Përpjekjet për një “Jugosllavi të katërt” të Aleksandër Vuçiq!

Opinione

Përpjekjet për një “Jugosllavi të katërt” të Aleksandër Vuçiq!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 4 prill 2024 Në ora: 18:06
Aleksandar Vuçiq

Aleksandër Vuçiq në fillim të vitit 2017 pati deklaruar se do të bëhej një Tito i Ri i Serbisë?! Në fakt ai ishte dhe mbetet një Milosheviç i “përsosur” i Serbisë së post luftërave të fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi. Megjithatë ka gjetur formulën e re me të cilën pretendon të ringjallë Serbinë e vjetër të Stefan Dushanit. Përmend Titon e në fakt ka objektiv zbatimin e projektit të Naçertanies së Ilia Grashaninit të vitit 1844. Pra, rikthimin nën sundimin serb të tri apo katër shteteve ballkanike. Rikthimin e Republikës Srpska, të Malit të Zi dhe të Kosovës. Me pak përpjekje më të sforcuara edhe Maqedoninë e Veriut. Pse jo edhe të Shqipërisë si shteti i pestë. Kësisoj, si “Tito i Ri” Aleksandër Vuçiq ka projektuar një Jugosllavi të Re pa Slloveninë dhe Kroacinë e mundësisht me Shqipërinë brenda saj.

Këtë funksion pati Open Balkan, ende në jetë, sipas presidentit të Serbisë e madje edhe të liderëve të Shkupit zyrtar. – Gjithë projekti i Open-it synonte integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë Jugosllavinë e Re të Aleksandër Vuçiq. Por dalja e Shqipërisë nga kjo nisëm e ka detyruar kreun e shtetit serb që të projektojë fillimisht një Jugosllavi më të vogël. Projekti ka avantazhe dhe vështirësitë e veta. Kërkon bashkëpunëtorë. Përmes Open Balkan Vuçiq gjeti si bashkëpunëtorë të këtij plani kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të përkrahur edhe nga Ali Ahmeti. Por Rama, kur shikon që rrezikohet, gjithnjë tërhiqet. Nga presioni gjerman ai e deklaroi Open Balkan me “mision të përfunduar”, d.m.th të dështuar.

Tani Aleksandër Vuçiq duhet të përdorë fillimisht më besnikët e tij. Milorad Dodik. lideri i Republikës Srpska, është më i afërti. I afërt gjithashtu me Vladimir Putin. Ai ka shkruar ka shkruar se në datat 5 dhe 6 maj 2024 “do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb”! Është koha kur mbahet Asambleja e Pashkëve të Mëdha në Beograd.  Vini re: - Dodik flet për “mbijetesën e popullit serb”! Ndërsa Vuçiq nuk le rast pa folur për “kërcënime ekzistenciale” të serbëve dhe për vendin e tij. Një simbiozë retorike ideologjike e tipit identik me atë të Milosheviçit dhe të Vladimir Putin në rastin e Ukrainës.

A nuk nisi konflikti në Kosovë me memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për të ashtuquajturin “Genocid i shqiptarëve kundër popullit serb në Kosovë”?! E njëjta retorikë luftë-nxitëse po përdoret sot nga pasuesit e Milosheviçit dhe ish-ministrat, apo ish-zëdhënësit e tij. Ndërkaq të mërkurën, pra ditën e djeshme, Lista Srpska e quajti vizitën e Albin Kurtit në Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut, si provokim dhe kërcënim për serbët në Kosovë. Orkestra e njëjtë me atë të kohës së Milloshit! Melodia dhe teksti është po ashtu i njëjtë. Nuk kanë ndryshuar as aktorët, skenaristët e regjisorët e kohës së konflikteve. Petkoviç nga Beogradi foli po ashtu në këtë rast për “okupim” të veriut të Kosovës!

Pavarësisht kësaj retorike rreth Kosovës, për presidentin serb Jugosllavia e Re do të nis me Republikën Srpska të Milorad Dodik. Ky i fundit ka paralajmëruar vazhdimisht se dëshiron të shkëputet nga shteti i DAYTON-it, Bosnjë-Hercegovina. Ai, para pak kohësh ka paralajmëruar referendum për shkëputjen e kësaj republike nga Bosnjë-Hercegovina. “Lamtumirë Bosnjë, bëhuni gati për Republika Srpsla exit”, shkruante Dodik, gjë që përkthehet edhe si bashkim në formë federate me Serbinë. Po pas Republikës Srpska? Radhën e ka Mali i Zi. Forcat pro-serbe dhe pro-ruse edhe në këtë vend kanë marrë në dorë fatet e këtij shteti. Vuçiq ka këtu një vështirësi: – Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Si do ta përballojë ai këtë fakt? Me siguri që do ta shesë si konflikt të brendshëm në këtë vend. Do të thotë se “janë serbët në Mal të Zi ata që duan t’i bashkohen Serbisë” dhe do të ofrojë zgjidhje pak më të “butë”: - Që mali i Zi të bashkohet në federatën serbe në një Jugosllavi të re.

Dhe Serbia nuk do të ndalet me kaq. Do të kërcënojë edhe me Maqedoninë e Veriut. Do të ndërtojë skema intrigash që Shkupi të jetë një nga kryeqytetet e republikave federative të Beogradit. Kosova do të mbetet e fundit. Por ajo nuk do t’i bashkohet kurrë një federate serbo-jugosllave, ose siç mund të quhej, Jugosllavia e katërt! As vetë Aleksandër Vuçiq nuk e do Kosovën e banuar me shqiptarë në atë lloj federate. Ai do pasuritë e saj. Dëshiron Trepçen, Ujmanin, pikat strategjike të Veriut të Kosovës. Për këtë do të luftojë deri në fund. Dhe do t’ia arrijë vetëm nëse do të gjendet një shqiptar – armik i shqiptarëve -që mund ta firmosë këtë lloj projekti! Për këtë shkak kërcënon vazhdimisht me sulme ushtarake e provokime kundër Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat