Edhe një herë tjetër, jo demarkacionit!

Opinione

Edhe një herë tjetër, jo demarkacionit!

Nga: Islam Lauka Më: 7 janar 2018 Në ora: 22:43
Islam Lauka

Të dashur miq, 

Meqënëse shkrimi im i fundit “Marrëveshja për demarkacionin nuk duhet të ratifikohet” ka ngjallur, jo pak, reagime dhe, në pamundësi për t’iu përgjigjur secilit prej jush për komentet e bëra rreth tij, mendova që, në mënyrë të përmbledhur, të trajtoj disa nga problematikat që ju keni ngritur.

Që në fillim, dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që gjetën kohë për të lexuar shkrimin tim dhe, në mënyrë të veçantë, ata që më kanë mbështetur në qëndrimet e mia. Gjithashtu, i falenderoj shumë edhe ata që janë përpjekur të kundërshtojnë tezat e mia, sepse jam i bindur që vetëm nëpërmjet debatit të hapur e të sinqertë mund të shkohet drejt zbulimit të së vërtetës. Fjalët e Volterit, “Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do të mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj që ju ta thoni atë” duhet të jenë udhërrëfyese për secilin prej nesh.

Mendimet e mia, në përgjigje të disa pyetjeve të bëra, nga ana juaj, janë si më poshtë: 

1. Çështja e demarkacionit nuk mund të zgjidhet me referendum. Kushtetuta e Kosovës, për fat të keq, ka një boshllëk të dukshëm, lidhur me referendumin. Veç kësaj, për probleme që kanë të bëjnë me ndryshime territoriale, kushtetutat e shumë vendeve janë të rezervuara në sanksionimin e të drejtës për referendum. 

2. Në situatën e tanishme, nuk ka gjasë që Mali i Zi të pranojë që Demarkacioni t’i kalojë Arbitrazhit. Me avantazhin e siguruar nga firmosja e marrëveshjes prej palës sonë, Podgorica pret edhe aktin e fundit për hyrjen e saj në fuqi – ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës.

3. është e vërtetë që në nenin 1, pika 3 të Kushtetutës sonë thuhet që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj të tjerëve, por po kjo kushtetutë, në nenin 2, pika 2, thekson se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Në këtë kontekst, ne nuk kemi pretendime ndaj Malit të Zi, por as nuk duhet të lejojmë që të na cënohet, tjetërsohet a ndahet, qoftë edhe një pëllëmbë e tokës sonë. 

4. Përcaktimi (delimitimi) dhe shenjimi (demarkimi) i kufirit bazohet në kritere strategjike, historike, etnike, ekonomike, hidrologjike, gjeografike, por jo kadastrale. Sipas të gjitha kritereve të mësipërme kufiri midis Kosovës dhe Malit të Zi kalon nga qafa e Çakorrit dhe Kulla. 

5. NATO-s i jemi përjetë mirënjohës për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e kufijve të saj (KFOR), por, në thelb, ajo mbetet një organizatë për qëllime mbrojtjeje e sigurie dhe jo për delimitim e demarkim kufiri. Si rregull, këto janë procese, me të cilat merren shtetet e pavarura dhe sovrane.

6. Humbja e territorit shqiptar, në rast të ratifikimit të marrëveshjes së 26 Gushtit 2015, do të ishte e rëndë, por edhe më të rënda do të ishin pasojat që do të shoqëronin humbjen e poizitave gjeostrategjike dhe gjeoekonomike të Kosovës. Mirë sot, jemi të sigurtë në çadrën e NATO-s, po nëse kjo çadër nesër shkrehetë Aleancat janë të përkohshme, toka është e përjetshme. Me kufirin e ri, Mali i Zi, jo me armë, por me gurë, del fitues mbi ne. Të mos harrojmë se është po ky vend që, brenda një shekulli, e ka shumëfishuar territorin e tij, në kurriz të tokave shqiptare. Ata që e njohin, sadopak, historinë, e dinë se territoret që mbrojtën me gjak Zhuj Selmani dhe Oso Kuka, sot janë pjesë e fqinjit tonë. Po kështu, edhe Plava, Gucia, Ulqini, Tivari, një pjesë e Hotit dhe Grudës, etj. Por askush nuk mund të thotë se shqiptarët nuk luftuan për to, pavarësisiht se nuk kishin shtet të tyre dhe kundër vetes kishin, veç Malit të Zi, edhe fuqitë e mëdha të kohës. A do të na e falin brezat e ardhshëm që, me dëshirën tonë, të heqim dorë nga qafa e Çakorrit, Belluha dhe Kullaë Askush nuk thotë që të rrëmbejmë armët e t’i drejtojmë kundër fqinjit tonë, Malit të Zi, por t’i shfrytëzojme me efikasitet mekanizmat juridiko-ligjorë, që kemi në dispozicion si shtet, siç është mosratifikimi, duke e bërë të pavlefshme marrëveshjen e demarkacionit të 26 Gushtit 2015.

Mosratifikimi nuk është aq tragjik,sa ç’po trumbetohet. Pothuaj, të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia kanë probleme kufitare të pazgjidhura, (Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia ), por ato nuk i kanë penguar as në proceset e liberalizimit, as të integrimeve euro-atlantike. 
Jam i bindur që mosratifikimi do ta nxisë Malin e Zi të kërkojë rrugë të tjera për zgjidhjen e kësaj cështjeje në interes të ndërsjellë. Dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet rinegocimit të marrëveshjes së vjetër dhe hartimit të një marrëveshjeje të re. Ndaj, thirrja ime e përsëritur për deputetët e Kuvendit të Kosovës është: Jo ratifikimit të Demarkacionit!

7. Miqësia e popullit shqiptar me atë amerikan është aq e pjekur dhe e konsoliduar, sa të mos ndikohet nga ratifikimi ose mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit. Në gjykimin tim, popujt seriozë, që janë të vendosur në mbrojtjen e territorit, të lirisë e pavarësisë së vet, fitojnë edhe respektin dhe admirimin e miqve e të partnerëve. E kundërta ndodh me popujt që nuk sakrifikojnë për territorin, lirinë dhe pavarësinë e tyre. 
8. Patriotizmi, dashuria për tokën amtare është një ndjenjë që nuk vjetërohet dhe as nuk duhet të vjetërohet, kurrë. Këtë na e mësojnë kombet e pjekura dhe aleatët tanë strategjikë. Presidentët amerikanë, gjithmonë e mbyllin fjalimin e tyre me urimin, “Zoti e bekoftë Amerikën”. Fëmijët amerikanë, çdo ditë, para se të futen në mësim, përulen para flamurit të vendit të tyre dhe këndojnë himnin amerikan. Sepse kur nuk je për vendin, popullin dhe kombin tënd, kurrë nuk mund të jesh për të tjerët.

Së fundi, me keqardhje më duhet të konstatoj se, një numër i vogël komentuesish, në vend që të merren me shkrimin dhe idetë që shtjellohen aty, merren me autorin e tij, ç’është më e keqja, me një gjuhë denigruese e vulgare, shprehje e formimit dhe edukimit të mangët familjar e shoqëror. Natyrisht, nuk e kam ndërmend të merrem me ta, sepse kam patur fatin, që në rini, të njihem me thënien e një të mençuri, “Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gurë çdo qen që leh në ty’.

Unë do të vëzhdoj drejt destinacionit tim, pavarësisht qenve të rrugës. Destinacioni im është e vërteta. Nuk pretendoj të kem unë monopolin e saj, por, mendimin tim rreth së vërtetës, sic e gjykoj unë, do ta mbroj, edhe nëse ai është në kundërshtim me mendimin zyrtar të Tiranës, Prishtinës, apo ndonjë kryeqyteti mik. Unë i jap llogarti vetëm ndërgjegjës sime, askujt tjetër. Unë do të vazhdoj drejt destinacionit tim, pavarësisht “këshillave” që më jepen që, si “shqiptar i Shqipërisë” të mos përzihem në punët e Kosovës. Për mua janë njëlloj të shenjta e të shtrenjta si Qafa e Çakorrit, edhe ajo e Valbonës, e Diellit, apo e Sylbicës. Bjeshkët e Bekume – Alpet e Shqipërisë, janë një e të pandara, pavarësisht vijave të përkohshme dhe artificiale (kufij) që ju kanë vënë mbi shpinë mëkatarët e vdekshëm të kësaj bote.

Gëzuar dhe me fat Viti i Ri 2018!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat