditësonte bisedimet për t'i dhënë fund "Luftës së Ftohtë në Evropë". Por Uashingtoni ende i reziston idesë së një konference të tillë, sepse shumë elita të politikës së jashtme amerikane mendojnë se Putini akoma nuk ka paguar mjaftueshëm për aventurën e tij në Ukrainë.

Rrezik afatgjatë!?

Si pasojë e krizës, rritja ekonomike e BE-së në 2022 dhe 2023 është më pak se një për qind në vit, ndërsa SHBA janë rreth dy për qind, kurse Kina bie nën katër për qind. Kështu, rritja globale do të bjerë nën tre për qind, që është një shenjë serioze se bota do të ngecë për një periudhë më të gjatë. Tani trazirat po përshkallëzohen në pjesë të Afrikës dhe Lindjes së Mesme që varen nga eksportet e grurit ukrainas.

Edhe miqësia mes Kinës dhe Rusisë është në pritë. Nëse Rusia dobësohet ndjeshëm, ajo mund të hapë oreksin e Kinës për Siberinë e pabanuar si një "tokë e premtuar" për Kinën e mbipopulluar, e cila ka të ngjarë të ketë "Amin-in" e SHBA-së. Tani një bllok joformal vendesh - India, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vietnami, Turqia dhe Brazili - po hidhen në lojë. Shumica e këtyre vendeve mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë pavarësisht presionit perëndimor për të izoluar Moskën. Në varësi të tregtisë me Kinën, këto vende duan marrëdhënie të mira me Pekinin. Por luftërat, ndryshimet klimatike, sfidat e përbashkëta ekonomike, standardet globale teknologjike – e kanë bërë më të vështirë ndihmën për vendet më të varfra. Strukturat shumëkombëshe në botë, veçanërisht Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po dobësohen dukshëm. Megjithëse FMN-ja ka rifituar përkohësisht rëndësinë e saj, por komponentet makroekonomike mund të vrasën këtë optimizëm. Banka Botërore tani është e ngadaltë dhe me burime të pamjaftueshme. Mbeten dy rrugë të mundshme: krijimi i një rendi të ri botëror me mekanizma të ndryshëm funksionalë ose zhytja e mëtejshme në një apokalips të rrezikshëm global. Kjo është arsyeja pse një konferencë e re ndërkombëtare është tani si një litar shpëtimi.

Në rrethana të tilla, problemet rajonale të ktuit do margjinalizohen ndjeshëm, sepse nuk dihet se çfarë do të ndodhë nesër. BE-ja tashmë po përballet me trazira të mëdha. Shtetet e rajonit këtu po lundrojnë pa busull. Kosova do të humbasë vëmendjen, Serbia do të humbasë “vëllain e madh”, dhe BeH do të humbasë mendjen! Asgjë nuk është e përhershme! Të gjitha vendet kanë frikë, sepse nuk mund të shpresojnë shumë për partnerët e tyre strategjikë, sepse edhe ata digjen nën këmbë. Tani të gjithë e kuptojnë se paqja nuk vdes kurrë natyrshëm, por nga ajo se është vështirë të gjesh arsye të shëndoshë në mendje të sëmurë!

Në kushtet kur bota është në flakë, këtu luajmë për “diktim bullgar” dhe për “bixhoz on-line” me flamur europian! Njerëz të tillë nuk e dinë se çfarë është zhvillimi, rregulli, sistemi i meritave dhe modestia. Në takimet e Përzhinos, ndërmjetësi Vanhaute vjente me biçikletë, ndërsa kapadokiasit tanë me limuzina të zeza dhe me pesë truproja! Kjo është sëmundja jonë. Gomari kur hyn në pallat nuk bëhet mbret, por pallatin e kthen në shtallë.

Një grua po priste trenin natën vonë me një sanduiç në dorë. Quhej Ylva Johansson, një ministre shumë e suksesshme suedeze e Punës. “Unë jam një punëtore e zakonshme” – pat thënë ministrja. Njerëz të tillë të mëdhenj, gjithë njerëzit tjerë i bëjnë të mëdhenj, por vetëm një popull i madh mund të zgjedhë njerëz kaq të mëdhenj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat