Problemet i zgjidh dashuria!

Opinione

Problemet i zgjidh dashuria!

Nga: Kimete Berisha Më: 29 shtator 2017 Në ora: 11:25
Kimete Berisha

1. Mbretëresha Elizabetë II ka mbetur gojëhapur, pas ofertës zyrtare dhe publike së Zafir Berishës, që Ambasadori i Britanisë në Kosovë, t'ia hajë këtij të fundit ose "ko.et" ose "k...n", varësisht cili prej këtyre dy pjesëve të të njejtit organ i vjen më lezet Ambasadorit. 

Ofertën e Zafirit mbertëresha e ka marrë shumë personale, sikur t'ai thoshte asaj në gojë, sepse në historinë angleze për herë të parë ka ndodhur që një zyrtari të lartë anglez, t'i thotë dikush "ma hëngsh...".

Ambasadorit kurrë nuk i ka ndodhur në jetë t'ia ofrojë dikush në pako, publikisht, nëpërmjet mediave, organin seksual, prandaj prej asaj dite, nga tronditja, nuk e ka folur asnjë fjalë, sepse, anglezët e kanë zanat e kërkojnë fajtorin te vetja (e jo si ne që kurrë nuk jemi fajtorë për asgjë), dhe kështu edhe Ambasadori, është duke e pyetur veten, pse i ndodhi kjo "tragjedi", kur ai është i martuar dhe feminist, pse do ta hante organin e Zafirit, kur i preferon femrat, dhe edhe më keq, nëse i përgjigjet Zafirit, dhe e gjykon sjelljen e tij, a rrezikon Ambasadori që edhe më keq i njëjti t'ia ofrojë prapanicën, apo t'i thojë "ma hëngsh m...e ma pifsh sh....n".

Shumë keq. Askush nuk e ndau këtë dhimbje me Ambasadorin, madje as Jakup Krasniqi, si më i moshuari, që i kupton këto sende.

Bota nuk na ka njohur mirë kur na ka ndihmuar të çlirohemi nga okupatori serb, sepse atëherë kemi qenë viktima (jemi dukur të shkretë, mikëpritës, ngurrues, të kujdesshëm dhe mirënjohës), ndërsa Liria neve na ka çoroditur, na ka bërë aq të vrazhdtë, sa ne e kërditim botën. 
Ne dukemi normal vetëm si robër.

2. Papa Francis ende mendon që ne jemi "normal", sepse e tolerojmë njëri-tjetrin të besoj në cilin Zot do vet. I ka thënë Presidentit Thaçi: "Bravo ju qoftë".

Por, Papës nuk i kanë treguar se ne nuk ngucim njëri-tjetrin, jo pse e duam shoqi-shoin, por sepse përtojmë m'u ba telashe. 

Pra, neve dembelia na ka zgjatur jetën, sikur Senekën që e ka shpëtuar shëndeti i ligë nga Neroni (që thoshte, pse ta vras kur ky edhe ashtu duket sikur i ka ditët e numëruara), se përndryshe, sikur të kishim qenë ne të vyer dhe punëtorë, sikur të mos ishim depresivë dhe të lëngtë, kërrsh do të ishim bë ndërmjet vete. 

Thjesht, përtacia na ka shpëtuar pa ia nxjerr sytë njëri-tjetrit. 

Ne edhe ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit përditë, ama në mënyrë perfide dhe psikologjike, pa pasur nevojë të ngritemi nga kauçi. Mjafton të na punojë gishti tregues.

3. Nga kauçi dhe me fjalë ndryshohet fati i njeriut, por nuk ndryshohen kufijtë. Deri te ky zbulim ka ardhur Edi Rama, pasi është qortuar nga Albin Kurti që të mos e hapë shumë gojën e mos t'përzihet në punën e demarkacionit me Malin e Zi.

Edi Rama për ta nënçmuar dhe "zvogëluar" Albinin iu drejtua me "i dashur", por nuk u kujtua t'i thotë Albinit "Ju po përziheni në punët e brendshme të Gjermanisë, të Koresë e të NASA-s, pse mos të përzihem unë në punën e Çakorrit", prandaj Rama tha se "ai nuk falë det, lëre më tokë", demek ka dashur të thotë se të falësh ujë ke llogari, se 7i % e tokës është e mbuluar me ujë, ndërsa të falësh tokë, s'ke llogari. 

Është interesant, se si na ndodh neve që për një tokë që shihet me sy, asnjë shqiptar nuk bie dakord me tjetrin. 

Ekzistojnë të vërteta "të shkruara", të vërteta "të pashkruara", të vërteta që mbahen "kujtime", dhe të vërteta "të shpikura". Bjeri në fije ti.

4. Derisa sot Serbia për luftën e Kosovës i ka xhiruar mbi 4 filma të rremë, me buxhet mbi 2 milionë, dhe ka bërë propagandë të tmerrshme, ne, gjithë ky "artist" që i thotë vetes dikushi, nuk ka qenë në gjendje ta bëjë një film as mesatar për Kosovën. 
Mbasi e kam thënë edhe një herë tjetër, po e përsëris veten: Nëse bazohemi në filmat shqip, lufta nuk ka ndodhur.

Është e tmerrshme se si i zgjedhin temat më antishqiptare për t'i trajtuar dhe për t'i relativizuar krimet dhe gjenocidin shtetëror serb kundër shqiptarëve. 

Me apo pa dije! S;di. 

Ose e gjejnë një djalë të vogël që gjatë luftës u ka shitur cigare ushtarëve serbë, ose e gjejnë ndonjë grua që u dhunua nga policia serbe gjatë luftës, pastaj ajo e ka lindur fëmiun e saj, dhe në fund regjisori i barazon krimet shtetërore serbe me babain e vajzës së dhunuar nga serbët, i cili e ka larguar nga shtëpia vajzën e tij...etj...

Pra, kinematografia shqiptare ka zgjedhur për filla temat më anti UÇK dhe më antishqirtare për ta trajtuar luftën. 

Nuk u kujtua kush të bëjë një film për ekzodin. Për masakrat e familjeve të tëra. Për shfaqrosjen e familjes.

Por, shkojnë "e gjejnë" dhe e shpikin ndionjë rrëfim disgusting dashurie demek mes një shqiptari dhe një serbe (sikur mes një izraeliti dhe palestinezje, apo një gjermani dhe një çifuteje,). 

Ky kiç, ky nivel kaq i ultë, besoj thjesht se paguhet për të qenë antishqiptar. 

Përndryshe, shih filmin e Angelina Jolie "First they killed my father", dhe e kupton ti ku shkojnë paret e dedikuara për filma shqip.

Njëherë isha dëshmitare kur një sheik (para luftës) ia ofroi një shkrimtari (tashmë të ndjerë), pasurinë e botës për të shkruar kundër kulturës perendimore të shqiptarëve. Në praninë time, 100 herë i tha JO dhe iu duk pak....dhe deri në vdekje jetoi i varfër materialisht, por i pasur në shpirt sa e gjithë bota.

Filmi nuk bëhet pa dashuri, dhe pa dije. Është njësoj si të shkruash teopri për dashurinë pa e përjetuar dashurinë. Bëjnë filma për luftën, ata që kanë ikur nga lufta. 
Me pare blihet ana materiale e filmit, por me dashuri bëhet filmi.

5. Pare ka sidomos Behgjet Pacolli, ka më shumë se shteti. Kosova nuk ka aeroplan të vetin që t'i çojë Presidentin e Kryeministrin nëpër botë, por Behgjet Pacolli e ka aeroplanin e tij privat me të cilin i kryen punët e tij shtetëroe.

A është njësoj "keq", sikur Hillary Clinton që e shfrytëzoi e-mailin e tij privat për t'i kryer punët e shtetit! Besoj që PO. 
Jo veç që është jozyrtare por është edhe e pahijshme, që individi të duket më i pasur sesa shteti që e përfaqëson.

Behgjet Pacolli duhet të sillet zyrtarisht. Anipse, jam e sigurt se e bën këtë marifet me qëllimin më të mirë, thjesht për të kryer punë.
Por, ai nuk e di, dhe sigurisht nuk ia kanë thënë, se në një vend të varfër, i pasuri duket arrogant dhe i neveritshëm. Nuk bën të dallohesh nga Kryeministri dhe nga nga zyrtarët tjerë.

6. Nuk po e përcjell fushatën zgjedhore, se është njësoj sikur të lexoja edhe një herë për personazhin, për të cilin të gjithë e dinë se "është i vdekur", përveç tij, i cili e merr vesh i fundit se "ka vdekur".

Deri tani kandidatët më të lodhtë duken këta të LDK. Gazmend Muhaxheri e "keqpërdorë" fjalimin e "I have a dream" të Martin Luterking, thuajse po udhëheq ndonjë fushatë antiraciste në Pejë.
Lutfi Haziri është i sigurt se "puna që e ka bërë deri tash ia garanton fitoren". Prandaj, në të sotmen s'ka nevojë të lodhet hiç.

Arban Abrashi thotë "Make Vranjevci Great Again", dhe nuk e di saktë adresën ku ndodhet (në një ambient të mbyllur", prandaj e shkruan legjendën nën foto "Diku në Kodrën ne Trimave", kaq e madhe që është ajo Kodër, sa humb "Kryetar"i në të, sa nuk dihet as ku je. 

Abrashët neve mitrovicasve na asocojnë në Trepçën "në tulla t'dukatit", në kohën kur ata kishin pare e salltanet, e ne s'kishim bukë me hëngër (në kohën kur mos me pas qenë Nënë Tereza gjysma e më shumë e shqiptarëve ishin vdekur urie).

Kur Kadri Veseli vendosi që Lirak Çelaj të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, sigurisht nuk e ka pasur parasysh faktin se Liraku është mendjemadh, është "fryfq" qysh thonë shaljanët, dhe i "papërdorshëm". Padyshim se ka vlera Liraku, por ende nuk i ka shpalosur.

Shpend Ahmeti i ka mbjellur disa fidane para banesës sime (dhe fidanet, edhe pse nuk po i ruan policia, ende nuk i ka vjedhur askush). 

Kur po e hapi dritaren në mëngjes, puna e parë po e dëgjoj cicërimën e zogjve (e jo të twitterit monoton), dhe po i adhuroj. 

Ende nuk e kam nxjerr nga zemra Shpendin, anipse problemin e parkingut dhe të nxemjes ende nuk ma ka zgjidhur.

7. Në qytetin tim, garojnë për Kryetar komune njerëz që i njoh dhe disa i kam edhe miq. Por, unë do ta votoja Agim Bahtirin (anipse unë votoj në Prishtinë), do t'ua rekomandoj rrethit tim ta votojnë Agimin. 

Pse do ta bëjë këtë?

Sepse, më pëlqen shpikja e Agim Bahtirit që t'i zgjidh problemet me dashuri. Me fjalë të buta, të urta dhe me fjalë të mira.

Nuk i ka ndodhur një qytetari të Mitrovicës një gjë e keqe, që Agim Bahtiri nuk e ka ngushëlluar dhe nuk ia ka ofruar ndihmën e tij.
Nuk i ka ndodhur një qytetari të Mitrovicës një gëzim familjar apo personal, që Agim Bahtiri nuk e ka uruar dhe nuk ka festuar bashkë me të.

Ka punuar pa pagë, i ka lejuar tregtarët e vegjël të bëjnë idare, dhe shumë herë "i ka mbyll" sytë kur ua ka pa një ftua, dy grushta hudhra e tre thasë qepë të bahqeve të tyre, duke i shitur në skajin e një rruge.

Thjesht, dua ta shoh se si e përfundon mandatin një politikë e bazuar në "dashuri".

Arsyeja e dytë, praktike, që do ta rekomandoj Agim Bahtirin për Kryetar të Mitrovicës është ky fakt politik: 

Nëse shqiptarët vendosin që kandidatja e PDK-së (një grua shumë e mirë) të bëhet Kryetare e tyre, atëherë, serbët e Mitrovicës do t'i kenë dy Kryetarë.

Sepse, kandidatja e PDK-së është shumë e pranueshme edhe për serbët, ndërsa kandidati serb për Kryetar të Veriut, është i papranueshëm për shqiptarët dhe i disponuar armiqësisht ndaj tyre.

Ndërsa ne shqiptarët do ta kishim për vete "gjysmë kryetari", serbët do t'i kishin për vete dy Kryetarë (një serb dhe një shqiptare).

Mitrovica duhet ta ketë një Kryetar vetëm për vete, ashtu siç e kanë serbët Kryetarin e tyre, fanatik të interesave serbe.

P.S. Të gjitha problemet zgjidhen me dashuri. 
Por, edhe certifikimi i kandidatëve nga psikiatri, nuk është ide e keqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat