Jo “Krishtlindja e ortodoksëve serbë të Kosovës”, por “Krishtlindja e ortodoksëve të Kosovës”!

Opinione

Jo “Krishtlindja e ortodoksëve serbë të Kosovës”, por “Krishtlindja e ortodoksëve të Kosovës”!

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 8 janar 2024 Në ora: 11:29
Foto ilustrim

Nuk pajtohem me kryeministrin Albin Kurti, por as me të gjithë ish-liderët e mëparshëm të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin e urimit të Krishtlindjes ortodokse për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Unë mendoj se duhet të thuhet vetëm "Krishtlindja për qytetarët e besimit ortodoks" (pa termin "serb"), dhe atë vetëm në gjuhën shqipe, e jo edhe në atë serbe, siç e ka bërë Kryeministri Kurti.

T'i veçosh vetëm serbët, ne vetë u ndihmojmë atyre që vetëm ata ta përvetësojnë këtë të kremte, dhe vetëm ata të jenë pronarë legjitimë të kishave, të manastireve dhe të çdo objekti tjetër ortodoks që gjinden në territorin e Republikës multietnike të Kosovës.

Në Shqipëri, përveç një numri të shqiptarëve, ka edhe pjesëtarë të pakicave të tjera, të cilët i takojnë besimit ortodoks. Duke qenë kështu, Krishtlindja ortodokse në Shqipëri nuk është vetëm e shqiptarëve, por edhe e të gjithë ortodoksëve të tjerë që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Se është kështu, tregon edhe fakti se në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare vazhdon të qëndrojë përgjithmonë një prift grek, Janullatos, dhe asnjëherë ndonjë prift shqiptar! Se si dhe për kë punon greku Janullatos, këtë e dinë edhe fëmijët, mirëpo jo edhe krerët shtetërorë të shtetit të Shqipërisë, ata që e kanë sjellë, dhe ata që e mbajnë e nuk shkarkojnë dot nga kreu i KOSH-it priftin grek Janullatos, armikun e përbetuar antishqiptar.

Në Kosovë, ndërkaq, është edhe më keq. Lidershipi mediokër apo fare analfabet i Kosovës është dashur që krahas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, t’i inkurajojë individët kompetentë që edha ata ta themelojnë dhe pavarësojnë Kishën Ortodokse të Kosovës. Sikur të kishte ndodhë kështu, sot të gjitha objektet fetare ortodokse "serbe" në Kosovë, do të kishin qenë vetëm "objekte ortodokse" (kurrësesi: "serbe"), dhe të gjitha do të kishin qenë në pronësinë e shtetit të Republikës së Kosovës, e jo kështu siç vazhdojnë të jenë edhe sot - "në pronësi të shtetit të Republikës së Serbisë"!

Duke qenë kështu, ne me mosdijen tonë vetë ia kemi falur të drejtën Serbisë që ajo vazhdimisht të mos heqë dorë nga shkëputja e "territorit serb të Kosovës dhe Metohisë nga përbërja e shtetit të Republikës së Serbisë"!

Gabimet e këtilla dhe të shumta, të cilat janë rrjedhojë e mosditurisë sonë na kanë kushtuar dhe po na kushtojnë shumë shtrenjtë edhe sot. Si pasojë e gjithë këtyre gabime, edhe sot pas 17 viteve të pavarësisë, jemi në gjendjen politike të pazgjidhur plotësisht. Si do që të jetë, gabimet tona mund t’i përmirësojmë edhe sot, ndonëse tani më me shumë vështirësi sesa atëherë. Para zgjidhjes përfundimtare të dialogut me Serbinë, Kosova duhet ta shpallë autoqedalinë e Kishës Ortodokse të Kosovës (gjithnjë: pa termin "serb"), dhe në krye të saj të emërojë në prift ortodoks, qoftë ai falso, siç ka vepruar Serbia një hoxhë falco "mysliman", të cilin e ka vënë në krye të "Bashkësisë Islame të Serbisë".

Sikur ta bëjmë këtë, e që unë mendoj se do të mund të bënim, atëherë Serbisë do t'ia mbyllnim gojën, dhe ajo nuk do të mund të kërkonte pronësi në kishat ortodokse të Kosovës, pasi tanimë, ato thjesht nuk do të ishin kisha "serbe", por kisha të komuniteteve të ndryshme ortodoksë të republikës së Kosovës.

Së këndejmi, edhe kryeministri aktual i Kosovës, si dhe të gjithë kryeministrat e ardhshëm të Republikës së Kosovës, do të duhej uronin shumë thjesht: "Gëzuar Krishtlindjen qytetarëve ortodoksë të Republikës së Kosovës"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat