Rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Opinione

Rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Nga: Faik Miftari Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 17:44
Autori Faik Miftari

Në këtë vështrim do të shqyrtojë  disa pjesë të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duke u bazuar në  versionin e Asociacionit të publikuar  nga Burim Ramadani në portale të ndryshme të Kosovës. 

Në hyrje të Statutit duke u referuar konventave, kartave, ligjeve, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të gjitha të cekura në hyrje të Statutit, më ra në sysh edhe Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E dimë që Rezoluta 1244 e KS të OKB-së e cila ende është në fuqi Kosovën e trajton si pjesë e ish RFJ-së - Serbisë, dhe sipas së cilës Republika e Kosovës akoma de jure nuk është shtet dhe nuk mund të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Po ashtu në hyrje të tekstit të statutit qëndron edhe fjalia: ”Dhe në respekt të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, e cila fjali e përcakton në njërën anë Republikën e Kosovës si të pavarur, de fakto të njohur nga mbi 100 shtete të botës, dhe në anën tjetër Kosovën si autonome duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së në të cilin theksohet:”Duke ripohuar zotimin e të gjitha shteteve anëtare për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të RFJ-së dhe të shteteve të tjera në rajon, siç është parashtruar në Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe në aneksin 2,Duke ripohuar thirrjen në rezolutat e mëparshme për një autonomi përmbajtësore dhe për vetadministrim domethënës për Kosovën”. Ky dublifikim apo dyfishim i emërtimit, edhe e pavarur edhe autonome, mund të interpretohet, Kosova de fakto e pavarur, Kosova de jure autonome. 

Me këtë statut është e dukshme se komuniteti serb në Kosovë po përfiton autonomi territoriale, arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike si dhe në planifikim urban dhe rural. Me këtë statut po themelohet një mini Republika Srska në Kosovë, e ashtuquajtura Asociacion(Zajednicë) të komunave me shumicë serbe në Kosovë për vetëm  5% të popullatës serbe(për rreth 100.000 qytetar serb). Me këtë Asociacion Republika e Serbisë, tani e tutje do të jetë prezente në mënyrë direkte tani edhe de jure në Kosovë, për dallim nga de fakto-ja e gjer tanishme në Kosovë, sikurse që është edhe në Bosnjë nëpërmes Republika Srpskës. 

Me këtë statut Asociacioni nuk ka të drejtë të nxjerr ligje, por ka të drejtë të nxjerr akte nënligjore sikurse janë rregullore, vendime, deklarata, udhëzime në fushat në të cilën ka të drejtat ekzekutive, në arsim, shëndetësi, kulturë, ekonomi dhe planifikim urban dhe rural, që në njëfarë mënyre ja jep të drejtën e ligjdhënësit në fushat e lartcekura. 

Kompetencat ekzekutive që i ka Asociacioni, në arsim dhe shëndetësi, mund të zgjerojë për të ofruar shërbimet  arsimore she shëndetësore edhe në territoret e komunave tjera në Kosovë, me të cilën mund të nënkuptohet se mund të hap shkolla dhe spitale me marrjen e lejeve përkatëse nga autoritetet komunale përkatëse. Me këtë Asociacioni mund të zgjerojë ndikimin e tij edhe në komunat tjera në Kosovë në fushën e arsimin dhe shëndetësisë. 

Edhe një non sens i llojit të vet është sa i përket diplomave të lëshuara në fushën e arsimit që do t’i lëshon Asociacioni. Asociacioni(Zajednica) serb do të lëshoj diploma të dyfishtë, një diplomë për të diplomuarit me dizajn i cili do të rregullohet me një marrëveshje të veçantë me autoritetet kompetente në Kosovë, dhe tjetrën diplomë dublikate do të lëshojë institucioni arsimor  themelues i qytetit përkatës në Serbi, që është shenjë e përzierjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në Kosovë. 

Nëpërmes Asociacionit(Zajednicës) të komunave me shumicë serbe, Serbia do të ketë të drejtë të bëjë pagesa për të gjithë përfituesit social serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë, që do të thotë se krahas ndihmës sociale që gëzojnë përfituesit social serb në Kosovë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tani e tutje do të marrin shtesë edhe ndihmën sociale mujore direkt nga Serbia. 

Asociacioni(Zajednica) ka të drejtë për të organizuar dhe mbështetur kthimin e qëndrueshëm të personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë, me të cilën tani e  tutje do të inkurajojë kthimin e qytetarëve serb në komunat me shumicë serbe në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim si dhe Autoriteteve tjera përkatës lidhur me kthimet e të zhvendosurve  serb në Kosovë. 

Sa i përket strukturës organizative Asociacioni(Zajednica) do të ketë Kuvendin, Kryetarin dhe nënkryetarin e saj, Bordin(qeverinë), Kryeshefin Ekzekutiv të Asociacionit (kryeministrin), Këshillin Këshilldhënës, buxhetin, flamurin, stemën, kryeqytetin (Mitrovicën Veriore), buletinin zyrtar, që të gjitha i përngjajnë një “mini shteti” brenda shtetit të Republikës së Kosovës, në fushat përkatëse ekzekutive që do t’i ketë në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, ekonomisë dhe planifikimit urban dhe rural të Asociacionit me shumicë serbe. 

Asociacioni do të ketë të drejtë, përveç tjerash,  të pranojë, grante, ndihma, donacione, mbështetje financiare edhe nga Serbia, nëpërmes një llogarie bankare të një institucioni financiar i licencuar dhe i regjistruar në Bankën Qendrore të Kosovës, të cilat do të mund të nënshtrohen vetëm auditimit nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës. Me këtë Auditori mund të ketë qasje vetëm se ku i ka shpenzuar Asociacioni(Zajednica) serb grantet, donacionet dhe mbështetjen financiare nga Republika e Serbisë. Asociacioni duhet të jep raporte vjetore qeverisë së Kosovës për pranimin dhe menaxhimin e fondeve të saj. Do të shohim në praktik a  do ta përmbush këtë obligim Asociacioni ndaj qeverisë së Kosovës. 

Këto ishin vetëm disa vërejtje nga teksti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë  serbe të cilët i pash të nevojshme që duhet të theksohen  dhe që e meritojnë një këndvështrim të arsyeshëm, pasi që janë shqetësuese. 

Në fund dua të konkludojë se, se Kosova nuk ka alternativë, përpos për të pranuar këtë Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në botën e fuqive aktuale, sikur që janë faktorët ndërkombëtar politik vendimmarrës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, me kryeqendrat e tyre, Washingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Berlini dhe Roma, Kosovën e kanë vënë  nën një trusni të paparë gjer tani, dhe  se nuk ke qare pa e pranuar  edhe kjo qeveri aktuale e Kosovës me kryeministrin e saj Albin Kurti, e të mos flasim për qeveritë dhe kryeministrat e mëparshëm të Republikës së Kosovës, të cilët do të pranonin  pa kundërshtim dhe pa hezitim nga ana e tyre. 

Ky është çmimi që duhet Kosova të paguaj për shtetësinë dhe pavarësinë e fituar të saj, të aranzhuar dhe të arritur nga  faktorët politik vendimmarrës  të lartcekur botëror. Me të vërtet kjo kosto është shumë e lartë edhe për shtete më të avancuara, e lere më për Kosovën, dhe se  edhe pas krijimit të Asociacionit (Zajednicës) të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Republika e Kosovës prap se prap nuk do të njihet nga Serbia, pasi që nuk ka qeveri apo kryeministër në  Serbi, e cila do të mund të pranojë pavarësinë(shkëputjen nga Serbia) de jure të Kosovës si dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. 

 Ky Asociacion(Zajednicë) i komunave me shumicë serbe do ta shndërron Republikën e Kosovës në një shtet të brishtë, të ndarë brenda saj, jofunksional, të bllokuar në vendimmarrje  dhe me kompetenca ekzekutive në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, ekonomisë dhe planifikimit urban dhe rural në Kosovë, dhe me këtë Asociacion(Zajednicë) serb Kosova përsëri do të jetë ”sui generis ”në botë,  që një komunitet  serb me 5% (100.000 qytetar serb ) do të jetë autonom në 25% të territorit të Kosovës në fushat e cekura, në arsim, shëndetësi, kulturë, ekonomi dhe planifikim urban dhe rural. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat