Gëzuar festa mësues!

Opinione

Gëzuar festa mësues!

Bedri Tahiri Nga Bedri Tahiri Më 4 mars 2017 Në ora: 11:22
ABC - Mësonjëtorja (Shkolla e Parë Shqipe - 7 MARS 1887), Korçë

Edhe kur kryet na mbulojn? thinjat,

N? mendje do sjellim nj? emen nderues

Emen t? dashtun porsi f?mijnia,

Emnin e thjesht?, por t? madh-M?SUES! (Llazar Siliqi)

Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e  beteja, sakrificë e mbijetesë. Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Lirisht mund të thuhet  edhe ndryshe: Fati i popullit shqiptar është edhe fati i shkollës shqipe. Pushka dhe pena, denbabaden, bashkëjetuan të pandara, si vëllezërit siamezë. Njëra pa tjetrën as që mund të mendonin gjallimin e tyre nëpër kapërcyellit historike.

Shkolla shqipe bëri rrugë shumë të mundimshme, duke ecur nëpër ferra e gjemba të gjakosur. Që kur nisi çapin e parë, në Korçën e lulëzuar, këtu e njëqind e njëzet e një  vjet më parë, pra më 7 mars 1887, mësuesit e saj u shndërruan në lulëkuqe lirie. Mësonjëtorja e Korçës, përkundër pushtuesit dhe klerit antikombëtar, veproi plot pesëmbëdhjetë vjet, duke mbëltuar suksesshëm farën e diturisë gjithandej trojeve shqiptare..

Dëshmorët e saj ëndërruan ditën e bardhë dhe synuan drejt shtigjeve të ardhmërisë. Nuk harrohen për jetë të jetëve Pandeli Sotiri, Gjokë Shqiptari, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, Fazli Greiçevci, Shaban Jashari…Ata, me gjakun e tyre të shtrenjtë, qëndisen abecenë tonë lavdiplote.

Dhe, që nga viti 1960, 7 Marsi është shpallur Dita e Mësuesit dhe festohet si data më e rëndësishme e historisë së shkollës shqipe.

Populli ynë i përvuajtur e kishte fare të qartë dhe e barti vath në vesh atë thënien profetike: Ku hapet një shkollë, mbyllet një burg! Ngjashëm me të krijoi edhe thënien e vet: Njeriu i pashkolluar është qorr me sy në ballë! Trimat tanë, në çdo periudhë kohore, krahas çlirimit të vendit, luftuan edhe për përparimin dhe mbrojtjen e shkollës shqipe. Hasan Prishtina e shkriu tërë pasurinë për dritën e diturisë në gjuhën amtare. Azem e Shotë Galica zunë shkrim- leximin nëpër male e nëpër flakë pushkësh…

Por, ajo, që më mirë së të tjerët, i doli zot  Kosovës dhe shkollës shqipe, duke kurorëzuar edhe gjithë aspiratat tona shekullore, qe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo ishte ushtri e popullit, e idealeve të larta dhe e moralit të pathyeshëm. Mbi supet e saj të brishta rëndoi edhe amaneti i brezave liridashës. Nga thellësia e nëndheut të robëruar u veguan fuqishëm zërat e Ahmet Delisë, Isë Boletinit, Idriz Seferit, Mic Sokolit, Bajram Currit, Azem e Shotë Galicës, Hasan Prishtinës, Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës, Tahir Mehës e shumë e shumë të tjerëve, sa që edhe malet u ngritën në këmbë dhe thirren fuqishëm: O sot, o kurrë!

Trimat u mblodhën tok, si një grusht i vetëm dhe shtrënguan fort armët e lirisë. Aksionet e tyre ilegale tmerruan satrapët  e Beogradit. Sërish fati nopran u shkarkua mbi shkollën shqipe. Gjaku i mësuesit Halit Geci shkëlqeu si fanar në furtuna. Para masës së pafund, në Llaushë të Drenicës, u shfaqen tri shqipe krahëlehta. Ato, hapur dhe shkoqur paralajmëruan agun e bardhë të lirisë dhe u zotuan në besë e në flamur që, sot e tutje, fatin e vendit të gjymtuar do ta merrte në dorë UÇK- ja.

Image

Male e fusha oshtinë deri në kupë të qiellit nga thirrjet ngazëlluese:

UÇK!

UÇK!

UÇK!

Ca, të hutuar e të zënë beftë, ende nuk po u besonin as syve as veshëve të vet.

Sakaq, lufta mori krahët e dragoit. Betejat e aksionet nuk kishin të sosur. Edhe shumë të vrarë e të plagosur. Gjaku i njomë ujiste tokën mëmë, e cila dita-ditës po kthehej në tokë të djegur.

 Ajo që vulosi fatin e Kosovës dhe bëri kthesa historike, duke ndërruar edhe rrjedhat e globit, ishte Epopeja heroike e Jasharëve të pavdekshëm , e cila u zhvillua më 5, 6 e 7 mars 1998. Komandant Adem Jashari, me gjithë familje e me Jasharët e tjerë, u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Ai u shndërrua në legjendë, u bë i pavdekshëm dhe si Prometheu shpërndau flakën e luftës në të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Pushkët e lirisë nuk pushuan për dy vjet rresht. Edhe shumë dëshmorë u radhitën në Altarin e pavdekësisë. Në mesin e tyre edhe 400 arsimtarë e mbi 1200 nxënës.

Heroizmi i pashoq i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat vetëflijuese të masës së gjerë popullore mahnitën botën e civilizuar. NATO- ja, në krye me Amerikën mike, mblodhi mendjen e fuqinë dhe u hodh veprim për ta ndalur barbarinë shfrenuese serbe. Aeroplanët e saj iu bënë krah luftëtarëve të lirisë.

Dhe, të koordinuara mirë e mirë, ata nëpër qiell, e këta nëpër tokë, më në fund, më 12 qershor 1999, ia dolën mbanë, dëbuan gjakatarin shekullor dhe çliruan Kosovën.

Sot, 7 Marsin: Ditën e Mësuesit dhe Ditën e Zjarreve të Lirisë, po e kremtojmë në liri. Ëndrra jonë shumëshekullore u bë realitet. Kat?r vite më parë, më 17 shkurt  2008, Nusja e Praruar, me emrin Pavarësi, hoqi vellon e bardhë dhe ndriu mbi tokën tonë të larë me gjak. Andaj, në këtë vigjilje të kremtimit të shtetit më të ri në gjithë globin, kemi të drejtë të përgëzojmë e të urojmë me gjith? zem?r:

Gëzuar festa mësues!

Gëzuar Pavarësia Kosovë!

Gëzuar pavdekësia, o Ju Dëshmorë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat