Viti 2017, shumë ëndrra do t’i bëjë realitet

Opinione

Viti 2017, shumë ëndrra do t’i bëjë realitet

Nga: Dedë Preqi Më: 3 janar 2017 Në ora: 07:20
Dedë Preqi

Rruga të cilën e ka përpara shteti i Kosovës, është e pandalshme, por assesi një rrugë pa pengesa. Do të ishte gabim të mendojmë se nuk na nevojitet një angazhim dhe përkujdesje e vazhdueshme për t’a ndërtuar dhe zhvilluar Kosovën, por të marrim në konsideratë se, populli i cili ka qenë në një presion të rëndë dhe të vazhdueshëm nga luftërat dhe shtypjet, për aq kohë të gjatë sa ka qenë Kosova dhe populli i saj, është e natyrshme të mendohet se edhe pas lirimit të tij, ka pengesa dhe prigje të ndryshme, përderisa ekzistojnë akoma njerëz të natyrës primitive, të cilët kanë apetite për luftëra dhe mendojnë ta shfrytëzojnë lirinë e tjerëve nën ndikimin e dhunës.

Populli i Kosovës, ka mundësi që sot të drejtohet në kahje të duhur dhe nga e vërteta e rëndomtë, dhe të përpiqet ti kthejë gjërat në binarët e vet, sepse pasojat do të ishin më të mëdha, nëse të kaluarën e merr si primare që ta shpiejnë drejtë ardhmërisë. Zemërimi i popullatës mund të shkaktohet nga një numër gjërash të paligjshme dhe të neveritshme me të cilat ai, nuk është i kënaqur dhe me të drejtë nuk mund të pajtohet me njerëzit e vet në pushtet, të cilët kanë hyrë në pushtet jo rastësisht, duke e zhgënjyer shtetin dhe popullin e vet me punën e tyre të palakmueshme.

Do ta quanim mjerim për vendin tonë, nëse sot nuk i shohim gjërat me qëllim të mirë dhe synimin për të ardhmen me moton frymëzuese dhe udhëzuese në përpjekjet e secilit për krijimin e kushteve normale, duke bërë edhe shumë ndryshime thelbësore për një jetë më të mirë dhe më të begatshme, dhe popullata e këtij vendi ti gëzojë të drejtat e veta që i takojnë. Të mendohet dhe të akceptohet e ardhmja e gjeneratave të reja, si përgjegjësi e çdo shoqërie demokratike, poashtu edhe kosovare, që tu afrojë kushte normale të ardhmes së këtij brezi, që mos të lakmojnë kampet perëndimore dhe të tjera, duke ëndërruar të ardhmen e tyre për një jetë më të mirë.

Kosovën e presin shumë sfida në të ardhmen, prandaj, cekët viti 2017-të, i cili duhet të jetë një vit i sukseseve tona, që nga gjitha përpjekjet dhe jo përpjekjet e deritanishme t’i kthejmë në fryte të shëndosha dhe në realitet, çka bujarisht i kemi menduar dhe ëndërruar ndonjëherë për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo natyrë e kësaj sakrifice duhet të shfaqet në kuptimësi me botën normale dhe për njerëzit e lirë të këtij vendi, të cilët i përjetuan tmerret më të çmendura njerëzore nga robëria otomane-turke dhe kjo e fundit serbo-sllave fashiste.

Ndërsa, ajo që na preokupon sot, është pjesa e dhembshme e proceseve dhe zhvillimeve demokratike, që lidhen me  ndërtimin dhe sendërtimin e Kosovës së pasluftës, ku barrën kryesore duhet ta bartin qeveritë në pushtet, të cilët çaluan shumë herë dhe verbërisht po rrëshqasin edhe sot nëpër binarët e tyre, duke menduar se e morën pushtetin, u takon edhe shteti. Pas shumë eksperiencash dhe observimesh të politikave jo të mirëfillta, shoqëria kosovare tani më, i ka kuptuar simptomat dhe sëmundjet që e kanë kapluar shoqërinë tonë, prandaj secili prej nesh mund të kontribuojë ndryshe të ardhmes më të mirë, duke i premtuar vetës se do të qëndrojë besnik dhe në mënyrë të denjë në shërbim të popullit dhe atdheut.

Viti 2017-të, shumë ëndrra të Kosovës do ti bëjë realitet, duke e kuptuar se kosovarët janë njerëz të vyer dhe të vendosur, kanë njerëz intelektual dhe punëtorë, të cilët e kanë besimin në forcat e veta pozitive dhe të ndershme, dhe përmes këtij imazhi do të arrijnë synimet e tyre për një Kosovë të zhvilluar dhe të qëndrueshme, duke garantuar një të ardhme më të mirë për popullin dhe shtetin e tyre. Nëse do të flasim për të metat dhe njerëzit e të metave në pushtet, do të humbim kohë, por nuk duhet t’i duartrokisim për shëmtinë dhe artin e qeverisjes së tyre.

Si do që të jetë, në këtë vit do të bëhen shumë ndryshime dhe realizime, me të cilat populli i Kosovës dhe shteti i saj, do të përmbushë disa obligime të rëndësishme. Shpeshherë njerëzit trillojnë ëndrra dëfryese për të ardhmen, mirëpo për popullin e Kosovës, nuk do të janë vetëm ëndrra, por një realitet, të cilin e meriton me plot bindje, por jo edhe në pajtueshmëri të plotë me aktgjykimet e akterëve të lirisë së vet.

Nën një, ky vit do të sjellë në rend të parë për kosovarët Gjykatën Speciale, e cila deshëm e nuk deshtëm, kjo do të veprojë në rrethana të veta, që populli kosovar ndoshta shumë pak ka dijeni për punën e saj.

Nën dy, ky vit do të sjellë Liberalizimin e vizave, të cilën ëndërr ia ka mohuar Evropa pa të drejtë, e cila rrugë nuk duhet të ndërlidhët me çështjen e vijave kufitare dhe demarkacionin me Malin e Zi, por duhet të ndërlidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovar, sikur që u takon edhe qytetarëve tjerë të rajonit.

Nën tre, do të zgjidhet shumë shpejtë çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, sepse janë hargjuar receptet dhe favoret e atyre, që menduan të gjuajnë gurin dhe të fshehin dorën.

Nën katër, Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të funksionojë në kushte normale dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të zhvillohet në dy pjesët e qytetit dhe muri i ndërtuar, si simbol i ndarjes, do të rrënohet.

Nën pesë, deri në stinën e vjeshtës, në mbarë Kosovën do të ndodhin Zgjedhje të reja qendrore dhe lokale, të cilat do ta përcaktojnë të ardhmen dhe fatin e këtij vendi, me shpresë se, të gjithë ata që abuzuan me vlerat dhe mbivlerat e Kosovës, do të pushojnë njëherë e përgjithmonë.

Nën gjashtë, Forcat e Sigurisë së Kosovës, do të marrin rrolin e Forcave të Armatës së Kosovës, i cili opsion do të jetë i patjetërsueshëm.

Dhe nën shtatë, do të realizohet Marrëveshja e Brukselit, që të formohet Asosacioni i Komunave me popullatë serbe në veri të Kosovës.

Dhe ky vit do të sjellë edhe shumë risi të tjera, që mund të rezultojnë me një përmbajtje të vrullshme, duke mos i ikur asaj që jeta shoqërore demokratike na detyron, përmes të cilave duhet ti kushtohet vëmendje çdo hapi që bëjmë, së paku për një kohë të duhur dhe shumë të nevojshme për Kosovën, duke menduar dhe besuar se jemi njerëz të vlerave dhe ato vlera dimë ti shfrytëzojmë në favor të popullit dhe shtetit me dinjitet dhe pa u lëkundur. Prandaj, qytetari i Kosovës, mjaftë është lodhur dhe topitur me fjalë , të cilat e shtyejnë të gjykojë fatin e vet, por që nuk mundin ta dorëzojnë dhe t’ia marrin vullnetin dhe vendosmërinë që ka për një Kosovë të zhvilluar dhe të admiruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat