Vija ndarëse e politikës shqiptare në Kosovë e Maqedoninë e Veriut!

Opinione

Vija ndarëse e politikës shqiptare në Kosovë e Maqedoninë e Veriut!

Prof.Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 1 maj 2024 Në ora: 16:21
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe fronti opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Aleksandër Vuçiq flet çdo ditë kundër Albin Kurtit. Ai e quan qeverisjen e tij si “regjimi i Kurtit”! Ndërkaq ka edhe opozitarë shqiptarë në Kosovë e më gjerë, të cilët kanë artikuluar të njëjtin emërtim. Ndërsa ekranet televizive pro-Rama në Shqipëri nuk lenë emission lajmesh pa ndërtuar një fabul anti-Kurti! Në fakt sulmet ndaj kryeministrit të Kosovës janë orkestruar me mjeshtëri nga ana e Beogradit, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e gjetkë në hapësirën shqiptare në Ballkan. Ka një lobim të fuqishëm për këtë, sidomos në SHBA. Përveç Richard Grennell edhe Antony Blinken kërkesave të Aleksandër Vuçiq për ta larguar zotin Kurti nga pushteti i është bashkuar edhe Edi Rama, Ali Ahmeti, Dritan Abazoviç etj. Arsyet dihen: - Duan që ta përmbyllin dialogun Kosovë-Serbi sipas projektit të Serbisë së Madhe.

Normalisht për amerikanët “Serbia e Madhe” nuk është shqetësim i madh. Serbia, e madhe apo e vogël, nuk rrezikon asgjë nga interesat amerikane në rajonin tonë. Mjafton që kjo Serbia e Madhe të bëhet pjesë e ndikimit amerikan. Edhe nëse ajo ruan lidhje kulturore, ekonomike dhe në fusha të caktuara me Rusinë, kjo nuk do të ishte problem amerikan. Serbia e Madhe duhet të jetë në zonën e sigurisë amerikane. Pikërisht këtë e ka premtuar Aleksandër Vuçiq. Për këtë ka lobuar dhe lobon fuqishëm. “Më jepni Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën si pjesë të Jugosllavisë së re (Serbisë së Madhe) dhe ne jemi gati të bëhemi anëtarë të NATO-s”! “Nëse nuk na jepni këto, atëherë na jepni veriun e Kosovës e pasuritë e saj si dhe Republikën Srpska dhe Malin e Zi dhe ne sërishmi jemi me ju”, thotë presidenti i Serbisë.

Në këto kushte SHBA-të nuk kanë pse të thonë jo. Kosova e kreu misionin e saj, shërbeu si presion ndaj Serbisë, që ajo të kthehet në zonën e sigurisë amerikane, mendojnë diplomatët e kësaj fuqie absolute. Kjo është llogaria e interesit jetik amerikan tani 25 vite pas bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Të tjerat janë garniture. Pikërisht këtë fije të lëmshit ballkanik e kanë kapur Grennell, Soros, Blinken, të gjithë së bashku. Biden, i cili dikur, para 25 vitesh, bëri thirrje për denazifikimin e Serbisë në modelin e Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, është lënë mënjanë. Atij nuk i kërkohet që me fjalët e veta të përgënjeshtrojë gjithashtu vetveten. Ndoshta e konsiderojnë “një kukëll”!

Për ta realizuar këtë projekt është rekrutuar edhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Janë rekrutuar gjithashtu jo pak politikanë shqiptarë në rajon e sidomos në Shqipëri e në Kosovë. Disa të tjerë qëndrojnë në ekuilibër. Edhe duan ta mbrojnë Kosovën, edhe duan që të mbajnë marrëdhënie të mira me ata që punojnë për ndarjen e saj. Në mes qëndrojnë interesa jo vetëm politike, por edhe ekonomike e financiare. Madje kjo aferë është me interes njëkohësisht për mafien shqiptare të drejtuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe ajo ndërkombëtare.

Pengesa e vetme kryesore është Albin Kurti dhe mbështetësit e tij. Prandaj dhe zoti Kurti kritikohet ashpër e sulmohet me agresivitet nga disa opozitarë milionerë të Kosovës dhe eksponentë të mafies me pushtet në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse zoti Kurti u kritikua ashpër për mbështetjen që i dha koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut. Para zotit Kurti pengesë e këtyre planeve ishte politikani i shquar, Sali Berisha. Tani Berisha është në izolim. Megjithatë, edhe pse i izoluar, ai vazhdon ta mbrojë të vërtetën dhe të drejtën për Kosovën. Ndërkaq Aleksandër Vuçiq, së bashku me Edi Ramën, patën një rol të madh për shpalljen e tij non-grata nga sekretari amerikan I Shtetit, Blinken.

Lexuesi duhet ta kujtojë deklaratën e presidentit të Serbisë diku nga 20 prilli i vitit 2021, kur Vuçiq bënte thirrje për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri Edi Ramën dhe jo “nacionailistin” e “malokun”, Sali Berisha, si dhe Partinë Demokratike. Nga ajo deklaratë me akuza të luftës veri-jug në Shqipëri, Vuçiq po jepte mesazh për amerikanët dhe evropianët “për rrezikun Berisha” jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë përpiqej gjithashtu që Bashën ta paraqiste si “viktimë e Berishës”! Aftësia e Beogradit për t’i paraqitur politikanët patriotë shqiptarë si “rrezik” për Serbinë dhe rajonin ka bërë që miqtë e tij të lobuar në SHBA e kudo, të veprojnë me arrogancë kundër tyre. Ky ishte fati i Berishës i shkruar në Beograd dhe me të njëjtën skemë Serbia po vepron edhe kundër zotit Kurti.

Fatkeqësisht ka eksponentë në PD-në e Shqipërisë që besojnë te Grennell dhe arrijnë derisa të kritikojnë së paku në tavolina zotin Kurti, pse ky mbështeti opozitën e Ali Ahmetit në Maqedoninë e Veriut. Kritika të ashpra kishte gjithashtu të martën në mbrëmje në emisionet televizive të Shqipërisë kundër asaj siç e quanin njerëzit e Ramës “Ndërhyrje të Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut”! Këta nuk duan të shohin as faktin që koalicioni i zotit Ahmeti kishte dhe ka mbështetjen e Edi Ramës. Për pasojë nuk duan të vlerësojnë qoftë dhe këtë fakt për ta konsideruar pozitivisht krijimin e një opozite kundër rrethit Rama-Vuçiq në hapësirën shqiptare në Ballkan. Kundërshtitë e politikanëve shqiptarë ndaj projekteve të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe në dëm të territorit dhe interesave shqiptare nuk janë përçarje e tyre. Përkundrazi, janë kontribute për të krijuar frontin e përbashkët në mbrojtje të interesave tona kombëtare e sidomos të Kosovës. 

Zëdhënësit e Edi Ramës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj janë në akord kur mbështesin iniciativat anti-Kosovë e anti-kombëtare të linjës Tiranë-Beograd. Dhe kërkojnë që askush, as Albin Kurti, të mos ndërhyjë për ndërprerjen e projekteve serbe në hapësirën shqiptare në Ballkan. Prandaj nuk e durojnë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës për koalicionin VLEN në Maqedoninë e Veriut. U duhet koalicioni I kamufluar Evropian. Dhe se Koalicioni Evropian ka vetëm emrin të tillë, sepse mbështet dhe lufton për Open Balkan, këta nuk duan t’ia dinë. Mjafton qëndrimi ndaj iniciativës së Vuçiq, Open Balkan, dhe e kupton se kush është ose jo pro integrimeve euro-atlantike. Por nuk pres që këtë ta pranojnë sharlatanë politikanë si Menduh Thaçi, i cili në emisione televizive matet me atë se “është kryetar partie” e jo me kapacitete intelektuale të mirëfillta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat