Kafshët e buta shtëpiake me kërpesh përqafe

Opinione

Kafshët e buta shtëpiake me kërpesh përqafe

Nga: Kalosh Çeliku Më: 18 shtator 2017 Në ora: 09:03
Kalosh Çeliku

 

Vite më parë, tek libri im me poezi: E përcolla Natën (1998), mes atyre poezive të dashurisë kisha publikuar edhe një poezi parashikuese për Nesër: Kafshë e zbutur. Poezi, që pak veta mund të besonin, se: politikanët e arratisur një ditë duke vrapuar me të katra  pas posteve politike, fushave e maleve do të lodhen livadheve me kërpesh përqafe.

George Orwell, në librin e tij Ferma e kafshëve. Personazheve të Librit antologjik, ua kishte dhënë një epitet jetësor ironik - artistik shekullor, mundësi figurative të flasin në libër. Fabula tek të cilat kafshët kishin folur edhe më herët te La Fonteni e Andreseni. Aftësi natyrore, të cilën e kishin pasur më parë kafshët, por e kishin humbur nëpër shekuj. Fenomen aq i arrirë artistikisht, në të cilin e kishte paraqitur aq bukur shkrimtari në Libër një shoqëri korruptive (shtet) të “përbashkët”, aqsa: që sot shumë shkrimtarë do t’ia kishin lakmi. Libër të cilin e kam lexuar herët si nxënës i shkollës fillore, në bibliotekë. Kohën e fundit e kam parë të realizuar edhe si film artistik. Ama, kurr nuk më shkonte mendja, se: një ditë do të shkruaj një poezi për një kafshë shtëpiake të zbutur shqiptare me kërpesh (kuqezi) lidhur nyje përqafe:

Kafshë e zbutur

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

E lidhur me kërpesh në grazhd.

Që, kullot në livadhet e Nënës Parti

Dhe, pi ujë në Hurdhë me bretkosat

Natedite: Guak. Guaak. Guaaaak.

E tërheq qerren zvarrë rrugës

Pronari, e lidh në grazhd

me një krah bar. Kashtë.

Ose, një kovë taxhi. Asht.

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

Shtëpiake. Mëzat i tredhur.

Që, nuk i kërcen në shpinë Lopës.

Dhe, kurrë nuk e thyen zgjedhën...

Asgjë në këtë shtet “ të përbashkët demokratik”, nuk ka mbetur pa u politizuar deri në palcë: Edhe, arsimi e kultura. Mos flasim për fenë e Zotit (Allahut).themelet e një shoqërie, shteti demokratik. Edhe, Tri fetë e Zotit (Allahut): Katolike, Feja Islame  dhe Ortodokse. Fundekrye, janë të politizuara me vite nga partitë politike. Edhe sot e kësaj dite lakohen si rrugë për dalje nga Shtëpia e Zotit përmes partive politike në fushë. E, asnjëra nuk e parasheh atë rrugën malore, dhiareve pas Çuke. Përmëkeq, sot edhe buka dhe uji që e pimë, janë me ngjyra politike - partiake - fetare.

Vite më parë, gjatë një fushate parazgjedhore, Gruevski “muslimanëve” në xhaminë “Jahja Pasha”, në Bit - Pazar ua uroi “ Kurban - Bajramin” në gjuhën shqipe. Festë fetaro-politike, që “Boro e Ramizi” me simbolet e “vëllazërimit-bashkimit” jugosllav, këtë “Kurban Bajram” (2017) krah për krahu me “sejmenët” e tyre hyri edhe në Xhaminë “Mustafa Pasha”, rrëzë Kalasë Dardane pa luftë, në Shkup pa gjuhën shqipe.

Përçudi, Boshko Buha i sotshëm “ehamdurila”, xhematit nuk ua bëri për “hajër Kurban Bajramin” në gjuhën shqipe?! Edhe pse, para ardhjes në pushtet u premtoi shqiptarëve, se: Posa të ulet në karrigen e kryministrit me “Vëllain” e Vogël (Mukin) do të sjellë “ligj” për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Punemadhe, gjuhën shqipe unë brez brezi e kam ende në Shtëpi, nuk ka mundur të ma ndalojë as turku e as serbi. Unë, i përgjigjem në këtë shkrim publicistik Shtetit të “përbashkët”: Jo ligj për gjuhën shqipe, por barabarësi kombëtare e gjuhësore të popullit shumicë shqiptar në këtë shtet të “përabshkët”, që e trashëgojnë sot pa merita historike “vëllezërit” me përkrahejn luftarake të shqiptarëve të arratisur me “Din e Iman” nga periudha komuniste, sot neokomuniste pa banorë autoktonë “maqedonas”!

Menduh Thaçi me shokë,  vite më parë në mes të Shkupit para xhamisë “Jahja Pasha” për t’i fituar votat e popullatës të arratisur “muslimane-shqiptare”, thirri: “Allahu Akber”! Gabim i tij historik - politik. Unë, ende edhe sot e kësaj dite në shkrimet e mia publicistike nuk kam thirr: “Allahu Akbar”. Dhashtë Zoti, nuk thirr as Nesër.

“Muslimanët”, nuk i besuan Menduh Thaçit dhe Partisë Demokratike Shqiptare, e as Ali Ahmetit (BDI) me trashëgimi familjare brez pas brezi të hoxhallarëve, që nuk ua dhanë votat e “lira-demokratike”. Nuk ma merr mendja se, do t’i besojnë edhe kryetarit të Bashkësisë Fesë Islame në IRJ të Maqedonisë: Ef. haxhi Sulejman Rexhepit.

Fatkeqësisht, dje, i besuan Boshko Buhos partizan i ish Partisë Komuniste Jugosllave, sot neokomuniste “maqedonase”. Bombahedhësit (“shpëtimtarit të shqiptarëve”) duke e stolisur në këto zgjedhje parlamentare (2017) LSDM -ën me rreth 70.000 vota “shqiptare - muslimane” pa merita partiake të “vëllazërim-bashkimit?!

Haraçina shqiptare, jo vetëm, që ia dha votat krye për krye si delet e nënkryeme në vathën e Çobanit Ujkut, por edhe e futën në Shtëpi. Katund, që gjatë Luftës të 2001 -shit. “Brate” Lube nuk pati guxim të pi as një kafe?! Përqafimi i “shqiptarëve” të Kumanovës në “Lagjen e trimave” të Zaevit, puthja neokomuniste mallëngjyese e “shpëtimtarit” në të dyja faqet për të hëngër çotek (dajak) edhe Ditën e Nesërme nga “vëllezërit”, siç duket dha efekt tek “muslimanët” e Kumanovës.

Edhe, “shpëtimtarin” e shqiptarëve e sollën në pushtet. Përçudi, edhe Bombahedhësi Boshko Buha u doli borxhit: Pas “Fitores” politike, ardhjes në pushtet ua “zgjidhi” problemin e kanalizimit të katundit, nuk them atyre politike shqiptaro-maqedonase: në disa komuna shqiptare mori guximin të dali edhe me kandidatë shqiptar për kryetar komune. Populli thotë, brez pas brezi: Dardha e ka prapa bishtin.

Populli shqiptar, ende me pak mend në kokë. Partia Politike PDSH e Menduh Thaçit, vite me radhë është duke i humbur zgjedhjet parlamentare e lokale. Edhe, e mori tatëpjetën fushave si parti politike e dalldisur shqiptare. Vite me radhë, u përpoq ta marr veten si parti politike, por e kishte vështirë pa ideologun e Partisë Shqiptare Arben Xhaferi. Rrotull pa brekë i sillen me “temena” Partisë Politike në pushtet BDI -së. Parti Politike e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare (2017) doli me humbje të mëdha katrasofale në viset shqiptare: me disa “dëshmorë” lufte në varrezat memoriale fushave e maleve partizanë të plagosur në këtë betejë luftarake-politike shqiptare. Fushëbetejë politike, ku do të dalim në luftë përsëri me plotë komandantë e pa asnjë ushtar lufte. Dorën në zemër, e kishim një ushtar për Liri, por edhe ai Komandant “Askeri”.

Rastësisht, më kujtohet ajo thënia italjane historike gjatë Luftës Dytë Botërore: “Tuoti albanezzi, touto komandanti”. Vetëmse, në këto zgjedhje lokale (2017), veshtirë e kanë të rrëmbejnë edhe ndonjë këmbë pule ‘”sakate”. Mendja e shkrimtarit ma thotë, se: Edhe kësaj radhe Partitë Politike Shqiptare do ta fitojnë jadecin e “Kurban - Bajramit”. Nama e popullit shqiptar, kësaj radhe siç duket i ka zënë ta ndjekin rrugën politike historike të PPD -ës. Radhën politike, siç duket e ka BDI. Partinë Politike “BESA e ka nemur Zoti me kohë, që nga Perandoria osmane me dramën tragjike “BESA” të Sami Frashërit.

Pronari i Shtëpisë, kafshët e buta shtëpiake i ka lidhur me kërpesh përfyti në grazhd. Pak rëndësi, kanë ngjyrat e kërpeshëve (kollareve) lidhur përqafe: a janë me yll të kuq, kuqezi, me ngjyrë të kaltërt, apo me hënën drapër përqafe.

Shqiptarët, përveç hënës drapër me vite e kanë pasur edhe çekiçin komunist mbi kokë.  Herë pas here “vëllezërit” ua hedhin edhe nga një krah kashtë në grazhd. Ose, ndonjë asht për ta lëpirë përpara Shtëpisë. Që, mos të lehin matanë porte. E, Ujku me shokë, veç më e ka kërcyer gardhin, na ka hyrë në Lëmë te Pragu i Shtëpisë. Nesër, pritet të na hyjë edhe në Odën e miqëve. Ndonjërin, mëzatin e hazdisur edhe e tredh. Fatkeqësia, ai pas kësaj tredhjeje e pranon zgjedhën në qafë, e tërheq qerren rrugës, pllugun mes vapës madhe në arën e Babait.

Edhe, kurrë nuk i kërcen mbi shpinë Lopës në livadh...  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat