Lëvizja Vetëvendosje dhe Arbin Kulti

Opinione

Lëvizja Vetëvendosje dhe Arbin Kulti

Nga: Isa Zymberi Më: 12 janar 2018 Në ora: 14:35
Isa Zymberi

(Ndërrimi i shkronjave te emri i Albin Kurtit është bërë për efekt të një loje fjalësh, por pa kurrfarë qëllimi fyerjeje apo ofendimi ndaj tij.)

Ajo që po ndodhë kohët e fundit me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në dy palë zgjedhjet e fundit tregoi rritje të admirueshme, përveç tjerash, mund të ndërlidhet edhe me atë që quhet kulti i personalitetit.

Pikat udhëheqëse dhe kulti i personalitetit, në përgjithësi, janë dy nocione që qendrojnë në raport kolokacioni universalisht. Në shoqëri më të avancuara, ka kohë që nuk pranohet dukuria e kulit të personalitetit duke e rezervuar këtë term më shumë për diktatorë të ndryshëm dhe shtete totalitare.

Shqiptarët me gjasë ende e kanë të ngulitur në ndërdijen e tyre dukurinë e ndërtimit të kultit të personalitetit madje edhe përkundër vullnetit të individit udhëheqës.

Liderët që arrijnë në këtë nivel, zakonisht idealizohen e madje dhe hyjnizohen në atë masë sa që merren si shpetimtarë të vetëm të shtetit apo të organizatës që udhëheqin.

Në sferën politike të shoqërisë kosovare, gjatë tri dekadave të fundit, pra, prej fillimit të kërkesave masive për demokraci, ka pasur disa personalitete që kanë marrë apo janë përpjekur të marrin karakteristikat e kultit të personalitetit, nëse bazohemi në një definicion të thjeshtë të këtij termi që i referohet një situate kur një figurë publike e paraqesin, ose paraqitet vetë, para vendit të tij si një person i madh që duhet dashur dhe adhuruar.

Në kuadër të periudhës së përmendur kohore, mund të përmendim Rugovën, i cili, dorën në zemër, asnjëherë nuk ka menduar vetë të bëhet kult. Ngritja e tij në kult mund t’i atribuohet më tepër situatës si dhe folklorizmit në shoqërinë kosovare. Sa për ilustrim, në fillim të viteve ’90, nëpër oda njerëzit e krahasonin Rugovën me ‘pejgamer’. Pas vdekjes së tij, kulti i personalitetit të tij vetëm sa është sforcuar në disa pikëpamje, dukuri kjo që ka ndodhur edhe me liderë tjerë, si me De Golin e Francës, ta zëmë.

Disa liderë të tjerë kosovarë, me gjithë përdorimin e mediave dhe propagandës që kanë pasur në dispozicion, nuk ia kanë dalë të ndërtojnë kultin e tyre të personalitetit.

Albi Kurti, si themelues dhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është ndër ata që ka pasur në dispozicion mediat dhe propagandën shtetërore për ndërtimin e kultit të personalitetit të tij si lider, e mbase as dëshirë peronale për t’u shërbyer me këtë nocion, pasi që në zgjedhjet e kaluara partiake vullnetarisht u tërhoq nga pozita e liderit. Mirëpo, duket se hija e tij nuk i është shkëputur asnjëherë zëvendësuesit të tij, dhe Lëvizja sikur ka dashur që, me gjithëse kishte në udhëheqës tjetër, Albini të mbetej si njëfarë udhëheqësi shpirtëror i saj, kështu që në prapavijë kulti i personalitetit të tij vetëm sa ka vazhduar të forcohet.

Ka kohë që është folur se, me gjithë paraqitjet e udhëheqjes së Vetëvendosjes si një grup i ngjeshur mirë, përpbrenda janë zier mospajtime të mëdha, të cilat po shpërfaqen tani duke dëshmuar se midis tyre ka munguar madje edhe respekti më elementar i ndërsjellë. Kjo që ka ndodhur me Lëvizjen Vetëvendosje është e dhimbshme, pa marrë parasysh a ka ardhur deri te kjo për pasojë të problemeve të brendshme apo madje dhe nga paaftësia e menaxhimit të suksesit të arritur kohën e fundit. Lëvizja Vetëvendosje, si parti politike e qendrës së majtë, kështu siç është deklaruar vetë, ka pasur disa mangësi themelore, por në shumë aspekte u bë shpresa e vetme që do të mund të bënte ndryshim rrënjësor të një sistemi që tashmë po shihet se ka probleme jashtëzakonisht të thella. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse kjo parti ka tërhequr shumë adhurues, sidomos nga gjeneratat e reja.

Pas valës së dorëheqjeve të disa personaliteteve në këtë parti, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më kurrë ajo që ka qenë. Edhe risjellja e Albin Kurtit  në pozitën e kryetarit të saj, vështirë se do të mund ta rikëndellë këtë parti për një kohë të gjatë. Tani edhe kulti i personalitetit të Albin Kurtit ka pësuar rënie ani se në shumë pikëpamje ai me paraqitjen e vet i lë mbrapa udhëheqësit e partive të tjera. Me rivendosjen e tij në krye të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti vetë, si dhe partia e tij, duhet të kenë kujdes që Albini të mos fitojë status më të madh se organizata që udhëheq, të mos lejohet që emri i liderit dhe organizata të bëhen të pandashme. Riafrimi i figurave që kanë dhënë dorëheqje mund të jetë i pamundshëm, por pozicionimi i tij si lidër absolut mund ta dëmtojë edhe më shumë Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje është parë, madje dhe në qëndra ndërkombëtare, si pjesë e mundshme e qeverisjes së Kosovës. Udhëheqja e saj ka zhvilluar një sërë takimesh në nivel ndërkombëtar, dhe mund të spekulohet se këto janë bërë qoftë për të dëshmuar apo për të konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje është e denjë të qeversië apo të jetë pjesë e qeverisjes së Kosovës. Me gjasë këto takime nuk kanë pasur sukses, prandaj, kur pritej që ajo të bënte ndonjë marrëveshje me LDK-në, udhëheqësi i LDK-së doli me disa deklarata të tipit më shumë personal, por që tregonin se LDK-ja do të mbante një qëndrim ekuidistant ndaj partive të tjera. Me pak më shumë përpjekje nga LDK-ja dhe me njëgatishmëri të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i modifikuar disa qëndrime të saj, kjo marrëveshje ka mundur të arrihej, gjë që do të kishte bërë të mundur disa ndryshime rrënjësore në shtetin fragjil të Kosovës. Partitë e qendrës së djathtë dhe ato të qendrës së majtë nuk janë dhe aq larg njëra tjetrës.

Ky rast tashmë ka ikur, duke shuar shumë shpresa për zhvillime pozitize në Kosovën që, anise pas disa javësh i mbush dhjetë vjet, në shumë pikëpamje, për fajin e udhëheqjes së saj, vazhdon të trajtohet si foshnjë duke pritur që të tjerët t’ia ndërrojnë edhe pelenat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat