Rrahjet publike janë një normalitet social edhe për mësueset

Opinione

Rrahjet publike janë një normalitet social edhe për mësueset

Nga: Ilir Levonja Më: 25 tetor 2023 Në ora: 23:01
Ilir Levonja

Kur vjen 7 marsi, shqiptarët në përgjithësi i mbysin rrjetet sociale me dedikime për figurën e mësuesit. Mirëpo kur lexon sot diku se si një gjimnazist i ka shëmbur karriken kokës mësueses së tij, ndjen neveri. Arsyeja është e thjeshtë, ne si shoqëri kemi kohë që po vazhdojmë të dështojmë. Demokracia për ne është kthyer në një dështim shekullor. Arsyeja është shumë thjeshtë, nuk jemi pjesëmarrës në 'të. Ose jemi pjesëmarrës sipërfaqësor. I bëjmë gjërat me gjoja, me sikur etj. Nuk jemi aktiv si shoqëri. Nuk jemi bashkëkohës. Jemi thjesht shushunja, përfitues të padenjë të saj. Shkollat sot janë kthyer në një treg mjaft fitimprurës sidomos për forcat politike. Vetëm në Shqipëri tenderimet e shkollave janë gati të përvitshme dhe për rrjedhoj një minierë e fitimesh për përqindjet në lërimin e fondeve, marrjen e votave dhe ndarjen e drejtorive. Për më tepër edhe një aset i madh për ''edukimin'' apo ''arsimimin'' e figurës së militanitit. Janë me qindra ata që drejtojnë forcat politike në rrethe apo grupseksionet në qëndër, që kulifikimin arsimor e kanë falë partisë ku aderojnë. Kemi vdekur si shoqëri, për faktin se e vrasim vet përditë nga pak çdo fushë sociale, ku arsimi nuk bën përjashtim. E kemi vrarë me indeferencë të kulluar pasi na ka mbytur politika. Na ka sfumuar çdo ndjenjë njerëzore për të qenë të përgjegjshëm. Protestojnë studentët për të drejtat e tyre, ne themi ç'më duhet mua. Shikojmë pubikisht një marrëzi sociale, ne njësoj, ç'më duhet mua. 99% shesin e blejmë diploma, ne mbyllim sytë, heshtim, e quajmë aftësi penetruese a mbijetuese pavarsisht faktit që kungulli i gardhit bëhet akademik. Mbyllen fakultete, mbyllen shkolla, mbyllen institute shkencore etj., ne heshtim. Në Krujë, korrikun e këtij viti, dhjetë burra rrahën publikisht dy qytetarë, ne nuk protestuam. Nuk dolëm në rrugë. Nuk kishte gjë më makabre, më antisociale, më anti shqiptare, por ne heshtëm. E kanë blujtur arsimin dhe pavarsisht të gjithave, pavarsisht atyre pak përqindjeve të kullurara nga arsenali pedagogjik, shkolla është bastarduar. Ajo është sot kontigjent i të fortëve ku bullizmi është ulur këmbë e kryq sa ata që të shëmbin karriken kokës, kthehen në heronj. Po të ishte se vërtetë ishim të indinjuar, sot rrugët e Lezhës duhet të ishin mbushur plot, madje edhe të Shqipërisë. Por kërkush se del. Për Palestinën po, i mbushim rrugët, edhe pse i kemi dertet tona pambarim, demostrojmë solidaritet bajat për konfliktet shekullore mes Hamasit dhe Izraelit. Nuk e bëm këtë për t'u solidarizuar me oficerin e policisë shqiptare, ai që u vra në kufi me Serbinë, shtatorin e këtij viti Afrim Bunjaku. U deshën dy javë këmbngulje e opozitës që qeveria shqiptare të dilte me një notë proteste, kur duhej ta kishte bërë atë brenda orës.  Nuk ke se çfarë t'i bësh, pasi më përpara se shqiptarë, ne jemi internacionalë, jemi fetarë, jemi partiakë, jemi pa atdhe. Arsimin shqiptar, mësuesin shqiptar, përpara se t'ia shembi kokës karriken ky lezhjani i ri, ia ka shembur pikë së pari pari qeveria, partitë politike, kryetarët e partive në rrethe, drejtoritë politike etj. Ndaj mos u indinjoni sa për të thënë. Ia ka shembur në kokë ai gjoja intelektuali që është edhe kryetar partie në rreth, në të njëjtën kohë edhe drejtor shkolle diku. Dhe që kur qeveria i vë kryqin kuadrit a godinave, ai firmos pa gajle. Biles po pa gajle e heq nga puna të diplomuarin e karrierës dhe e zëvendëson atë me militantin e partisë sa që ky krejt budallallisht poston statute në FB, duke mbushur me ë fundore edhe foljet ndihmëse, apo emrat e gjinisë mashkullore. Biles, biles, dy vjet më pas merr edhe ndonjë gradë shkencore. Ndaj sot janë krejt normale, krejt të ditës edhe rrahjet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat