Vuçiqi nga Nju Jork-u nxit sherr ndër shqiptarë, Ali Ahmeti ‘krihet’!

Opinione

Vuçiqi nga Nju Jork-u nxit sherr ndër shqiptarë, Ali Ahmeti ‘krihet’!

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 07:48
Ramazan Bekteshi

Pas stuhisë mediatike, që Ali Ahmetit ia siguruan mediat e Tiranës dhe Prishtinës, duke e ngritë në qiell zgjedhjen e Kryeministrit Teknik shqiptar vetëm për disa muaj, duke e quajtur një moment historik, por që në fakt ishte një turp historik, sepse partia shqiptare në pushtet pranoi një pozite supreme, por simbolike e teknike për partinë, në këmbim për heshtje të çështjeve kyçe kombëtare që vazhdojnë të mungojnë.

‘Ra ky mort dhe u pamë’ kur ‘Sputniku’ shqiptar i përberë nga gazetarë tani më të njohur e disa të dyshimtë shkuan në Shkup me ftesë te Aliut, duke u shërbyer me automjete zyrtare maqedonase, që as gazetarët maqedonas nuk e kishin një qasje dhe privilegj të tillë, i bënë Ali Ahmetit publicitetin me fiktiv që kanë bërë ndonjëherë mediat shqiptare, duke e ngritur atë në piedestal, edhe pse çështja shqiptare me Ahmetin ka rënë në greminë, që nga marrëveshja e Ohrit e deri më sot. Pos Aliut, këto media shqiptare i thurën lavde edhe Maqedonisë se Veriut, gjoja se çështja shqiptare na qenka më e avancuara.

Vuçiqi, nga urrejtja patologjike për shqiptarët dhe sidomos për KM Kurti, dhe dëshpërimi që pësoi një fiasko të rëndë në OKB në KS, të thirrur nga ai për dinarin, por që ra në kurthin e vet, pas paraqitjes brilante të kryeministrit Kurti. Vuçiqi s’duroi të pres që të kthehet në Beograd, por nga Nju Jorku e gjuajti bombën e radhës në mesin e shqiptarëve, duke potencuar se Albin Kurti rrezikon Ali Ahmetin dhe të gjithë Maqedoninë e Veriut.

Kur pritej reagimi i Ali Ahmetit ndaj deklaratës së Vuçiqit, kur pritej që “Skënderbeu” i MV të shpërthej kundër Vuçiqit, duke i thëne kriminelit, se fjalët e tij kundër Kurtit vetëm se e kane bashkuar edhe më fort me kryeministrin Kurti, dhe se shqiptarët nuk kanë armiqësi me njëri-tjetrin porse kanë një armik të përbashkët që quhet Serbi. Por, Aliu heshti përsëri, dhe heshtja është aprovim. Ky ‘trim’ që dikur lëvdohej se e prishi Jugosllavinë, kësaj radhe s’e kishte kurajën t’ia thotë një fjalë të vetme Vuçiqit që i provokoi keq shqiptarët, kësaj radhe nga Nju Jorku.

Kjo heshtje bezdisëse e Aliut për të gjithë shqiptarët, të çon të mendosh se sa herë ai duhej të bëjë diç për MV, ai i futi shqiptarët në zjarr, qofshin marrëveshje ndërkombëtare, vendore apo partiake. Të gjithë këto shërbime u bënë për MV pa asnjë kusht, dhe ky krenohet me këtë. Por, kur është çështja që të ngre zërin për votuesin e tij që tanimë e ka skllavëruar për më shumë se dy dekada, ai hesht, dhe shqiptarët vazhdojnë të mbesin të margjinalizuar, të pa përfaqësuar bazuar në konventat ndërkombëtare, bile edhe pa të drejta elementare të shkollimit të obliguar fillor në disa komuna.

Shqiptari në epokën e Aliut vuan, vuajnë edhe të burgosurit politik që janë dënuar pa prova vetëm pse janë shqiptar, vuan edhe grupi i Kumanovës, që disa nga ata u vranë pasi u dorëzuan, por lideri i BDI-së asnjëherë nuk kërkoi llogari nga Gruevski që i shërbeu me frikë e përkushtim. Megjithatë, pasuria e Aliut dhe familjarëve të tij është bërë multimilionëshe, bazuar nga një raport i DASH-it.

Lind pyetja, çka e lidh z Ahmeti me Vuçiqin me Ballkanin e Hapur, një projekt antishqiptar, çka e lidh z. Ahmeti me zotin Grenell që ta ftoj në Shkup, kur Grenell është një lobist serb, një antishqiptar dhe amerikani më i urrejtur në Kosovë e shqiptari. Grenelli që bëri grusht shtet në Kosovë, ai që kërkonte që t’i vihen sanksione Kosovës, ai që kërkonte që të tërhiqen forcat amerikane nga Bondstilli, ai që qeverinë me legjitime të Kosovës dhe liderin e saj i quan fashistë. Ç ‘kërkon ky lobist serb dhe antishqiptar, një njeri pa pushtet në SHBA, ç’do ai në zyrat e BDI-së?

Aliu e vazhdon sundimin e tij i patrazuar në MV, me plotë kritika, me vend e pa vend, me plote dyshime, dilema, e shpifje, por, më në fund ai vazhdon të triumfojë sikur s’ndodh asgjë. Derisa, ASH-ja digjet nga brenda, autobusët e muzgut heshtas natë-për-natë e zbrazin Iliridën, dhe gjithmonë e më shumë ky vend duket se ka mbet pa zot shtëpie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat