Masakra e Mejës dhe e Korenicës një plan i ngjashëm me tragjedinë e Srebrenicës

Opinione

Masakra e Mejës dhe e Korenicës një plan i ngjashëm me tragjedinë e Srebrenicës

Nga: Dedë Preqi Më: 27 prill 2024 Në ora: 14:00
27 prilli, Dita Kombëtare për Personat e Zhdukur.

Masakra e Mejës dhe Korenicës, një tragjedi shumë e dhimshme e popullit shqiptarë, e cila ishte bërë me plan dhe paramendim të forcave paramilitare dhe ushtrisë e policisë serbe, në vitin 1999. Kjo pjesë e errët dhe e dhimbshme e historisë shqiptare, dhe shumë të tjera, ishin qëndrimet e një sistemi fashist, i cili kishte për qëllim dëbimin dhe ç’farosjen e popullit shqiptarë nga trojet e tyre, për ta kolonizuar me sllav dhe për t’a riokupuar Kosovën në tërësi.

Ishte një masakër makabre e një terrori barbarë serb, që ndodhi jo rastësisht në Kosovë, ishte pothuaj e ngjajshme me masakrat në Bosnje, në veçanti me masakren e Srebrenicës, ku gjetën vdekjen 83OO burra civil të pafajshëm. Edhe pse kaluan disa vjet nga kjo masakër,27 prilli do të risjellte gjithherë kujtime të tmershme, që ka kryer fashizmi serb ndaj popullatës shqiptare, nën udhëheqjen e Millosheviqit dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë, e një ndër ata ishte edhe Aleksandër Vuçiq, kryetari i tanishëm i Serbisë.

Masakren e Mejës dhe Korenicës e kryen, përveq grupeve të ndryeshme kriminale, ishin edhe fqinjët e maskuar serbo-malazez, të cilët ekzekutuan afro 500 civil shqiptarë, ndër ta edhe pleq, gra dhe fëmijë, si edhe 377 burra të pa fajshëm dhe të pa armatosur , dhe pas masakres, i ngarkuan kufomat në kamiona, duke i dërguar dhe fshehur dikund në djerrinat e Serbisë, për ti humbur gjurmët e krimit, dhe shumica e tyre edhe sot e kësaj dite nuk u janë gjetë kufomat e tyre.

Sa herë që kujtojmë këtë masakër të dhimbshme të Mejës dhe Korenicës, kujtojmë edhe masakrat tjera të rënda, që janë bërë në gjithë teritorin e Kosovës, duke rënë me qindra mija martirë të kombit, po sikur në vijën e parë të frontit, ballë përballë me armikun shekullor serb, i cili nuk kurseu as fëmijët në bark të nënës shqiptare.

Pothuaj se tërë Kosova, ashtu edhe qyteti i Gjakovës, në atë kohë ishte tërësisht i okupuar dhe i rrethuar me kriminel të regjimit fashist serb, ndërsa kolonat e njerëzve të afro 15 fshatrave të rrethit të Gjakovës, që kalonin nëpër Meje dhe Korenicë, aty ndaheshin burrat në njërën anë për tu ekzekutuar, ndërsa femrat në anën tjetër për ti ç‘njerëzuar.

Përjetimi i kësaj masakre ishte i tmershëm, me ç’rast rrallëkush e ka pasur fatin të shpëtojë kësaj tregjedije që preku thellësitë e shpirtit njerëzor. Nga gjithë kjo golgotë mund të kuptojmë dhe vertetojmë se në këtë botë, ekziston edhe raca e njeriut „satan“ apo përbindësh, gjakpirës dhe demon, por në këtë mënyrë djallëzore nuk do të vepronte siq veproi raca serbo-sllave në Kosovë.

Shqiptarët u dëbuan, u masakruan, u malltertuan, u burgosën dhe gjithçka që është më ç’njerëzore nga regjimi serb, vetëm se synuan ta ndërtojnë lirinë dhe demokracinë e vet në vendin e vet, si çdo popull i lirë në botë. Jeta nën robërinë e regjimit serb ishte jetë e qenjës jonjerëzore, e cila e shqyente shpirtin e njeriut dhe ekspozonte thellësitë e saj.

Dikur vonë, ky tmer e shqetësoi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe botën mbarë, kur forcat aleate të NATO-s, në krye me SHBA-të, bënë aktin më human në historinë e njerëzimit, duke e mbrojtë nga asgjësimi total një popull të pafajshëm. Edhe pse kanë kaluar 25 vite nga kjo tragjedi e tmershme në Meje dhe Korenicë të Gjakovës, populli shqiptarë nuk mund ti harron lehtë këto storie të rënda, nga memoria e vet, që nuk di të shlyhet.

Shumë familje dhe të afërm të viktimave presin akoma identifikimin e kufomave, që ti përcjellin në banesën e tyre të fundit, por janë edhe 1600 e më shumë kufoma të tjera nga tërë Kosova, që Serbija nuk i ka kthye në atdheun e tyre, të cilat i mbanë peng, për çështje të veta politike. Siq thotë në një intervistë prof. Engjëll I. Berisha: „Ndonse e kemi menduar vrasjen nga armiku i këtij populli, por kurrë nuk e kemi menduar zhdukjen e kufomave“.

Martirëve të rënë në këtë masakër, iu është ngritur Qendra Përkujtimore e 27 Prillit, në fshatin Meje të Gjakovës, në shenjë përkujtimi dhe respekti, e cila quhet Lëndina e Pikëllimit. Kjo Lëndinë pikëlluese, jo vetëm e këtyre trevave të Gjakovës, por është një Lëndinë e pikëllimit për gjithë kombin shqiptarë, e cila ka edhe simbolikën e vet kombëtare, me tolerancën ndërfetare, ku janë së bashku të varrosur katolik dhe musliman shqiptarë, që do të thotë, se as për së gjalli, dhe as për së vdekuri nuk mundet të na ndajë askush.

Edhe pas kaq vitësh të këtyre masakrave, kriminelet serb janë ende të pa arrestuar, të cilët jetojnë dhe shetisin të lirë kudo. Bashkësija Ndërkombëtare, në vend që ti bëjë presion Serbisë, për ti arrestuar kriminelët serb, Brukseli e bënë të kundërtën duke e përgëdhelur Serbinë. PMirëpo përgjegjësit e këtyre masakrave dhe të tjera, të cilat i muarën jetët e pafajshme të njerëzve në Kosovë dhe gjetiu, nëse nuk i ndëshkon ligji dhe drejtësia njerëzore, nëse «ekziston Zoti, duhet të besojmë në faktin, se do ti ndëshkojë një ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat