“Çka po dojmë, na po bajmë”

Opinione

“Çka po dojmë, na po bajmë”

Nga: Fadil Lepaja Më: 10 janar 2018 Në ora: 10:45
Fadil Lepaja

Vitin e ri po e fillojmë me këngë, me sevda e me pak raki. Dikush me birra vendore e  “coca – cola”, dikush me whiskey, tjetri me vodka a shlivovicë,  e dikush  besa edhe me çaj rusi. Dikush s’ka pas vit të ri, hiç, se haram, po thonë. Secili, pra,  e ka pritë, sipas orientimit të tij (gjeo)politik edhe pse , duke u nisur nga ngjarjet që rrotullohen (ende) në deskun e lajmeve, e kemi të vështirë me kuptua a kemi hyrë apo po dalim nga viti 2017.

Në fakt, kështu, sikur në këtë kolumne, e para për sivjet,  thirret kënga, nga e cila e huazuam titullin, i cili e shpreh qysh është më së miri situatën (gjeo) politike në vendin tonë, të (pa)varur dhe të hapur gjithkah. Këtë “të hapur” kuptojeni si me kusht, sepse e hapur është për me hy, e me mbet brenda, se për me dalë nuk është. Mund të vij kush të dojë, prej kah të dojë, e të rrijë sa të dojë, por populli nuk mundet me dalë, edhe pse qysh e kemi punën, populli ynë i vuajtur nëpër shekuj, më në fund është rehatuar dhe s’ka pse me dalë, e me ikë prej këtij vendi të famshëm në përmasa planetare, i cili ende po mbahet, si model suksesi. Kush e ka pas nijet, me tradhtua kupolën,  ka ikë disa vjet më parë kah kanë mundë e qysh kanë ditë.

Kur jemi te modeli, dhe te (pa)fuqia e shtetit tonë, duhet me pranua se me ndërhyrjen e superfuqisë së vetme në vend dhe në botë, edhe vet kryeministri i vendit, u detyrua të pret me durim të madh, epik do të thosha, për me marrë një vizë, për me shkua e me u lut në mëngjes, në shtëpinë e bardhë, por edhe për shumë aktivitete të tjera në SHBA. Zoti, edhe në këtë shekull, sipas  thashethemeve ma të reja politike, i pranon veç lutjet, me subjekt politik,  që bëhen direkt prej shtëpisë së bardhë. Kush mbërrin me shkua atje, edhe këtu i dëgjohet lutja. Kot e prish gjumin me falë këtu sabahun, apo shkue në Vatikan, se politikisht nuk të numërohet, prandaj edhe kryeministri e ka vendosë me pritë, sa të jetë nevoja, bash sikur në Natën e Kadrit, kur hapet qielli, për me thanë një lutje të vetme, të cilën ai e ka mësua përmendësh.

Te ne askush nuk merret me politikë, krejt merren me gjeopolitikë. Në shtet, në (krye)qytet, në fshat, në lagje, madje edhe në shtëpinë tënde ( apo timen). Nëse, për shembull,  është rrëzuar shtylla e rrjetit elektrik mbi murin tënd, dhe rri aty me javë apo muaj, është me rëndësi me këqyr në çfarë drejtimi ka ra maja e shtyllës. Nëse ka ra kah lindja, qashtu duhet me lanë derisa të vjen vet përfaqësuesi i autorizuar me e drejtua gjeopolitikën lokale. 

Edhe këndesi nëse rastisë se ju ka bërë ve, për shembull, duhet me këqyr në cilën anë të murit ka ra, veja, se lagjja e tjetër mundet me të akuzua për orientim strategjik të gabuar. Mund të thoni, se këndesi nuk bënë ve? Pse? Kush po thotë që nuk bënë? Ka ecë shkenca, ka ecë edhe retorika Pastaj, kujt i bënë nëse këndesi bënë apo nuk bënë ve? Kjo mund të jetë edhe çështje e debatit të pafund nëpër televizionet tona, radiot, e sidomos nëpër portale , me kamera të integruara. Edhe portal, edhe televizion, edhe radio, krejt në një pako. Këndon këndesi, në telefonin e tuaj të mençur dhe ju vijnë vezët te dera. Keni fituar, i nderuar! Vetë edhe votat, bahen pazar njëjtë! Ata me ve, ti me vota! Ti me ve , ata me vota!

“Çka po dojmë, na po bëjmë”! Këngë është, e këngë nuk është. Kur e këndojnë këtë këngë, popullin e kapë stresi, e përfshin paniku kolektiv. Veç një fjalë, me ba e me e fol portalet, krejt Kosovën e ke në Bllacë, apo në Kuks, prapë. Korridoret humanitare, qelën sërish, si korridore biznesi. Pse a nuk është ashtu? Kur duan krizë, e ke brenda dite. Kur duan, ata, qielli kthjellet! Asnjë re për be nuk e gjen në qiellin real, as në atë virtual. Kupola i kontrollon krejt. Ajo është gjithkund. Në të gjitha partitë, në të gjitha shoqatat, madje edhe në të pavarurit, edhe në kokat tona të mbushura me narracionin zyrtar.  Është në krye të shtetit, është në krye të opozitës, është në krye, është në bisht. Është nëpër burgje, është nëpër kampe të refugjatëve. Dikur ideologjia e prodhoi rrjetin global të kontrollit, e vëllai i madh të shihte kudo. Tash, paraja ( e pistë) ka hipur  në shtet, në rrjet, në.... gjithkund shtrihet rrjeti, dora e (pa)dukshme e oligarkëve tonë, të vegjël për njerëzimin, por  gjigand për neve.

Viti i ri, filloi me probleme të vjetra.  Aq janë duke u përsëritur  problemet, sa nuk po e dimë prej cilit vit po dalim e në cilin po hyjmë. A po (ri)nisin, apo po  dalim, prej problemeve, kjo është çështja! Edhe gazetat (portalet) i bluajnë të njëjtat tema, tash e disa vjet, sa mos me i pas datat, nuk e di njeriu as kur janë shkrua. Artikujt nuk kanë datë skadence, janë mall që helmojnë që ditën e parë ose konsumatori shpëton.

 A po kalon demarkacioni, a po kalon asociacioni, a po kalon specialja, a po ndalet specialja, a po liberalizohen vizat, a po i marrin, kë po e marrin, kur po i marrin....? Në fillim të vitit, në pranverë, në verë? Jo , në fillim të vitit nuk bënë se krejt dëshmitarët, gjykatësit, prokurorët, krejt shteti, janë të dehur. As në pranverë nuk bënë, e as në verë nuk është humane, se duhen rreze dielli, vitamina D. Në Hagë s’ka diell! As në vjeshtë, jo,  vjeshta është për mëkate, e molla, ndërsa dënimi mundet veç në dimër! E dimrit? Ftohtë bre, nuk është humane! Shteti jonë i ka shpirt. Edhe xhan! Ata janë shteti vet.

E shihni? Kur po donë po e shndrisin, kur po donë e bëjnë terr! Kur duan e bëjnë vapë( politike), e kur duan shi. Kur donë e bëjnë festë, kur donë e bëjnë mort. Po fillon edhe një vit i zakonshëm, plot stres. Populli, në pritje, që bahet mirë, po ja bënë veti rrafsh. Edhe nëpër shi këndojmë! Hajde more, këndoni, të gjithë së bashku, një, dy, tre :  “Çka po donë, po (na)  bëjnë ...?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat