Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni dhe auforia e politikës shqiptare - Bota Sot
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni dhe auforia e politikës shqiptare

Opinione

E mërkurë, 24 tetor 2018

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni dhe auforia e politikës shqiptare

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 11 janar 2018 Në ora: 23:07
Abdulla Mehmeti

Ligji për përdorimin e gjuhëve është një arritje për barazinë e gjuhëve në Maqedoni, edhe e gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve (aludohet në shqiptarët dhe gjuhën shqipe), por nuk është ligj për gjuhën shqipe dhe zyrtarizimin e saj në Maqedoni.

Ligji i saposjellë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, e avancon përdorimin e gjuhës shqipe (të gjuhës që e flasin 20% e qatetarëve) në disa sfera dhe nivele të pushtetit, dhe kjo është një arritje për rrethanat aktuale në Maqedoni, por jo e mjaftueshme.

Ky ligj e ka emrin: Ligj për përdorimin e gjuhëve, dhe sipas tij përcaktohet edhe statusi i gjuhës shqipe, si gjuhë në përdorim zyrtar (të kufizuar) krahas gjuhëve të tjera të pakicave kombëtare, jo si gjuhë zyrtare e barabartë me gjuhën maqedonase.

Pa ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, ku si në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me 6% serbë, çështja e gjuhëve zyrtare do të definohej ngjashëm:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 5 [Gjuhët]

Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.

Politikanët shqiptarë duhet të mburren dhe shqiptarët të festojnë kur në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë çështja e gjuhëve do të definohej ngjashëm si në Kosovë:

Neni X [Gjuhët] 

1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë janë Gjuha Maqedonase me alfabetin e saj cirilik dhe Gjuha Shqipe me alfabetin e saj.

2. Gjuha Turke, Rome, dhe ajo Serbe kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune, ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.

Në lidhje me këtë eufori të panevojshme, Ju përkujtoj se Ligji për përdorimin e Flamurit shqiptar në Maqedoni është sjellë që në vitin 1973, por atë e suspendoi pas 20 vjetësh pushteti ,,demokratik" i këtij shteti (me pjesëmarrjen edhe të partive shqiptare) dhe me këtë pasuan ngjarjet tragjike në lidhje me Flamurin shqiptar, në Gostivar dhe gjetiu, më 1997.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test