Populli votoi, politika të nxjerrë përgjegjësitë

Opinione

Populli votoi, politika të nxjerrë përgjegjësitë

Nga: Albert Z. Zholi Më: 28 qershor 2017 Në ora: 10:22
Albert Z. Zholi

Në Shqipëri, më 25 qershor u zhvilluan zgjedhjet parlamentare ndër më të rëndësishme në këto 27 vjet të ashtuquajtur demokraci. Ishin zgjedhje të qeta në përgjithësi, me qytetari, por dhe me disa risi. Së pari fushata tregoi se të gjitha fjalimet e krerëve të partive dhe pse ndonjëherë dolën jashtë kontekstit programor, deri në fyerje individuale, konverguan në një pikë: Ka ardhur koha që të thyhet pushteti individual dhe interesi kombëtar të dalë mbi atë partiak. PS doli me moton “Për Shqipërinë që duam”,  LSI me moton “Një shans për të gjithë”, PD “ Republika e Re”.

Si asnjëherë tjetër, për t'u bërë më i besueshëm para elektoratit, Rama shpalosi në fund të fushatës një anë tjetër të të bërit fushatë atë të ndërgjegjësimit kombëtar, që nuk ishte parë kurrë në ansjë parti në vitet e pluralizmit. Valëvitja e flamurit kuq e zi në vend të flamurit të PS, bëri që Rama në një pikë të përgjegjëseje çdo qytetar të shohë interesin e kombit mbi atë të vetin. Duket sikur politikanët tashmë të përballur me formësimin e qytetarit shqiptar në dhënien e votës, kanë parasysh triptikun e lashtë grek se: 1-Qeveritë qeverisin me ligje, 2-qeverisin njerëz, 3-qeveritë janë të përkohshme. Zhvillimet e fundit në Azi dhe Afrikë kanë treguar që popujt që kanë jetuar dhe në diktaturat më të egra vjen një moment dhe reagojnë. Ata flakin tej ankthin, trysninë, frikën, dhe dalin në beteja për të fituar lirinë.

Ngjarjet në Irak, Iran, Egjypt, Tunizi dhe së fundi në Siri, tregojnë qartë se popujt ndërgjegjësohen, për të drejtat dhe liritë e tyre dhe pse me vonesë. Koha gjithmonë do të perceptojë ngjarje, ide dhe njerëz, të cilët do të inkurajojnë civilizimin dhe demokracinë dhe pse jetojnë në vende të tilla të sipërpërmendura. Për mënyrën e fitimit të demokracisë, për mënyrën se si njeriu formaton lumturinë, për mënyrën se si një popull përcjell votën dhe mendimin e tij në qeverisje, filozofë të ndryshëm kanë ide të ndryshme, por që konvertojnë në një pikë-demokracia endet kudo, varet kur e përqafon. P.sh, filozofët e mëdhenj anglezë Xheremi Bentam e Xhon Stjuart Mill treguan një interes tepër të madh, filozofik, për problemet e shoqërisë njerëzore qysh në shekujt e XVIII e XIX. Ishin vitet kur demokracia në shumë shtete të Europës nuk ishte konsoliduar. Parimi i lumturisë së njerëzve çoi në mënyrë të pashmangshme të gjithë utilitaristët në analizën, se si duhet të lidhet individi me qeveritë. Bentami tregohej mjaft i vendosur në besimin e tij se demokracia përbënte kurën më të mirë për të këqijat shoqërore, përderisa në të ,interesat e sundimtarëve dhe të të sunduarve janë të njëjta. Të paktën teorikisht, sundimtarët janë vetë të sunduarit. Por, Milli nuk kishte të njëjtin besim për demokracinë. Ndonëse binte dakord se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes, ai shkroi, në esenë e tij “Për Lirinë”, rreth disa rreziqeve që pashmangërisht trashëgohen nga forma demokratike e qeverisjes. Paralajmëronte se vullneti i popullit: si vullnet i shumicës bën plotësisht të mundur që shumica të shtypë pakicën. Përveç kësaj, në demokraci ekziston “tirania e opinioneve”. Opinionet në një vend demokratik janë aq të shumta sa nuk din se kujt ti besosh. Madje brenda të njëjtës ngjarje janë aq të shumta opinionet, sa shpeshherë i largohen së vërtetës dhe besueshmërisë. Diçka po aq e rrezikshme sa dhe shtypja.

Edhe në demokraci, është e nevojshme të vendosen roje kundra forcave që duan t’ju mohojnë njerëzve lirinë e tyre dhe vetëzhvillimin e plotë. Me pak fjalë, Milli duke përkrahur dëshirën e Bentamit për reforma, paraqitej veçanërisht i interesuar që të ruante lirinë duke vendosur kufizime të domosdoshme në veprimet e qeverisë. Një nga parimet më kryesore të Millit është që fuqia e ushtruar tek shtetasit, të bëjë të mundur parandalimin e dëmit që mund të shkaktohet prej një individi të veçantë ndaj të tjerëve. Sigurisht, këtu gjejnë fushëveprim ligjet. Por asnjë qeveri nuk duhet të ndërhyjë mbi subjektet e veta kur: 1- Veprimet mund të kryhen më mirë prej personave privatë. 2- Megjithëse qeveria mund t’i kryejë më mirë veprimet se sa individët privatë, është e dëshirueshme që individët ta bëjnë atë për zhvillimin e tyre. 3- Ka rrezik të ushtrohet fuqi tepër e panevojshme nga qeveria. Por magjia e vërtetë e Millit qëndron pikërisht këtu: Të lejohet çdo individ të ndjekë lumturinë sipas mënyrës së tij. Në fushën e ideve secili të shprehë mendimin e besimin e tij ngaqë e vërteta zbulohet më shpejt në dëm të falsitetit.

Përveç kësaj, vetëm në liri, demokraci, zbulohen dhe zhvillohen mundësitë e plota të natyrës njerëzore. Në vijim Milli u nda përfundimisht prej utilitarizmit të Bentamit. Duke transferuar problematizimin e filozofit të mësipërm në shek. e XXI, veçanërisht sot del në pah pyetja: Çfarë do të ndodhë me ATA që nuk vlerësojnë vlerat e larta?… Arsimi i detyrueshëm, të cilin e pranonte edhe Milli si dorë të fuqishme të shtetit nuk mjafton. Të mos na gënjejë mendja: pikërisht këtu qëndron gjithë çelësi i problemit kur bëhet fjalë rreth cilësive apo shkallëve të Demokracisë apo Lirisë së individit nëpër vende të ndryshme të botës. Mbi të gjitha është problem kulture, edukate, civilizimi, për vetë faktin sepse iniciativa e lirë duhet të marrë përmasat e së vërtetës, dhe jo të frikës nga ndryshimi pushteteve. Aleksandri i Madh i Maqedonisë kur pushtoi Indinë mblodhi 7 pleqtë më të zgjuar dhe u tha: Dua të më thoni nga një urtësi tuaj për drejtimin e popullit. Ajo urti që nuk do të më pëlqejë, personit do ti pritet koka. Ndër pyetjet e bëra ishte dhe kjo, se çfarë duhet të bëjë një udhëheqës që ta dojë populli i vet?. Njeri prej tyre u përgjigj se: “Përsa kohë të jetë në pushtet ky udhëheqës, populli të mos jetë i frikësuar dhe i lirë në mendime”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat