Konkurrencë mercenarësh mediatikë!

Opinione

Konkurrencë mercenarësh mediatikë!

Nga: Enver Bytyçi Më: 10 janar 2018 Në ora: 19:12
Enver Bytyçi

Në fund të shekullit XV nga familja e Shpatajve në Çamëri përmendet dhe emri I Merkur Bua Shpatës. Duke folur për këtë figurë të shquar, në librin e tij “Elenika Anegdhoda”, autori grek K. Satha shkruan se “Ky shqiptar i lavdishëm… ktheu balancën e fitores drejt atyre që e kërkuan për ndihmë dhe aleancë, kundër flandrinëve, bavarezëve, spanjollëve, francezëve , duke rrëmbyer kaq e kaq flamuj kundështarësh…”. Kur luftonte përkrah bavarezëve, fitorja i takonte mbretit të Bavarisë. Kur luftonte përkrah vendikasve, fitorja ishte e tyre. Po kështu kur u gjend në krah të spanjollëve, francezëve e me radhë fitorja u takoi këtyre të fundit. Dhe forca e këtij shqiptari me namë u shpërblye gjithnjë me florinj. Psh Mbreti Maximilian i Bavarisë i vuri një kollan të artë, i cili kushtonte 1000 florinj dhe e veshi gjithashtu me një pallto floriri. 

Thelbi i asaj që mbetet nga kjo histori është mercenarizmi klasik, i përhapur në shumë popuj, jo vetëm te shqiptarët. Jemi në kohën kur nuk kishte ende kufij nacionalë, identitete nacionale, kur principatat qenë bërthama e shteteve.

Ndërsa sot, në kohët moderne, ndonëse jemi në kulmin e zhvillimeve politike, kulturore, sociale dhe civilizuese, shihet qartë se mercenarizmi është shndërruar në një virus tradicional të bastarduar. Media është modeli i parë dhe kryesor i mercenarizmit në Shqipëri, por me nuance të dukshme edhe në vendet e zhvilluara. Paraja, përfitimet financiare jo ligjore, madje përfitimet nga paratë e pista të krimit, të trafiqeve, të drogës, të prostitucionit dhe korrupsionit, janë leva e Arkimedit që ve në lëvizje mediat në Shqipëri. Ndjesë për ato pak media që rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë, thjesht me një lloj idealizmi, sikur “do ta çlirojnë botën e sotme nga padrejtësitë”! E kam fjalën për mediat kryesore dhe pronarët e fuqishëm të tyre.

Mediat në Shqipëri do të duhej të etiketoheshin si mjet publik, që kanë mision dhe detyrë të informojnë publikun, të shfaqin hallet e shqetësimet e publikut dhe të mbrojnë interesat e publikut. Megjithatë “interesi publik” është thjesht një slogan, që i tremb pronarët e mediave në vendin tonë. Interesi financiar,, paratë, “xherdani i florinjtë”, palltoja prej ari”, “shpata prej argjendei”, janë trofetë e medias shqiptare! “Qeni leh aty ku ha”! Mediat lehin për padronin e tyre, jo për shërbëtorët e padronëve të këtij vendi, jo për qytetarët! Publiku është fasada, thelbi mbetet interesi financiar!

Mercenarizmi është tipari kryesor i gazetave, televizioneve, radiove, shumicës së portaleve online, sepse që në themelim këto janë sponsorizuar nga paratë e krimit, të drogës, të trafikut, të pushtetit të kriminalizuar dhe të të paudhëve. Publiku paguan vetëm për një television, për Televizionin Publik Shqiptar. Por as ai nuk i shërben publikut, i shërben padronit politik. Konkurenca e medias në Shqipëri nuk është konkurencë mediatike e tregut, por konkurencë mercenarizmi!

Ajo që dallon mercenarizmin e Merkur Buo Shpatës nga mercenarizmi i kapove të medias shqiptare ka të bëjë me disa aspekte:

Së pari, Merkur Buo Shpata vuri forcën e tij si dhe mbështetjen e miqve të si bast të shpërblimeve të majme në betejat e kohës. Si i tillë ai i meritoi ato shpërblime. Pra kishte dinjitet dhe meritokraci në atë lloj mercenarizmi. Pronarët e mediave të sotme janë mercenarë të padinjitet. Nuk kanë asnjë lloj integriteti. Nuk njohin asnje limit bashkëpunimi me këdo që ofron para dhe pasuri. Pasuria është qëllimi kryesor dhe në emër të saj shkelin mbi dinjitetin e gazetarëve e bashkëpunëtorëve. 

Së dyti, mercenarizmi i luftëtarëve të kohëve të ndryshme ishte rezultat i një pakti midis gjeneralit dhe ushtarëve. Mercenarizmi i mediave shqiptare është rezultat i vullnetit të vetëm të pronarëve të mediave dhe një grushti gazetarësh e moderatorësh oligarkë, e shumta e një “shtabi qendror” të medias përkatëse! Këta dallohen lehtë. Shihni psh kur lëvdojnë publikisht në ekrane sponsorët e tyre me pushtet!

Së treti, mercenarët në mesjetë përballeshin me sakrificën më sublime të rënies në luftë, pra rriskohej me jetën. Mercenarët mediatikë në Shqipëri në kohët e sotme moderne nuk sakrifikojnë asgjë nga vetja e tyre, përkundrazi sakrifikojnë lirinë qytetare, barazinë qytetare, të drejtën e qytetarëve, të cilëve media e ka mision dhe detyrë t’u shërbejë.

Së katërti, atëherë mercenarët rrjeshtoheshin në formacion luftimi për të mundur kundërshtarin në betejën ushtarake, sot rrjeshtohen mercenarët në ekranet televizive më së shumti për të mbrojtur baronët e drogës e të krimit, politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët e lidhur me bandat. 

Ka plot dallime të tjera midis marcenarizmit mesjetar dhe mercenarizmit bashkkohor të medias në Shqipëri. Dhe sa kohë do të kemi këtë media e këta pronarë mediash mercenarë të padinjitet, aq kohë shqiptarët do të lëngojnë midis kënetës së qeverisjes të diktuar nga bandat e drogës e të krimit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat