Rruga, pavarësia e Kosovës numër 11/a

Opinione

Rruga, pavarësia e Kosovës numër 11/a

Nga: Ymret Reshiti Më: 8 qershor 2017 Në ora: 11:21
Ymret Reshiti

Masakra e Reçakut ku forcat serbe vranë e masakruan mbi 45 civil shqiptar, ishte një paralajmërim serioz për botën se pas Bosnjës,  radha po i vinte Kosovës. Fuqitë botërore ndërkohë i vunë në lëvizje diplomacitë e tyre. Në shkurt të vitit 1999 organizuan Konferencën  e Rambujes dhe  në tryezë të bisedimeve i ulën palët ndërluftuese, UÇK ‘n dhe Serbinë. Bisedimet  dështuan ngase  Serbia nuk i pranoi kushtet  për paqe, të vëna nga bashkësia ndërkombëtare. Serbia  vazhdoi me  vrasje dhe  përndjekje të popullatës civile shqiptare.

Fuqitë botërore, kësaj radhe vendosën që të mos e tolerojnë Serbinë që të shkaktoj  edhe një tragjedi tjetër në Ballkan. Autorizuan  NATO ‘n  që të  sulmoj forcat  Serbe në tërë territorin e ish Jugosllavisë, për t’i detyruar që ta ndalin luftën. Për herë të parë bota demokratike dëgjoi  zërin e shqiptarëve të Kosovës  dhe iu  dha mbështetjen e mohuar prej shekujsh. Bota demokratike i doli në ndihmë, të drejtës si tij për çlirim nga  hegjemonizmi shekullor serb. Me fillimin e bombardimeve të NATO’ s mbi caqet e forcave serbe, lufta për Kosovën hyri në epilog. Çdo epilog lufte është dramatik dhe i paparashikueshëm.

Prandaj, edhe ky epilog lufte ishte fatal për popullatën e pambrojtur shqiptare. Egërsia e forcave  okupuese serbe  ishte në maksimum. Serbia  filloi ta realizonte planin e saj  famëkeq për Kosovën, të quajtur  “Patkoi”. Për të realizuar këtë planë, Serbia bëri luftën më të ndytë që ka njohur njerëzimi, duke cenuar çdo konventë ndërkombëtare  të luftës. Serbia filloi të aplikoj taktikat e  “tokës së djegur”.

Filloi fushatën e spastrimit etnik të Kosovës. Nisi përndjekjet e popullatës civile shqiptare në mënyrë të organizuar. Për një kohë të shkurtër Serbia arriti të vrasë, masakroj,  përdhunoj  mijëra  civil shqiptar. Qindra mijëra shtëpi dhe objekte i dogji  në mënyrë sistematike, një nga një. Tërë pasurinë e  luajtshme ua konfiskoi popullatës shqiptare para se t’i dëbonte nga vatrat e tyre. Mbi 1 milion  shqiptarë etnik i depërtoi jashtë Kosovës  nëpër shtetet fqinjë ndërsa mijëra civil të tjerë i zhduku dhe për fatin e tyre ende nuk dihet asgjë .

Bota po shihte tmerrin që po ndodhte para syve të saj. Po shihte eksodin biblik të deportimit të një populli nga trualli i tij. Kolona të pafundme  fëmijësh, gra e pleq, gjysmë të zhveshur e të zbathur,  në kushtet e motit të lig po kërkoni shpëtim nga vdekja e sigurt, që po i ndiqte këmba këmbës. Skena të tilla nuk kishte parë bota që nga  lufta e dytë botërore, ku  një popull po kërcënohej nga zhdukja fizike. Një gjenocid i planifikuar dhe i orkestruar  nga Serbia ndaj një popullate të pa mbrojtur, po ndodhte mu në mes të Evropës.

Në anën tjetër forcat e botës demokratike , të bashkuar rreth koalicionit NATO, po bënin betejën tyre të shekullit “ mbrojtjen e vlerave themelore të njerëzimi”, të cilat po i cenonte rënd Serbia. Po mbronin të drejtën elementare dhe të patjetërsueshme të njerëzimit, të drejtën për jetë . Për ditë të tëra  qytetarët e Kosovës  i kishin kthyer sytë nga qielli sikur nga andej do t’i pikte shpresa. Por simbolikisht ata kishin të drejtë, se shpresa për ta rrinte në qiell. Ishin  aeroplanët e NATO-s që hapëronin nëpër nën qiellin e Ballkanit të trazuar,  duke  bombarduar caqet e forcave  serbe për t’i larguar nga Kosova.

Ato  ditë, për aq sa ishin ditë shprese, për aq  ishin edhe ditë lemerie për popullsinë civile shqiptare. Pas 78 ditësh sa zgjatën bombardimet e NATO ‘s ndaj forcave të Serbisë, erdhi 10  qershori që në  kalendarin historik të shqiptarëve paraqet një datë simbolike. Kjo datë shënon ngjarjen më të rëndësishme që ndryshoi fatin e popullit shqiptarë të Kosovës. Me këtë datë  iu dha fund ankthit dhe tmerrit të popullatës së pafajshme shqiptarë të Kosovës. Këshilli i Sigurimit  të OKB ‘s  u mblodh me datën 10 qershor 1999 dhe nxori rezolutën 1244, e cila i dha fund luftës në Kosovë.

Kjo rezolutë solli paqen dhe lirinë për gjithë qytetarët e saj, pa dallime. Ky  dokument ndihmoi në rifillimin e jetës në Kosovë për më shumë se 2 milion banor. Mbi 1 milion shqiptarë të deportuar jashtë Kosovës, filluan të kthehen  dhe të fillojnë jetën  e tyre nga e para, duke u ndier tani më të sigurt. Forcat e KFOR ‘t  ishin garanci për sigurimin e paqes dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. Administrata civile ndërkombëtare filloi procesin e ndërtimit të një pushteti  autonom të Kosovës. Ndihmoi në formimin e  institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës,  të cilat u zgjedhën për herë të parë në mënyrë demokratike nga qytetarët e  Kosovës. Rezoluta 1244 paraqet dokumentin ma të rëndësishëm politiko juridik ndërkombëtar për statusin politik të Kosovës.Kosova mori statusin e vendit nën protektorat ndërkombëtar dhe  bëri një hap  për tu larguar nga  Serbia. Por rruga e Kosovës nuk  ndalej  aty. Aspirata e popullit shqiptarë të Kosovës nuk ishte vetëm autonomia substanciale. Kosova nuk dëshironte që fatin e saj ta lidhte prapë me Serbinë shoviniste. Kosova kërkonte rrugën e saj të merituar. Kërkonte mëvetësinë e saj të mohuar padrejtësisht  prej qindra vitesh. Por çuditërisht rruga e Kosovës për mëvetësinë e saj ekzistonte. Ajo  ishte e strukur diku aty në rezolutën 1244 dhe priste momentin që ta kërkonte dikush nga kosovarët.

As Serbia dhe as miqtë e saj nuk kishin mundur ta vërenin, as  atëherë kur u pajtuan me atë dokument.  Ishte neni i famshëm  11/a  i rezolutës, i cili sinjalizonte rrugën që Kosovën e  shpinte drejtë pavarësisë së saj.  Nuk gabojmë nëse këtë nenë do ta emërtonim “ Rruga, pavarësia e Kosovës numër 11/a.”  Neni 11/a  ishte më shumë se një numër dhe fjali e rëndomtë.  Ishte fjalë magjike që u përdor vetëm një herë në atë rezolutë,  por që ndryshoi fatin e dy milion qytetarëve  të  Kosovës. Nenet tjera të rezolutës  edhe mund të  shpinin në shumë  rrugë tjera, por jo edhe në rrugën për të cilën u sakrifikua me shekuj  populli shqiptar i Kosovës.

Neni 11/a ishte numër tepër simbolik për Kosovën dhe qytetarët e saj.  Ishte numër i shpresës, i ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen. Ishte numër i drejtësisë,  i ngadhënjimit të  lirisë mbi robërinë, i të mirës mbi të keqën. Ishte numër i civilizimit, ngadhënjimit të qytetarisë mbi barbarinë, i të ardhmes mbi të shkuarën. Me një fjalë, ishte numër fati që e bekoi perëndia, për një vend dhe një popull të shumëvuajtur. Ndryshe nga  fatet që i shkruajnë njerëzit njëri-tjetrit dhe që  janë të ndryshueshëm, fatin që ta shkruan perëndia është i pa ndryshueshëm. Nuk ka asnjë forcë njerëzore dhe mbinjerëzore që ta ndryshoj atë. Fatin e popullit tim qysh moti e ka shkruar perëndia.” Të jetë i lirë dhe sovranë në truallin e vetë për  deri sa të ekzistoj historia”, duan apo nuk duan armiqtë  e popullit tim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat