Skenari ogurzi i Haradinajt, vendi po rrëshqet drejt izolimit

Opinione

Skenari ogurzi i Haradinajt, vendi po rrëshqet drejt izolimit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 janar 2018 Në ora: 13:12
Ramush Haradinaj

10 vjetori i shtetësisë po e gjen Kosovën në udhëkryq.  Këtë nuk po e thonë vetëm mediet vendore, të cilat bashkëshortja e Kryeministrit Ramush Haradinaj, i krahasoi me ato të Millosheviçit.

Deri te ky “epitet” i pakëndshëm, erdhi pasi mediet publikuan lajmin se bashkëshorti i Anita Haradinajt,  Kryeministri, Ramushi i saj, nuk po mund të marrë vizën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fakt, kjo nuk përbën herën e parë që mediet marrin ofendime të tilla, qoftë nga Kryeministri, qoftë nga vartësit e tij dhe së fundi edhe nga familjarët. Mirëpo, kjo është hera e parë që një lider i Kosovës ka problem të marrë vizën për në SHBA. 

Zhvillimet e fundit politike në vend që kanë të bëjnë me tentimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duket se kanë ndikuar për të keq sa i përket paraqitjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Jo vetëm refuzimi i dhënies së vizës, por edhe zvarritja, flasin për një skenarë ogurzi për Kosovën.

Me një status të postuar në profilin e tij në Facebook, Haradinaj u mundua të na bëj të ndihemi keq, duke na e kujtuar luftën dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 24 janar të vitit 1999.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, Më 24 mars ‘98 kemi pasur momente jete apo vdekje. Kështu ka vazhduar deri më 24 mars ‘99, kur Amerika dhe NATO na dolen në ndihmë. Kurrë nuk do ta harroj. Momente të vështira pritje deri më 24 mars ‘99. Pres edhe për vizë deri kur të ma japin.  I besoj Kosovës! I besoj Amerikës!  Jam ende në procedurë për vizë”, shkroi Kryeministri.

Haradinaj po thotë se i beson Amerikës, vetëm në momentin kur po i  rrezikohet integriteti personal.

Por, kryeministri nuk po e shfaqë besimin e tij në SHBA, kur atij po i kërkohet të mos marrë hapa të njëanshëm siç është tentimi për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

E ardhmja e Kosovës, nuk ka qenë kaq në rrezik që prej pozicionimit të liderit shpirtërorë të shqiptarëve Dr. Ibrahim Rugovës krah shteteve të perëndimit.

Gjithë kjo, falë liderëve, që vetëm të tillë nuk po paraqiten kohëve të fundit.

Kosova po rrëshqet drejt izolimit. Refuzimi, apo edhe zvarritja e vizës nga SHBA për Kryeministrin Haradinaj, është një tregues mjaft i qartë lidhur me këtë.

Izolimi i vendit, i ka rrënjët edhe tek marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, të cilën Haradinaj refuzoi ta ratifikonte, ani pse Departamenti Amerikan i Shtetit, jo pak herë e kërkonte një miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Tani më shumë se kurrë, diplomacia e Kosovës duhet të ndryshojë qasje. Populli duhet të reagoj ndaj atyre që po e vënë në rrezik të ardhmen e vendit. Nesër mund të jetë vonë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat