Nuk ekziston njeri që mund të kuptojë dashurinë tonë!

Opinione

Nuk ekziston njeri që mund të kuptojë dashurinë tonë!

Nga: Alida Hadri Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 08:35
Alida Hadri

Lidhja që kemi ne, është një lidhje hyjnore e krijuar përmes një gjuhe të cilën vetëm engjëjt mund ta kuptojnë, por asnjëherë tokësorët . Pastaj thonë se: dashuria është gjëja me e bukur, për më tepër të bindin që duhet ta duash dike domosdo, përndryshe jeta jote në tokë s'do të ketë kuptim, por kur e bën këtë, tokësorët e ndërrojnë mendjen dhe me çdo kusht të largojnë nga fytyra e tokës...!

Çfarë është kjo botë? – që pretendon t`i ndalojë mendimet, ëndrrat, iluzionet tona me të cilat e ushqejmë shpirtin tonë prej  njeriu!

Pra, ata që t`i vrasin dëshirat e brendshme dhe kinse të udhëzojnë të vazhdosh ta duash jetën - por ta duash në mënyrën e tyre, ashtu siç donë ata -jo ndryshe, jo ne mënyrën tënde, më duken njerëz të cilët  e mbajnë djallin nën sqetullat e tyre...!

Çfarë pra kanë të tjerët, që rrahin kambanat dhe krekosen se kinse dinë te dashurojnë, kush janë ata të marrë, që përcaktojnë rregulla dashurish. Unë ju them: dashuria nuk ka rregulla të parapërcaktuara. Dashuria vjen sikurse një erë me aromë pranvere dhe të rrëmben në buzët e saj. Të rrëmben këndshëm dhe këndshëm i dorëzohesh e hazërtë për ta hetuar mrekullinë e një puthje të shprushur nga thellësia e zemrës...!

Dhe pyes: pse të mos jam unë ajo - ajo qe i thyen tabutë e pakuptimta dhe, unë dhe ai që e dua, të shtrihemi prehrit të njëri - tjetrit?

Pra, përse dashuria jonë të futet në kornizën ngulfatëse të projektuar nga të tjerët. Ne do të dashurohemi kundër manualeve neveritëse dhe rregullave që i kanë krijuar të tjerët - jashtë frymës së vërtetë e cila të ngop dashuri të çiltër. Ndaj, këto rregulla të shpifura ne i refuzojmë, sepse idetë e dashurisë na bëjnë dhe na thërrasin ta braktisim tokën dhe të marrim rrugën e qiellit  dhe të ngjitemi  për në parajsë, ta krijojmë një vatër të re ku përkunden ëndrrat më të bukura në sytë e dashurisë sonë. Atje ku dëgjohen tingujt më të bukur dhe na falin një përqafim gjumi me një ëmbëlsi të veçantë... Dhe, sipas jush, ne mund të shpallemi mëkatarë. O, Zot!

Jo, zotërinj! Nuk është mëkat kërkesa jonë: që të jetojmë më gjatë, qoftë edhe një frymë njeriu më shumë, për t`u puthur në sytë e njeri – tjetrit. Për tu puthur më gjatë, buzë më buzë të kafshuar ...

Tani, më thuani: çfarë dini ju për dashurinë dhe, nëse e keni dashuruar dikë?!

Të bësh fëmijë, të kesh familje, të jesh i moshuar dhe të kesh shumë eksperiencë s`do te thotë se ju dini të dashuroni, sepse ju nuk e keni ndjerë aromën e dashurisë. Ju keni dashuruar në mënyrë mekanike, larg shpirtërores e cila kërkon shtrydhjen e shpirtit në buzët e etura... Pra, dikush mund të jetojë shumë më pak se ju por, ai e ka veshur këmishën e dashurisë dhe këndshëm e ka puthur natën e tij duke e hetuar lëkurën e kadifenjtë mbi trupin të dashurisë.

Mos jepni këshilla boshe, sepse, Ju nuk dini ku dhe si fle dashuria e vërtetë. Për këtë nuk dini asgjë prej gjëje...!

A nuk ju kanë mësuar se, duhet të ndërhyni vetëm në momentin kur një lidhje bëhet toksike. Në të kundërtën, ju po i futni hundët aty ku nuk ju takon. Kjo gjë neveritëse, nuk ka asnjë vlerë përpos një liste të renditur me epitete negative që i përkasin vetëm edukatës suaj të keqe!

Për këtë, e mbushni gojën me fjalë për tradhtitë, me atë sesi askush nuk vlen pos juve, që në fund të fundit, askush nuk do t`ju do, të gjithë do t`ju braktisin!

Dhe, prapë them: kjo është sesi ju i mësoni vajzat, që ato kurrë të mos i dorëzohen emocioneve të tyre. Mbi këtë bazë të paqëndrueshme, ju jeni kundër natyrës dhe dashurisë si produkt i njeriut për të dashuruar.  Pra, ju nuk preferoni as kontaktet fizike që realisht janë kërkesa njerëzore. Apo, ndoshta ju doni që në këmbim të përfundojnë me dike që i fshini dyshimet me të (me vajzat tuaja). Ja pra, çfarë ju preferoni...!!!

A  është kjo: çfarë i mësoni djemtë, të mos i lëne dëshirat dhe ëndrrat e tyre të  rrjedhin në krahët e femrave që i duan?!. Se s`do të duhej të ishin të dobët  emocionalisht por, t’iu ngjajnë kafshëve, kur në fund të fundit, zemrat e tyre rrahin njëjtë si ato të tuajat dhe të çdo kujt tjetër!

Në këtë kuptim, pa dallim gjinie, ne jemi reflektimi  i njeri – tjetrit. Femra është një pjesë e mashkullit dhe mashkulli është një pjesë e femrës! Dhe, vetëm të bashkuar trup më trup përbëjnë një tërësi dashurie të harmonizuar, ashtu siç e përcaktoi Perëndia, që trupat e bashkuar krijojnë një baraspeshë jo vetëm  estetike por, harmonizimin e dy shpirtrave, të cilët së bashku të puthitur prodhojnë mrekullitë hyjnore...!

Pra, a duhet lavdëruar me burrërinë e cila nga vetja nxjerr instinktin e kafshës  apo me emocionin  njerëzor?!.

A mund të quhet kjo kulturë - brenda së cilës, fatkeqësisht, shkaku i krijesës artificiale të quajtur shoqëri  u frymëzua dhe u rrit djali të cilin e dua, tashmë djalë i bërë burrë!? Por, një burrë të tillë nuk e dua krah meje në asnjë mënyrë të vetme. Mirëpo, një gjë më dhembë, sepse, unë e di se ai djalë , nuk është i tillë por, ai mund të jetë  i  influencuar nga një racionalizëm  i  pa bazë si produkt i rrethit në  të  cilin ai është rritur së bashku me eksperiencat që mund ti ketë  pasur në  të  kaluarën, që vështirësuan afrimin me të.  Për këtë, e pata vështirë ta fitoj besimin e tij , andaj edhe kam vuajtur..!!!

Tash kuptohemi si rrallë kush mund të kuptohet. Megjithatë, gjithmonë kemi diçka për të thënë!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat