Dashuria është më e vetmuar se ne!

Opinione

Dashuria është më e vetmuar se ne!

Nga: Kimete Berisha Më: 12 nëntor 2016 Në ora: 14:13
Kimete Berisha

Disa u kthyen në hotel vonë, në orën 5 të mëngjesit. Ata qeshnin si të çmendur nga dalldia, dhe lumturia e tyre e madhe ma prishi gjumin dhe ëndrrën e bukur.

E mora telefonin, për të lexuar lajme.
Ah, Leonard Cohen!

Poeti që e zbukuroi dashurinë me fjalë, me vargje e me mallëngjim,
Që iu afrua dashurisë me shpirt, por nuk pati guxim t'i afrohet me trup,

Që jetoi për dashuri, por nuk pati guxim të jetojë me dashuri.

Nuk guxoi të martohej kurrë. 
Tha, nga frika e madhe dhe nga pasiguria nuk u martua kurrë me dashurinë.

Njeriu martohet me njeri, por jo me dashuri. 
Dashuria është e lirë, nuk ka kulm, nuk ka shtëpi.

Leonard e la të lirë dashurinë, sepse kish frikë se dashuria vdes nëse ia vë emrin e një gruaje.

Dashuria e tij kishte disa emra grash!

Kur e dashura e tij e vjetër Marianne, në korrikun e këtij viti, ishte në shtrat të vdekjes, poeti ia shkroi një poezi lamtumirëse, dhe i tha: 
trupat tanë janë plakur, duhet të shkojmë nga këtu...
i tregoi se gjjthmonë e ka dashur, dhe i dëshiroi udhëtim të lehtë...
I tha, se së shpejti do ta ndjek pas...

E dërgoi shokun e tij t'ia lexoj Mariannes poezinë, dhe pasi i dëgjoi fjalët e fundit të poetit, Mariana vdiq e qetë...

Shpirti që më shumë se sa të bashkohet me dashurinë në vdekje, u frikësua të bashkohet me dashurinë në jetë!

Njerëzit janë të vetmuar sepse i frikësohen dashurisë! 
I këndojnë dashurisë, për ta mbajtur gjallë në shpirt, 
Duan ta mbajnë larg me trup, që ta ruajnë nga shëmtia, nga xhelozia, nga gara e dashurisë me dashuri!

Nuk ka frikë më misterioze sesa frika nga dashuria!

Njerëzit e lumtur nuk i këndojnë dashurisë, 
Sepse, kujtojnë se e kanë gjetur atë dhe e kanë çu si thesin me sheqer, në shpi!

Më lehtë është me vdek vet i dyti, sesa me jetu vet i dyti.
Kështu mendojnë njerëzit e vetmuar, ata që janë të dashuruar në dashuri, e jo në njeri!

Sepse, vetëm dashuria e bën njeriun të përsosur, por njeri të përsosur nuk ka.

Që do të thotë se dashuria është më e vetmuar se ne!

Dashuria e lyp njeriun, për ta bërë më të mirë!
Njeriu e lyp dashurinë për t'ia ndryshuar emrin dhe ashtin dashurisë!

Njeriu s'pranon të jetë i pushtuar nga dashuria, dhe s'pranon të bëhet i përsosur si ajo,

E dashuria s'pranon të bëhet e vrazdhdtë, si njeri.

P.S. Tiranë, 11.11.2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat