Talljet me viktimat e komunizmit nuk kanë të ndalur

Opinione

Talljet me viktimat e komunizmit nuk kanë të ndalur

Nga: Frank Shkreli Më: 23 qershor 2016 Në ora: 19:28
Frank Shkreli

Fondacioni Konrad Adenauer, zyra në Shqipëri dhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë organizuan të mërkurën tryezën e rrrumbullakët, “In Memoriam - Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”. Sipas Fondacionit Adenauer, qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi dhe sjellja në vëmendje të vendim-marrësve shqiptarë dhe palëve të interesuara mbi domosdoshmërinë e ndërtimit të një Memoriali Kombëtar për viktimat e komunizmit në Shqipëri. Sipas një njoftimi të fondacionit gjerman, në këtë takim morën pjesë aktorë të ndryshëm, të cilët diskutuan mbi nevojën e ndërtimit të këtij memoriali, formës dhe simbolikës.

Në atë takim morën pjesë Avokati i Popullit, Igli Totozani, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqsues të qeverisë, Drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola dhe përfaqsues të organizatatve të tjera të të përndjekurve politikë.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Tiranë, Ilirian Agolli në raportin e tij, “Diktatura, të burgosurit, persekutorët dhe memoriali”, raportoi se pjesëmarrsit në këtë tryezë, “Kërkuan më shumë vëmendje dhe kujdes për rehabilitimin e gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, trajtimi i të cilëve ende nuk është kryer prej 25 vjetësh”.

Ndërsa, në fjalën e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani theksoi vonesat çerek shekullore në rehabilitimin e viktimave të komunizmit dhe foli për çështjet ende të pazgjidhura të të ish përndjekurve politikë, duke theksuar se në Shqipëri, “Kultura demokratike po ndeshet vazhdimisht me kulturën komuniste të zvarritjeve për të nderuar viktimat e komunizmit, zvarritjeve me lustracionin e nëpunësve të diktaturës dhe mos-hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit.”

Bazuar në fjalimin e tij të shpërndarë për media, Avokati i Popullit, Igli Totozani ishte siç duket më realisti ndër folësit kryesorë të tryezës së rrumbullakët. Ai u tha pjesëmarrësve se arsyeja për mos vullnetin dhe mos dëshirën e politikës shqiptare për tu ballafaquar me të kaluarën dhe me viktimat e regjimit komunist, është se, “Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture. Është kultura e vjetër që e pengon” pohoi Igli Totozani.

Në reportazhin e tij mbi punimet e takimit, korrespondenti i VOA-s shqip, Ilirian Agolli përmendi ndër folësit e tjerë në tryezën e rrumbullakët, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajn, i cili sipas VOA-s, u angazhua se enti që ai drejton do të bashkfinancojë ngritjen e një Memoriali Kombëtar për viktimat e regjimit komunist, ndërsa drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola, u citua të ketë thënë se, “Memoriali i kujtesës për viktimat e komunizmit do t'i ndihmojë të gjithë të reflektojnë për atë fatkeqësi”. Në raportin e VOA-s theksohet se ndonëse “Shqipëria dhe Parlamenti Europian kanë miratuar disa rezoluta për zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste ndaj popullit shqiptar, si dhe për të shtuar kujdesin ndaj ish të dënuarve politikë, për të ri-integruar dhe rehabilituar ata në shoqëri, edhe sot, pas 25 vjetësh, shumë prej tyre jetojnë në të njëjtat zona internimi, ku i hodhi diktatura, dhe vuajnë ende probleme të rënda shëndetësore, ekonomike dhe mbijetojnë në varfëri. Ndërkaq persekutorët e tyre gjatë diktaturës arrijnë të depërtojnë në administratën shtetërore të demokracisë, dhe ligj për lustracionin nuk ka”, përfundon reportazhin e tij korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli.

Kur pyeta një pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët se me çfarë përshtypjesh u largua nga takimi i djeshëm, ai u përgjigj duke përdorur një thënje popullore, “për çfarë dëgjova i lumi unë, e për çfarë pashë, i mjeri unë”. Një pjesëmarrës tjetër, gjithashtu i dëshpëruar nga tryeza e rrumbullakët, u shpreh se ish të përndjekurit u larguan së andejmi me mesazhin se, “Ne ju vramë, ne u japim dëmshpërblimin dhe ne, madje u ndërtojmë edhe memorialin, por lustracion nuk ka”.

Po ish-të persekutuarit e Shqipërisë, kush janë dhe çfarë duan? Ata, siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në fjalën e tij përmbyllëse në tryezën e rrumbullakët, “Kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë qytetari dhe bashkëjetesë paqtuese për shoqërinë tonë. Megjithë kalvarin e vuajtjeve të shkuara, ata në asnjë moment nuk kanë kërkuar hakmarrje, por vetëm drejtësi. Me anë të këtyre zhvillimeve, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnetin t’u japim drejtësinë e merituar dhe kemi detyrimin e bartur të një shoqërie që kërkon ndjesë ndaj ndëshkimeve degraduese, të kryera dhunshëm në emër të saj”.

Bazuar në histori, ashtu si edhe gjatë 25-viteve të kaluara, fatkeqsisht as nga kjo tryezë nuk pritet të dalë gjë pozitive për viktimat e ish-regjimit komunist, megjith premtimet e zyrtave shqiptarë në atë takim. Por megjithëkëtë, duhet falënderuar Fondacioni Konrad Adenauer për sponsorizimin e kësaj tryeze, ambasada e Gjermanisë dhe ish ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman, që çështjen e viktimave të komunizmit në Shqipëri, të drejtat e tyre dhe nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste, e kanë përvetësuar si një çështje morale personale. Fatkeqsisht, kam drojë se megjithë vullnetin e mirë, dëshirën dhe angazhimin e tyre të madh për të sjellur Shqipërinë në shekullin 21, nuk besoj se janë të vetdijshëm se me kë kanë të bëjnë.

Zhgënjim pas zhgënjimi! Prandaj është vështirë të ketë njeri që tu besojë më qeveritarve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, megjith premtimet e tyre boshe para ndërkombëtarve si dhe deklaratave të tyre në tryezat e rrumbullakta si kjo që u mbajt në Tiranë të mërkurën, e sponsorizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer. Fjalët e mira e gurët në strajcë, thotë populli. Klasa politike shqiptare ka vazhduar, për 25 vjetë tashti, ta paraqesë dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit, duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për tu përballur me të kaluarën. Ndoshta shembulli më i fundit i kësaj hipokrizie është se në fillim të vitit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë pat miratuar ligjin për dosjet dhe mandatohej që një muaj pas aprovimit, parlamenti duhej të emëronte dhe të votonte komisionin prej 5-anëtarësh për tu marrë me këtë çështje.

Ja, më shumë se një vit më vonë nuk është caktuar komisioni as nuk është vendosur asgjë në këtë drejtim.

Tashti jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të radhës, shprehur nga përfaqsues të ndryshëm të Tiranës zyrtare, se më në fund po angazhohen seriozisht për tu marrë me fatin e të përsekutuarve të regjimit komunist dhe në një mënyrë ose një tjerë për të kujtuar viktimat. Andej nga vi unë, themi se “Nuk kam gajle se po më rren, por më vjen keq se kujton se ia besoj rrenat.” Në mungesë të provave konkrete dhe veprave serioze se qeveria shqiptare nuk po tregon “nder dhe respekt ndaj kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, askush më nuk beson premtimet tuaja, e sidomos të përndjekurit e zhgënjyer herë pas here.

Ndonëse këto premtime bëhen tani nga një brez i ri politikanësh siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk besoj të ketë ndryshuar gjë në këtë mes, pasi është kultura e vjetër që ju pengon, siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në tryezën e rrumbullakët të mërkurën. Prandaj, sa më parë që kultura e vjetër komuniste dhe përfaqsuesit e saj -- që gjatë 25 viteve post-komunizëm kanë depërtuar duke i zënë frymën administratës qeveritare dhe shtetërore -- të hidhen në koshin e plehrave të historisë, aq më mirë për ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist si dhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat