Partitë politike gjermane dhe Kosova

Opinione

Partitë politike gjermane dhe Kosova

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 2 tetor 2017 Në ora: 07:53
Idriz Zeqiraj

Një apel i themeluesit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, për të votuar të majtën gjermane dhe jo të djathtën e saj, ndezi reagimet e thekshme në Kosovë. E parë me gjakftohtësi, kjo është  normale, për drejtimin ideologjik të "Vetëvendosjes", e proklamuar si parti social-demokrate.

Por, arsyet pse duhet votuar e majta dhe jo e tdjathta, në raportet me Kosovën, çalojnë për të qenë bindëse. Habit fakti se tezën e "Vetëvendosjes", e shpie mëtej edhe një gazetar dhe analist i zëshëm i "Koha ditore", gjithashtu gazetë e majtë. Ai thotë se po të mos ishte e majta e Evropës, nuk do të kishim ndërhyrjen e NATo-s në Kosovë! Mendoj se hiç bindëse.

Më 9 prill 1992, kur po zgjidhej Prof. Dr. Sali Berisha president, isha i ftuar së bashku me Dr. Osman Kazazin, kryetar i Shoqatës të Burgosurëve Politikë të Shqipërisë, shoku im i vuajtes në Burgun e Burrelit. Dr. Kazazi ishte mik i ambasadorit të parë amerikan, në Shqipërinë plurale, Rajerson. Dhe, ai na ftoi pranë, në lozhën e mysafirëve. Përgjatë pauzës kuvendore, kur po numëroheshin votat, i bëra pyetjen:

- Çfatë do bëhet me Kosovën tonë? Dhe, ai, ende pa u gjegjur në pyetjen time, m`u drejtua mua:

"- Çfarë mendoni ju shqiptarët?"

- Shqiptarët në luftë me Serbinë, me armët e Amerikës, - u gjegja unë.

Dhe, ambasadori amerikan, Rajerson, me zë të pakët, sikur të këshillonte, të mos bëhet për fjalë, por krejt i qartë, madje, në shqipen e pastër, që thoshte se e ka mësuar nga shoku i dhomës kosovar, gjatë studimeve në Zagreb, tha:

"- Kosovën do ta çlirojë Amerika", - pa dhënë shpjegime shtesë.

Në përgaditjen për luftën dhe çlirimin e Kosovës, Shërbimet sekrete gjermane dhe amerikane, kanë qenë bashkëpunuese dhe koordinuese, të paktën, që nga viti 1990-të. Duke qenë veprimtar në Mërgatë, jemi ftuar dy vetë, nga redakësia e gazetës, që botonte baza ushtarake amerikane në Mannheim të Gjermanisë. Gjatë intervistës kemi venë re interesimin e madh për Kosovën, njohuritë e shumta që kishin dhe qasjen shumë të sinqertë për Kosovën. 

Në të njëjtën kohë, një kuadër i lartë i Shërbimit sekret gjerman, kërkoi për shërbim familjar një shqiptare, duke u ndërlidhë edhe me disa intelektualë, refugjatë nga Kosova. Të gjitha bisedat, që, në fakt, ishin këshillime për veprime, të çonin tek përgaditja e shqiptarëve të Kosovës për luftë. Por, në këto biseda kishte një kujdes të veçantë, sikur gjithëçka është bisedë e lirë dhe tërësisht private.

Realisht, më tepër bëhej fjalë për një nismë krismash, se sa për përballje ushtarake të mirëfilltë. Amerikanët, gjermanët dhe aleatët e tyre, e dinin raportin e forcave, fatalisht, të disfavorshme për shqiptarët. Nuk kishte kohë as për balancë të armatimit dhe as për përgaditje ushtarake balancuese, kur dihet se përtej një dekade, djemtë e Kosovës bishtnonin shërbimin e detyrueshëm ushtarak, si shtetas të Jugosllavisë fedetale e, pastaj, edhe të Serbisë. Një duzinë kufomash, të djemëve ushtarë nga Kosova, të kthyer nga ushtria, ishte shkaku dhe arsyetimi bindës, për mungesën e sigurisë të jetës, përgjatë shërbimit ushtarak, si pasojë, edhe bojkoti i këtij shërbimi.

Dhe, gjithëçka filloi sipas një skenari paraprak, të bërë nga miqtë tanë, që i dolën për zot të priturës së madhe, siç ishte sulmi i organizuar humanitar, për ta shpëtuar një popull, i rrezikuar me jetë dhe dëbim nga trojet stërgyshore. Aleanca ushtarake NATO, kush me dëshirë dhe kush me imponim, funksionoi mrekullisht mirë. Shtetet pjesëmarrëse duhej të hidhnin bomba, kundër Serbisë, pa përjashtim.

Referenca e Lëvizjes "Vetëvendosje" se sulmi i NATO-s, kundër Serbisë, ndodhi, pikërisht, kur ishte Gerhard Schröder Kanzelar i Gjermanisë, , është një provë domëthënëse, se e majta gjermane dëshmoi miqësi e përkushtim, për popullin e Kosovës. Është fakt i pamohueshëm se, ish-kandidati për Kanzelar, në vitet `90-a, në kohë lufte, deputet dhe Ministër i Mbrojtjes, Rudolph Scharping, alarmoi Bundestagun gjerman, për masakrat faktike në Kosovë. Dhe, ishte ngulmues që Gjermania duhet t`i japë fund paqës së deriatëhershme. Po kaq luftarak është dëshmuar edhe Ministri i Jashtëm, Joschka Fischer, nga Partia e të Gjelbërve.

Por, "miqësia" e Kanzelarit Schröder, për Kosovën, është demantuar nga vet ai, tani në cilësinë e ish-Kanzelarit, kur thotë: "Unë kurrë nuk kam qenë për Pavarësinë e Kosovës!" Dhe, është SPD-ja, Partia Social-Demokrate e Schröderit, e cila në Bundestag, Parlament, akuzoi dhe i kërkoi llogari ish-ministrit Scharping, "për alarm të rremë dhe hipërbolizim të masakrave në Kosovë!" Ndërkohë që, atje ishin vrarë e masakruar 13.500 njerëz, kryesisht, civilë, qytetarë të paarmatosur, në mes tyre, shumë qindra fëmijë, gra dhe pleq; ishin djegur mijëra shtëpi dhe objekte të tjera; ishin shpërngulur, dhunshëm e përgjakshëm, afër një milion banorë të Kosovës.

Miqësia me rusët, natyrshëm, edhe me serbët, e ish-Kanzelarit Schröder, tashmë, nuk përbën ndonjë sekret. Ai preferoi dhe adaptoi një fëmijë-vajzë nga Rusia. Pastaj, u bë edhe aksionar në një firmë të fuqishme të gazit në Rusi!

Në përballjen e parë elektorale të Gerhard Schröderit, me Angela Merkel, edhepse me diferencë jo të madhe votash, fitoi Schröder. SPD-ja festoi fitoren dhe Schröderin e uruan shumë shtete, por jo edhe Amerika, e cila e akuzoi për miqësi dhe lidhje të dyshimta me rusët. Për rrjedhojë, ai nuk mund të ishte Kanzelar i Gjermanisë, mike dhe aleate strategjike në NATO dhe marrëdhënie të veçanta me Amerikën.

Dhe, pikërisht, atëherë, 12 vite më parë, Angela Merkel, fillon karrierën e Kalzelarës gjermane. Është kjo zonjë e rëndë, e zgjuar dhe shumë e veçantë, e cila, me rizgjedhjen e sërishme, po e barazon, me kohë-zgjatje në pushtet, shefin e saj të madh, Helmut Kohl.

Reagimit të SPD-së, për mospranimin e Gerchard Schröderit, nga Amerika, si dhe përzierja e saj në punët e brendshme të Gjermanisë, për të vazhduar edhe një mandat si Kanzelar, ish-Kamzelari rekord i Gjermanisë, Helmut Kohl, u përgjegj pa ekuivoke, pa hamendje: "Pa ndihmën e Amerikës, Gjermania nuk mund të bashkohej".

Dhe, si shtesë, Kohl, shpalosi një kujtesë të vitit 1989: Isha në bisedime intensive me udhëheqjen Sovjetike, ruse. Duke parë njëmendësinë ton, për bashkimin e dy shteteve gjermane, ata po e rrisnin pazarin. Një ditë i telefonova Presidentit Bush (plakut), pa e parë orën. Nga zëri i mëkur, kuptova se ai ishte në gjumë, sepse ishte ende natë në Amerikë. I kërkova ndjesë për prishje gjumi dhe doja ta mbyllja telefonin. Por, Presidenti Bush, sakaq, u këndell: "Kur është fjala për Gjermaninë, unë jam në dispozicionin tuaj ditën dhe natën, nuk kam gjumë. Më telefono në çdo kohë, madje, pa e parë kurrë orën". 

Dhe, "unë nuk bëja asnjë veprim, në raport me rusët, pa e konsultuar Presidentin Bush". Dhe, nga kjo dëshmi e Kanzelarit në pension, Helmut Kohl, tani në amëshim, Gjermania, për një çast, mbajti fymën, duke pranuar kushtëzimin amerikan për pensionimin e Schröderit.

Gazetari i "Koha ditore" është i saktë në vlerësimin e Kryeministrit Tony Blair, për kontributin e dhënë për Kosovën, i mbështetur nga Partia Laburiste e Anglisë. Por, e tepron kur thotë se, po të ishin në pushtet Konservatorët anglezë, për arsye të miqësisëe tradicionale me Serbinë, nuk do të sulmohej Serbia. Pavarësisht, pranisë të njërit apo të tjetrit shtet, sulmi nuk mund të pengohej, sepse Amerika kishte vendosur për këtë.  Shembull: Franca ka qenë e mbetet mike e Serbisë, megjithatë, u detyrua të aktivizohet kundër saj, me pjesëmarrje ushtarake.

Është thënë apo bëhet fjalë, për një mendim të shprehur të Presidentit Clinton, për ndërprerje të bombardimeve dhe rifillimin e bisedimeve me Serbinë?! Thonë se Kryeministri Blair ka reaguar se jam gati, me 300 mijë ushtarë britanikë, të hyjë për tokë në Kosovë. Pavarësisht kësaj, qendron apo jo, fakt është se Britania e Madhe, si aleate e shumëfishtë amerikane, e prirë nga Premieri Blair, ka merita enorme. Një shtatore e Tony Blair, në Prizren, prej nga mund të marshonin ushtria tokësore angleze, do të ishte një mirënjohje e merituar për Anglinë dhe vet Kryeministrin Blair.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat