Në vend të lamtumirës...

Opinione

Në vend të lamtumirës...

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 prill 2024 Në ora: 13:55
Abdyl Zhaveli

Abdyl Zhavelin e njoha në vitin 1984 në Sekretariatin (ministrinë) për punë të jashtme pranë qeverisë së Kosovës, në pozitën e ndihmës Sekretarit, i cili vite më para kishte shërbyer për katër vite si konsull në Selanik të Greqisë, si kuadër dhe përfaqësues i Kosovës në diplomacinë federale të ish Jugosllavisë.

Në vitin 1983, si shumë shqiptarë që regjimi serbo-jugosllav i kishte dëbuar nga shërbimi diplomatik, edhe mua më dëbuan nga shërbimi diplomatik në Sudan, me pretekstin, si gjoja “i pa përshtatshëm moralo-politikisht”, madje me akuza “udëbeske” si irredentist dhe nacionalist nga familje balliste, duke më lënë në rrugë bashkë me familjen.

Ndërsa, me të kthyer në Kosovë, si i pa punë, në kërkesat e mia që të punësohem në ndonjë organizatë, askush nuk guxonte të më merrte në punë për shkak të stigmatizimit që më kishin bërë organet e sigurimit jugosllav, mjerisht me ndihmën e disa spiunëve shqiptarë, si “njeri moralo-politikisht i pa përshtatshëm”, pas shtatë muajve si i pa punë, më në fund, ishte i vetmi Abdyl Zhaveli, ai i cili, pranë gjitha pengesave dhe kërcënimeve të UDB-së serbe në Prishtinë, më mori në punë, duke e rrezikuar karrierën e vetë politike. Ai, këtë akt ai nuk e bëri për hatër sepse nuk më njihte fare paraprakisht, përveç se nga motivet patriotike dhe kombëtare, që të punësonte edhe një shqiptar më shumë në organet shtetërore të Kosovës në atë kohë të pakohë.

Pra, figura dhe personaliteti i tij prej patrioti, mësuesi dhe atdhetari të madh, e bënte atë që të mos përkulej me asnjë çmim para kërcënimeve dhe shantazheve të cilat ia bënte Shërbimi informativ serb pranë policisë në Prishtinë, duke qëndruar stoik në ballafaqim të regjimit kriminal serb, i instaluar në Kosovë, qoftë duke punuar në zgjerimin e administratës shtetërore të Kosovës me ministri të reja, qoftë duke dërguar kuadro të reja shqiptare në diplomaci, meqë Kosova nga viti 1974 e deri në vitin 1989 ishte Njësi e barabartë në federatën ish Jugosllave, kur krimineli serb S. Millosheviq me dhunë Kosovës ia mori autonominë.

Madje, z. Abdyl Zhaveli, si i vëzhguar dhe i përndjekur edhe vetë politikisht nga udbashët serbë, ai nuk do e ndalonte punën dhe aktivitetin e tij për asnjë çast në forcim dhe zhvillim të marrëdhënieve të Kosovës me botën e jashtme, sidomos në fushën e këmbimit arsimor, shkencor, kulturor dhe teknik, duke shfrytëzuar në maksimum kuotën e muajve që i jepeshin Kosovës për dërgim të kuadrove shqiptare në specializim profesional në shumë vende të Evropës, në SHBA e deri në Japan dhe Australi.

Puna dhe aktiviteti i mikut tim, Abdyl Zhavelit, në shtet-ndërtimin dhe faktorizimin e Kosovës brenda dhe jashtë ish shtetit jugosllav, ka qenë e jashtëzakonshme, posaçërisht në forcimin e subjektivitetit dhe pozitës kushtetuese të Kosovës, si njësi federale e barabartë me republikat tjera, dhe atë përmes pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në tubime ndërkombëtare kulturore, shkencore dhe sportive, por edhe në konferenca me karakter politik-shtetëror, si në vendet fqinje, ato evropiane dhe tej-oqeanike, duke afirmuar fuqishëm popullin shqiptar në botë, si entitet jo sllav, veçse autokton në trojet e veta shekullore.

Ndarja dje nga jeta dhe shkuarja në amshim e mikut tim të dashur, Dylit, e një burri të madh të Kosovës martire, e një pedagogu, diplomati prej karriere, i cili fliste rrjedhshëm 7 gjuhë botërore, në mesin e tyre edhe gjuhën greke, e një familjari dhe prindi të mrekullueshëm, përveç se më ka mbushur shpirtin me dhimbje dhe pikëllim të madh, në të njëjtën kohë, më bënë krenar që pata fatin ta njoh Abdyl Zhavelin, të punoj me të për të mirën e Kosovës dhe popullit shqiptar, të cilin ai e deshi më shumë se jetën e tij !

Qofshin të përjetshme lavdia dhe përkujtimi ynë për Abdyl M. Zhavelin, për këtë erudit të politikës dhe diplomacisë së Kosovës në kohërat më të vështira nën okupimin barbarë të Serbisë, për të mirën dhe lirinë e të cilës nuk kurseu asgjë nga jeta e tij..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat