Pleqëria e Kosovës

Opinione

Pleqëria e Kosovës

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 27 shtator 2016 Në ora: 07:08
Mr. sci. Sylejman Salihu

Sapo lexova këtë shkrim në gazetë,mendova pleqërinë e Kosovës.Në fakt jo të Kosovës si njësi gjeografike, se ajo e moçme është sa vetë bota,por mendova në popullsinë e saj,që aktualisht jeton në Kosovë.Ky titull,më trembi,më vuri në siklet,më vuri të mendoj:Kosova ,vendi më jetëdhënës,me popullsi më të re në Evropë,dikur kampione me moshën më të re në botë,sot qenka mbushur me rrudha në fytyrë dhe filluaka ta njihka pleqërinë!

Mbi supet e saj rënduaka kërrusja,rënduaka pleqëria.Edhe mund të thuhet.Pse?Po,se kjo shihet gjithandej sot:në rrugë,në sheshe,në kafene,në ambulanca e spitale,e kudo tjetër.

Por për më keq, ajo po shihet sot në shkolla.Aty është dhembja më e madhe,mbase edhe gjëma më e madhe,se edhe shkollat pra,e ndjekan këtë,madje bankat paskan mbetur të vetmuara siç thuhet te ne shpesh „paskan mbetur thatë“.Kështu shfaqet përpara shkollës një mësues i dëshpëruar,që nuk di se ç’të bëj:të hyjë a të mos hyjë brenda.

Dhe sikur dilema e tij është zgjidhur lehtë, aq sa ka vendosur të rrijë jashtë,se brenda s’ka pse të hyjë.Thënë shkurt e shqip:nxënësit mungojnë dhe shkolla pa nxënës ngjanë me një trishtim,ngjan me një vdekje.Pse?Se aty më nuk ka frymë njeriu, dhe nëse aty nuk frymon askush,atëherë vdekja ka hyrë tashmë brenda mureve të saj.Doemos që mund të thuhet se edhe ne jemi pjesë e politikave demografike,që zhvillohen gjithandej sot në botën globale,mbase edhe pa dëshirën tonë.

Por Kosova mund ta tejkalonte më lehtë këtë gjendje.Rinia jonë sot është me halle shumë.Nëse arrijnë të martohen dhe edhe të kenë fëmijë,ata kapin kokën e tyre në duar dhe nën sqetull edhe kalamajtë e tyre dhe pa pusullë hiç,ikin dikund në vendet e Evropës perëndimore,aty ku mendojnë se do të gjejnë jetë për vete dhe për fëmijët e tyre.Ç'mund t'u ofrojë Kosova atyre,veç mospunës?

E nga mospuna nuk u jetuaka!Prandaj ky faktor ,pra faktori ekonomik,shkakton nxitje dhe i vë në lëvizje ikjet e të rinjëve të Kosovës,të cilët pastaj furnizojnë Evropën plakë,siç e kemi quajtur dikur e deri sot dhe siç po bëhemi edhe vetë pjesë e saj,jo me liberalizime vizash,por në një formë tjetër,sigurisht më dramatike dhe më të dhimbshme.Deri dje na mungonin shkollat,madje punonim edhe me katër ndërresa,kurse ja tash përnjëherë shkollat mbyllen për të shërbyer ndoshta magazina për biznesmenët e vyer,të cilëve u ka ecur mirë zanati.

Dhe përse mbyllen:sepse nuk ka nxënës.Dhe sa?Jo një,jo dy,jo tri por pesë pritet të bëhen në një të vetmen komunë.Dhe kjo në një komunë të vogël.A s'është ky një alarm?Por edhe mund të jetë një arsye tjetër pse shkollat mbyllen diku:mbase për shkakun e politikave të padrejta dhe të pastudiuara mirë në momentin e ndërtimit të tyre.Kujtojmë se edhe tenderomania ka diktuar ndërtimin e tyre ashtu kot,vend e pa vend ,vetëm që dikush të përfitojë.

E kush mund të përfitonte?Ndonjë ministër a ndonjë deputet.Janë harxhuar para,gjoja për ndërtimin e shkollave nëpër vende,të cilat nuk kanë frekuentim popullsie dhe për pasojë më vonë as frekuentim nxënësish dhe shkollarësh.

E në anën tjetër në Kosovë ka plot shkolla të cilat punojnë në kushte të mjerueshme,siç është shkolla më e madhe në Ballkan „Gjon Serreqi“në Ferizaj,e cila mu në zemër të qytetit të Ferizajt,ende nuk ka marrë as edhe një premtim,të paktën,se do të ketë një objekt të ri për të,që kështu t’ua lehtësojnë punën dhe kushtet e punëve nxënësve dhe gjithë personelit arsimor të kësaj shkolle.Pra absurdi i mbylljes së shkollave për shkak të nxënësve tregon se diçka nuk ka ecur mirë në MASHT.

Apo ka ecur mirë për ata të MASHT-it,por ka ecur keq,madje tepër keq, për popullin,që është taksapaguesi i MASHT-it.Dhe ec e bjeri në fije tash:po mbyllen shkollat se Kosova nuk ka rini,domethënë po plaket,apo po mbyllen shkollat se MASHT-i është plakur,dhe për pasojë të pleqërisë ka rrjedhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat