Shprehja e lirë e urrejtjes

Opinione

Shprehja e lirë e urrejtjes

Nga: Kimete Berisha Më: 15 janar 2018 Në ora: 19:06
Kimete Berisha

Kurrë s'ka qenë adet ta shprehim urrejtjen publikisht.

Pamëshirën dhe gëzimin që ndjen njeriu kur dëgjon një lajm të keq për një njeri që ia ka pa sherrin pak apo shumë, e kemi mbajtur fshehur.

Sepse, s'ka qenë kulturë, aspak e moralshme t'i duartrokasësh fatkeqësisë së tjetrit.

Pra, është e natyrshme të ndjehesh paksa mirë kur dëgjon diçka keq për dikë që të ka lënduar apo të ka bërë zullum, por nuk është (deri tani nuk ishte) normale t'ia dëshirosh dikujt vdekjen publikisht, me fjalë e me zë, ta mallkosh dikë publikisht, me fjalë e më zë që ta marrin vesh të gjithë.

Gjithçka ka ndryshuar. Shqiptarët tani e shprehin lirisht, me fjalë dhe publikisht urrejtjen, ndjenjen e hakmarrjes dhe të neverisë, të shëndoshve ua dëshirojnë sëmundjen, të sëmurëve ua dëshirojnë vdekjen, të vdekurit i urojnë të digjen në ferr.

Njeriu duket normal derisa i mbanë fshehur mendimet dhe ndjenjat e errëta;

Njeriu dukej normal derisa me zemër e në heshtje nëmte e mallkonte, kurse me fjalë ia 'linte Zotit' dhe thoshte 'gjithkush e ka për vete'.

Shqiptarët me arsye historikisht i kanë urryer politikanët e tyre, dhe 'në vete' ua kanë dëshiruar më të keqen, por tash ka ardh koha që u gëzohen sëmundjeve të tyre, dhe ua dëshirojnë hapur (me fotografi e me emër) vdekjen e tmerrshme.

Që s'del gati një komentues që ua dëshiron shërimin politikanëve të sëmurë, kjo është gati e pabesueshme deri ku ka arritur neveria dhe antipatia ndaj tyre.
Kur lexova qindra komente të tmerrshme që ia dëshironin vdekjen me urimet 'mos të nxëntë akshami' dhe 'mos të çeltë sabahi', m'u kujtua fëmijëria, koha kur vdiste ndonjë serb e parakalonte funerali d?gjoje shqiptarë zemërplastë e të lodhur nga dhuna policore serbe dhe robëria e gjatë, të uronin me 'sot një nesër dy'.

Pra, edhe urrejtja është e motivuar dhe nuk pikë, veç hajtë, nga qielli.

Kjo nervozë dhe kjo urrejtje kolektive po ndodh për shkak të pabarazisë mes politikanëve milionerë dhe popullit të varfër. Për shkak të pasurimt të tyre duke vjedhur popullin e varfër.

Si ndjehet djali i varfër dhe i ndershëm që i vdiq nana për shkak se nuk kishte pare t'ia paguajë stendat, kur dëgjon për mastrafin që bëhet nga shteti për ti shpëtuar politikanët milionerë, të cilët i kanë kushtet të shërohen me paret e veta.

Për shkak se shteti i Kosovës i ndan njerëzit dhe pacientët në të rëndësishëm dhe të parëndësishëm. Kjo i nxit qytetarët në urrejtje publike.

Anarki, çdo gjë ka dalë prej kontrollit në këtë shtet.
Për një artist Kuvendi mban një minutë heshtje, për një tjetër nuk mban. Njëri Kuvend i Jakup Krasniqit refuzon të mbajë një minutë heshtje për Bekim Fehmiun, tjetri Kuvend mban një minutë heshtje për një humorist, dhe i njejti Kuvend i Kadri Veselit e harron Ibrahim Krajkovën.

Ish Presidentja i ndante pacientët në të 'popullarizuar' dhe në 'anonimë', kështu i ngushëllojte nanat VIP të fëmijëve të vdekur, e nanat anonime i harronte.

Ky është vend i padrejtësive të mëdha. Dhe shqiptarët nuk i durojnë 'elitat', ndarjen në dikushi' dhe 'kurrkushi'. Prandaj, as nuk kanë idhuj dhe idole. S'ka 'yll' mbi yje te shqiptarët. Gjithkush këtu i thotë vetes 'dikushi', dhe nuk pranon të trajtohet si qytetar i 'dorës së dytë'.

Legjitimimi i urrejtjes dhe shprehjes së lirë të ndjenjave më të errëta po ndodh. Para se ti shprehim ato, i ndjejmë. Dhe që është më e keqja, mjafton pak urrejtje ta mundë mirësinë. Si një pikë e zezë që e nxinë të bardhën.

Liria nuk është veç e bukur. Kur i jep liri ndjenjave të ftohta dhe të errta të shprehen lirshën me gojë, e sheh sa i pashpirtë, i egër e i pamëshirshëm di të jetë njeriu, nganjëherë edhe ndaj vetvetes.

Nuk mund të dukemi njerëz të mirë pa e mbajtur fshehur mllefin dhe egoizmin.

P.S. Edhe vet e kam provuar të 'ndjejë' diçka si çlirim, si 'fitore' kur ka pas vdekur Rr.M. Isha shumë e re, nuk dija çka po ndodh, vetëm kisha dëgjuar se ai ishte 'armik i lirisë sonë', dhe mendja ime 'shpëtojmë' kur vdes armiku...e mbajë mend sa shumë shqiptarë e kanë pas festuar vdekjen e tij nëpër kafiteritë dhe çajtoret e vogla të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat