Asgjë kundër Perëndimit, por gjithë ditën kundër mashtrimit për Kosovën!

Opinione

Asgjë kundër Perëndimit, por gjithë ditën kundër mashtrimit për Kosovën!

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 13 maj 2024 Në ora: 10:03
Foto ilustrim

Para tri viteve presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentes së sapo zgjedhur të Kosovës, zonjës Osmani, i thoshte asaj se SHBA-të kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare, në të cilën njohja e Kosovës nga ana e Serbisë të ishte në themelin e saj. Këtë kërkesë zoti Biden ia bëri asokohe edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të dy presidentëve u kërkoi marrëveshje sa më të shpejtë me bazë njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Presidenti amerikan kërkoi gjithashtu kompromisin e të dy palëve. Dhe gjithkush beson edhe sot se “kompromisi” për Kosovën do të thoshte krijimi i Asociacionit, bazuar në Kushtetutën e vendit, siç e ka përsërit vazhdimisht ambasadori amerikan në Prishtinë, Hovenier.

Por çfarë ndodhi më pas? Gradualisht diplomatët amerikanë filluan ta heqin nga diskursi i tyre njohjen de jure të shtetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Madje ata, përveç ambasadorit amerikan në Kosovë në fillim, nuk e përmendën më njohjen. Mesa duket udhëheqësit serbë të Beogradit e kundërshtuan fort kërkesën e presidentit Biden për njohjen e Kosovës. Lobuan gjithashtu me të gjithë fuqinë diplomatike e financiare që të hiqej nga fjalori diplomatik, së paku “njohja de jure”! Dhe ia arritën kësaj.

Kërkesa e presidentit Biden u mor nga Kosova si premtim amerikan për njohjen e pavarësisë së saj. Ndërkaq ndodhi e kundërta. Ishin pikërisht emisarët e Biden, Palmer dhe Escobar që fillimisht hoqën dorë nga “njohja de jure” e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe në fund hoqën dorë edhe nga kërkesa e Marrëveshjes së Brukselit për “njohjen de facto” të këtij shteti. Escobar fillimisht foli si guvernator i Kosovës, kur tha se “Nëse Asociacionin nuk e formon Kurti, atëherë do ta formojmë ne”! Por nuk i tha presidentit të Serbisë, se “Nëse ju nuk e njihni de facto Kosovën  sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, atëherë do ta bëjmë ne për ty”!

Borrell, Lajçak dhe Escobar i serviren Kurtit dhe Vuçiq-it marrëveshjen dhe aneksin e lartpërmendur në shkurt-mars 2023, por Vuçiq u tha se “Nuk firmos, sepse kam dorën e djathtë së sëmurë dhe kjo dorë nuk shërohet së paku edhe për katër vjet”! Kurti kërkoi në moment të firmosej marrëveshja, si dhe aneksi. Në këto dokumente thuhet se “Nuk mund të përdoret asnjë pengesë për zbatim, duke spekuluar me kushtëzime, ti zbato këtë, pastaj unë po zbatoj këtë pikën tjetër të marrëveshjes”! Gjithçka u sanksionua në pajtim me të dy palët.

Megjithatë, dy vendet që morën autorësinë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përkatësisht Gjermania dhe Franca, plus Italia, kanë kushtëzuar tani pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Pra kanë shkelur mbi atë marrëveshje dhe aneksin e saj, të cilat i kanë formuluar vetë dhe i kanë ofruar për zbatim të detyrueshëm për të dy palët. Më e keqja është se në qershor 2023 të dy ato dokumente janë njohur si të detyrueshme për t’u zbatuar nga ana e kryetarëve të shteteve dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Atëherë u tha se me këtë vendim të KE-së, marrëveshja dhe aneksi janë të detyrueshëm njësoj për Serbinë dhe për Kosovën.

Bazuar në këto parime dhe dokumente Albin Kurti u zotua për formimin e Asociacionit, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin i Ohrit, duke i zbatuar në mënyrë integrale. Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Anna Brnabiq, i dërgoi letër para gjashtë muajsh këtij Këshilli Europian, në të cilën thotë se “Serbia nuk do të pranojë dhe lejojë që Kosova të pranohet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”! Në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit thuhet se Serbia duhet ta respektojë integritetin territorial të Kosovës. Por presidenti serb, serbo-rusi Aleksandër Vulin, e të tjerë, organizuan aktin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023. Pra dëshmuan se “do të luftojnë me metoda dhe banda terroriste kundër integritetit territorial të Kosovës”!

Tani janë amerikanët dhe evropianët ata që duan ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse kanë premtuar me shkrim, me letra dhe me marrëveshje të hartuara prej tyre pranimin e saj në këtë organizatë si dhe në OKB! Kujt duhet t’i besojmë? Pse duhet të besojmë? Kush duhet të besojë? Joe Biden premtoi! Borrell e Lajçak premtuan! Scholz dhe Macron për një vit radhazi kërkuan zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit në fjalë! Tani thonë “ndajeni Kosovën dhe jepjani pasuritë e saj Serbisë”! Presidenti i Amerikës dhe ai i Francës, si dhe kancelari i Gjermanisë na gënjejnë dhe pro-serbët shqiptarë na thonë “Besoni te Amerika dhe Evropa”! Edhe pse Biden, Macron e Scolz nuk mbajnë premtimet që marrin! Asgjë kundër Amerikës dhe Evropës! Por gjithë ditën kundër rrenave dhe mos mbajtjes së fjalës që ato vetë e japin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat