Joe Biden, në moshën 81 vjeçare kandidat i demokratëve, ndërsa në Kosovë politikanët me përvojë, në moshën 65 vjeçare vihen në izolim shtëpiak..!?

Opinione

Joe Biden, në moshën 81 vjeçare kandidat i demokratëve, ndërsa në Kosovë politikanët me përvojë, në moshën 65 vjeçare vihen në izolim shtëpiak..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 mars 2024 Në ora: 18:05
Rexhep Elezaj

Duke e dëgjuar fjalimin e mbrëmshëm para kombit amerikan të presidentit 81 vjeçar, Joe Biden, sidomos atmosferën entuziaste që mbretëronte në sallë derisa ai po mbante fjalim, unë si një shqiptar i lindur dhe rritur në Kosovë, por i shkolluar jashtë atdheut, thënë të drejtën, më dilnin para syve ëndrra dhe dëshira imagjinare, se si do duhej të dukej sot Kosova, por edhe Shqipëria, posikur ne si komb t’i kishim përvetësuar me kohë, pranë vlerave tona kombëtare, edhe disa nga vlerat e popullit mik amerikan !

Ngase, është fakt i gjallë, se shqiptarëve si njerëz dhe si komb u kanë munguar dhe vazhdojnë t’iu mungojnë disa vlera demokratike, në mungesë te të cilave me shekuj kemi ngelur mbrapa popujve perëndimor, siç janë xhelozia e shëmtuar, inati i pakuptimtë, kokëfortësia e vrazhdë, hakmarrja primitive, gjaknxehtësia e shpejt, etj., veti këto që shqiptarët si komb i kanë dëmtuar rënd gjatë historisë së tyre nacionale, duke u radhitur për shkak të tyre në mesin e popujve primitiv në Evropë. Realitet të cilin e ka dëshmuar katërcipërisht bajraktarllëku fisnor si dhe lakmia për dominim krahinor dhe individual, siç po ndodhë edhe sot në Shqipëri lufta për dominim politik mes Jugut dhe Veriut.

Kur e them këtë, kam gjithnjë parasysh kombin amerikan, gjerman, francez, anglez dhe shumë popuj tjerë, të cilët patën luftëra të gjata, p.sh. mes amerikanëve dhe indianëve, amerikanëve dhe zezakëve, pastaj siç ishin luftërat e tmerrshme civile dhe fetare në Evropë gjatë shekujve 17 – 19-të, e më vonë edhe mes popujve, kujto kohën e luftërave civile në Angli, Skandinavi, Gjermani, Francë, Spanjë, etj., por edhe Luftën e Parë dhe Dytë Botërore, kur me kalimin e kohës arritën që të krijojnë shtete të përbashkëta mbi vlera unike, duke lënë pas vetes gjitha hasmëritë, viktimat dhe shkatërrimet e mëdha të futtës. Derisa, shqiptarët si entitet dhe si njerëz të pa identitet të qartë nacional deri më 1912, vazhduan ndërtimin e kombit të tyre mbi “vlerat” e koduara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të cilat, mjerisht, po vazhdojnë t’i zbatojnë sot e kësaj dite në shumë fusha të jetës, sidomos gjakmarrjeve, hakmarrjeve, vrasjeve dhe krimeve makabre mes familjeve të një gjaku dhe fisi, etj.

Por, ajo që më së shumti më ngacmoj gjatë fjalimit të presidentit amerikan, Joe Biden, ishte fakti, sesi për një popull prej 350 milion banorësh, ku secili shtet federal posedon karakteristika të veçanta etnike-tradicionale, ia dolën që mbi idealin kombëtar amerikan ta formojnë bashkërisht shtetin më të fuqishëm në botë, SHBA-të, këtu e 248 vite më përpara, duke lënë anash të gjitha dallimet politike, krahinore si dhe traditat multi-etnike dhe fatare, të vetëdijshëm se mbijetesa e tyre varej ekskluzivisht nga bashkimi dhe jeta nën një kulm, siç është Kongresi, Senati dhe Shtëpia e Bardhë. Pra, arritën ta hartojnë dhe aprovojnë aktin më sublim që i duhet një shteti, Kushtetutën e parë amerikane në maj të vitit 1787, duke e themeluar shtetin unik nga 51 njësi federale, i cili pas LDB-re do bëhet superfuqia e parë ekonomike dhe ushtarake në botë.

Pra, një popull i cili me vetëdije dhe vullnet të plotë para tri viteve në zgjedhjet nacionale të mbajtura me 3 nëntor 2020, votën e tij me shumicë ia besojë njeriut të shtyrë në moshë (sipas logjikës shqiptare), Joe Bidenit, një 78 vjeçari, flet qartë se sa e avancuar është kultura politike amerikane, sa është e avancuar demokracia, por edhe vetëdija nacionale, duke zgjedhur për zot shtëpie njeriun me një përvojë të jashtëzakonshme në politikë, përvoja të cilat nuk do t’ia hudhin në shportën e pensionistit, siç veprohet në Kosovë, veçse këto përvoja do i fusin në zbatim praktik në politikën nacionale dhe për interesave të SHBA-ve. Mbase, dihet fakti, se një politikani i pa përvojë, ai asnjëherë nuk mund të jetë i suksesshëm në punën e tij, sado që t’ua thotë mendja e tyre egoiste dhe karrieriste.

Përvojat në politikë të politikanëve në moshë të pjekur, por me shëndet të plotë, kanë vlera më të mëdha sesa aftësimi profesional i tyre, prandaj populli amerikan moshën nuk e konsideron pengesë në politikë, përkundrazi e trajton atë si vlerë dhe prioritet nacional, kështu që askush nuk duhet të çuditet, se pse në SHBA në zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të garon për president një 81 vjeçar, dhe jo një 50 vjeçar, fakt ky që simbolizon çelësin e suksesit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Amerikës, dhe jo që “pensionistët” politik dhe ushtarak t’i izolojë në shtëpitë e tyre, duke ua shkërrmoç me paturpësi përvojën si dhe mundin e tyre të madh politik dhe kombëtar që e kanë dhënë për popullin dhe shtetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat