Rruga me “gjemba” e Kosovës drejt BE-së, nga sfida në sfidë me asociacionin si “cak” padrejtësie

Opinione

Rruga me “gjemba” e Kosovës drejt BE-së, nga sfida në sfidë me asociacionin si “cak” padrejtësie

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 9 maj 2024 Në ora: 22:45
Foto ilustrim

Sot (e enjte 9 maj) u shënua Dita e Evropës. Kjo ditë në Kosovë kremtohet si ditë feste.

Është viti i parë që kjo ditë u shënua pa kërkesën për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës tonë.

Liberalizimi ka ndodhur.. jo “pardje”! Por në janar të këtij viti.

Por, rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane duket të jetë e shtruar me një numër të madh pengesash, të cilat duhen tejkaluar një e nga një për ta arritur cakun.

Sapo mendojmë se një pengesë është larguar, papritur për ne (mbase pritshëm për politikanët) del sfida tjetër me të cilën duhet të përballemi!

Pas liberalizimit të vizave që ishte e sigurt që do të ndodhte në janar të vitit 2024, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

Por, ndonëse u shpresua shumë që në maj, Kosova të jetë në agjendë për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, aplikimi i shtetit tonë nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.

Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner.

Këtij konfirmimi i paraprinë qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë se vendimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, përfshirë edhe hapat drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova në vazhdimësi është përballur me kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, por që ky do të ishte kusht për anëtarësimin e saj në KiE nuk pritej.

Tani ndodhemi në një situatë komplekse politike dhe diplomatike. Mes kërkesave për integrim dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Kosova vazhdon të “penalizohet”  nga procesi i bisedimeve dhe dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Është mjaft shqetësuese se si, përveç sjelljeve destruktive dhe retorikës kërcënuese të Serbisë, Kosovës i duhet të përballet edhe me indiferencën e faktorit ndërkombëtar!

Në procesin dialogues, themelimi i asociacionit është krye-temë. Pra, në vend se të diskutohet për dëmet njerëzore e materiale që ia ka shkaktuar Serbia, Kosovës gjatë luftës, duhet të bisedohet për një çështje si asociacioni, që e vë në pikëpyetje sovranitetin e vendit.

Është e lehtë të thuhet se asociacioni është vetëm “një hap drejt pajtimit dhe normalizimit të raporteve midis komuniteteve në Kosovë”. Por, s’mund të injorohet aq lehtë rreziku për cenimin e integritetit territorial dhe sovranitetit!

Pra, me të drejtë qytetarët e Kosovës mund të ndjejnë se po përballen me disa padrejtësi në lidhje me proceset e integrimit evropian.

Sigurisht se sot në festimin e Ditës së Evropës, qytetarët e Kosovës, mund ta shikojnë Bashkimin Evropian si një model të dëshirueshëm për integrim, për prosperitet e harmoni.

Por, fatkeqësisht, dëshirën e shoqëron frustrimi për padrejtësitë e vazhdueshme dhe çështjet e papërfunduara të integrimit të tyre.

Nisur nga kjo, qëndrimet e qeverisë aktuale dhe përfaqësuesve të Kosovës në dialog duhet të arsyetohen.

Se, fundja po ta dëshironte aq shumë pushtetin, kjo qeveri do ta nënshkruante asociacionin dhe marrëveshjet e dëmshme qysh në fillim të mandatit, apo jo!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat