Kur s’ke by…, kacavirresh pas karriges!

Opinione

Kur s’ke by…, kacavirresh pas karriges!

Nga: Llesh Ndoj Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 11:06
Llesh Ndoj

Skenat e javëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë (që s’e meriton aspak të quhet i tillë!) janë dëshmia më e qartë e sentences, se ai që s’ka by…, i duhet doemos të kapet pas karriges, ndryshe ndjehet i pafuqishëm, apo ndoshta më keq se kaq: mosekzistues! Është një situatë që, më shumë se kujtdo tjetër, duhet t’na bëj ne votuesve t’i vemë gishtin kokës e të mendojmë fort kur të hedhim votën tonë, të vetmin pushtet, që fatmirësisht, akoma ne e zotërojmë edhe pse të deformuar qënësisht! Pra, t’a peshojmë mirë rëndësinë e votës e t’a përdorim atë, jo për t’u dhënë karrige të pabyth…, por për t’u deleguar fatet tona atyre që realisht kanë by…, t’u dalin zot e t’i çojnë përpara aspiratat tona evropiane. Skena si aëto që ndodhën pak ditë më parë, janë trishtuese e të turpshme njëkohësisht, ato nuk shihen për herë të parë në vendin tonë. Madje, guxoj të them se nuk i përkasin vetëm të ashtuquajturës periudhë demokratike, por vijojnë që nga koha e shtetit monopartiak. Natyrisht me forma e metoda të ndryshme, e me të njejtën përmbajtje: përfaqësues pa by…, që fuqinë e marrin nga karriga e dhuruar nga partia e jo nga morali i përfaqësuesit të popullit. I njejti film, si ata të kinostudios “Shqipëria e Re”, restauruar në kohët aktuale, e që na serviret me ngjyra. Natyrisht që dhuna ka ndryshuar kahe. Deri në nëntëdhjetën e gjithë dhuna ushtrohej nga presidiumi, tash ajo ushtrohet dukshëm nga salla, bile nga një pjesë e saj, pjesa që është minorancë numerike, por qëllimi mbetet i njejtë: të na mbushin mendjen ne popullit, se ata sakrifikojnë shumë për ne, bëjnë gjithshka, veç karrigen s’e lëshojnë…

Edhe pushteti, por në një formë më “soft”, ushtron të njejtën dhunë e me të njejtat qëllime. Është e qartë se të dyja palët e kanë humbur “çelësin” e fuqisë, atë të të qënit përfaqësues të popullit. Për më keq se kaq, një pjesë kanë humbur edhe shpresën e durimin, për pasojë, të dyja palët politike kanë zgjedhur rrugë e mjete të ndryshme nga ato për të cilat paguhen, deri edhe parapolitike për t’i dhënë vetes fuqinë e munguar dhe janë kapur qartësisht pas karrigeve të atij që duhet të ishte Kuvendi i Shqipërisë, por s’kanë by… të rrinë në to! Mazhoranca, e dehur nga mbipushteti dhe e lodhur nga sukseset, disa herë imagjinare, e disa që ngjajnë si një rreze e vogël drite në terrin e madh që gjendemi, qartësisht e ka humbur durimin. Mirë që me përfaqësuesit politikë të opozitës, së shumti jo për fajin e saj, nuk dialogon dot, por edhe me zgjedhësit e saj ka kohë që monologon dhe thuajse pak, për të mos thënë aspak, duke u paraqitur si përfaqësuese e shumicës. Ndërkohë që shumica nuk gjen akoma arësye pse vazhdon t’i votojë ata, me të cilët ndodh pikërisht kështu: sapo hipin mbi kalë, të parin vrasin kalin, duke harruar se pa të s’kanë gjunjë për të shku askund…

Arroganca e tyre është e kudondodhur, epidemike, uluritëse e vrastare! Jo vetëm në Qeveri e Kuvend, ata flasin me vete, pyesin e përgjigjen po vetë, por edhe në çdo hallkë të administratës publike të pushtetit vendor, mendjemadhësia, arroganca, nënvleftësimi i njerëzve të thjeshtë dhe i halleve të tyre janë shumë prezente. Dhe kanë dy herë “të drejtë”: një se i kemi votuar pa kushte dhe dy se i ka zgjedh partia, jo ne!

Minoranca, e dobësuar nga kohëqëndrimi i gjatë pa karrigen e pushtetit, tash e sheh veten pa shpresë e by… për të ardhur në pushtet. Bile u ka mbetur “me një këmbë” edhe karriga e vogël, ajo e pushtetit brenda shtëpisë së tyre, gjë që i ka angazhuar gjatë në atë hall të madh. Edhe këta perendimorët, si gjithnjë, ua kanë me hile. Ata nuk i duan komunistët e komunizmin, e për këtë shkak e kanë shpallur udhëheqësin e tyre shpirtëror non grata…

Hallet s’mbarojnë këtu. Tashmë thuajse mbaruan edhe kursantët 6 - mujorë të drejtësisë e një filiz, edhe pse akoma i dobët, SPAK - u, po duket se disave prej tyre po u siguron hijen e gjatë të birucave të burgjeve. Është hall i madh ky, ndaj janë egërsuar e po përdorin gjithçka për t’u ngjitur me karriget… madje, lideri suprem propozoi edhe shpikjen e një lloji “ngjitësi”, që kush ulet në ato karrige të mos ndahet më prej tyre, por t’i marr me vete ngado. Është e gjitha një situatë paradoksale, komike e njëherit tragjike e njëkohësisht, që kërkon zgjidhje të menjëhershme e të pranueshme. E kur them të pranueshme, kurrsesi nuk kam parasyshë një marrëveshje të re zhvatëse mes mazhorancës e minorancës. Asnjë hajr nuk vjen prej këtyre marrëveshjeve dhe kjo, jo se marrëveshjet në vetvete janë të këqija, por se palët ushqejnë keqdashje e shpesh keqbesim të hapur.

Po si mund të dalim nga kjo situatë? - mund të pyes dikush pa të keq!

Thjesht fare: Duhet rithirrur në skenë çelësi: Populli që delegon pushtet, e jep fuqi!

Qartësisht, këtë çelës e ka mazhoranca. Le t’a përdorë atë sa më shpejt, duke ndjekur dy hapa:

- Hapi i parë, të ftojë minorancën për të përcaktuar rregullat e lojës. Bile le t’i delegojë asaj më shumë pushtet se numrat në këtë çeshtje, me kusht që kodi i ri zgjedhor të bekohet pa vërejtje nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë.

- Hapi i dytë, zgjedhje të reja të përgjithshme e pas 1 viti dhe ato vendore. Nëse ndjehen përfaqësues të popullit, siç pretendojnë se janë, asnjëra palë nuk ka pse frigohen nga “ky çelës magjik”. As hallin e shpenzimeve le t’mos e kenë fare! Paratë tona ka kohë që shkojnë në “drejtim të paditur”, kështu që le të shkojnë edhe këto. Partitë politike në fushatë, të angazhohen seriozisht e qartësisht, së paku në disa drejtime, si:

- Rikthimin e fuqisë masës së popullit përmes referendumeve e mënyrave të tjera të llogaridhënies;

- Reformë të plotë kushtetuese, duke shkurtuar numrin e deputetëve e dhënien fuqi më shumë Presidentit;

- Shkurtimin e anëtarëve të Qeverisë e sidomos të administrates publike. Jemi më pak se dy milion frymë e administrata, edhe sikur të jetë e ndershme dhe e aftë, gjë që s’dëshmohet aspak, është gur i rand në qafën e lodhur të këtij populli;

- Një qëndrim të qartë e të prerë ndaj administrimit të pasurive kombëtare, aq sa kanë mbetur;

- Një strategji të qartë në përballinin e krizave që trokasin ne derë, nga plakja e popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore, skemave të pensioneve, shëndetësisë, arsimit etj,

- Shprehje e qartë për ndarjen përfundimtare të pushteteve, jo vetëm në letra.

Ndërkohë uroj që “çelësi tjetër ”, SPAK e organet e Drejtësisë së Re, të mos humbin si “gjilpëra në kashtë”, duke vrarë kohën me “cironka”, por të guxojnë të venë në zgarë e zjarrin e tyre “peshqit e mëdhenj”. Nuk ka pse lodhet për t’i zgjedhur majtas e djathtas, sepse i ka me bollëk e gjysëm të gatshëm, në të dy krahët.

Guxoni, se kurrë s’keni patur aleatë kaq të mëdhenj: SHBA, BE, si dhe etjen e madhe të popullit për drejtësi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat