Format i ri i bisedimeve me Serbinë?

Opinione

Format i ri i bisedimeve me Serbinë?

Nga: Arben Sylejmani Më: 16 janar 2018 Në ora: 18:44
Arben Sylejmani

Deklaratat për krijimin e një ekipi të unitetit për bisedimet e ardhshme me Serbinë në Bruksel, ku do merrnin pjesë edhe përfaqësues të opozitës dhe personalitete të tjera në vend, dolën të  ishin vetëm premtime elektoral gjatë fushatës.

Kjo për faktin se në takimin e sotshëm të Brukselit, delegacioni i Kosovës përfaqësohet nga Avni Arifi që është këshilltari i kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe që është emëruar shef i delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, nga personeli i stafit të presidentit, Hashim Thaçi dhe nga ai i kreu të Kuvendit.

Pushtetarët këtë përbërje të delegacionit po e quajnë format të ri bisedimeve për faktin se në këto bisedimet për herë të parë po marrin pjesë përfaqësuesit e të tria institucioneve kryesore dhe tashmë ato do të udhëhiqen nga kreu i vendit, për dallim nga ato të mëparshmet që udhëhiqeshin vetëm nga Qeveria Thaçi dhe ajo e Isa Mustafës.

Por, nëse i referohemi përmbajtjes së këtij delegacioni, mund të themi se është bërë vetëm një zgjerim i delegacionit në këto bisedime, por kurrsesi të pretendojmë se është bërë një format i ri, për shumë arsye.

E para është se ato po i udhëheq presidenti, njeriu i cili ka qenë përgjegjës për këto bisedime edhe gjatë kohës sa ishte kryeministër i vendit dhe ministër i jashtëm. Ai dhe zyrtarët e ish-qeverisë së tij patën nënshkruar disa marrëveshje që e rrezikojnë edhe esencën e shtetësisë së Kosovës.

Pranimi që Kosova të përfaqësohet me fusnotën në takimet rajonale, me Rezolutën 1244 që e njeh Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe mendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës përbën një vetëvrasje për ekzistencën e shtetit.

E dyta, Hashim Thaçi kurrë nuk ka qenë transparent me opinionin publik dhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës lidhur me procesin e bisedimeve të Brukselit, dhe rrjedhimisht nuk pritet as tash nga ai që të jetë transparent për këtë proces.

E treta është se edhe në bisedimet e sotshme po rifillojnë me logjikën e vjetër, sepse delegacioni i ri i udhëhequr nga Arifi nuk e ka njoftuar qartë opinionin publik se cilat do të jenë temat për të cilat do të bisedohet sot në Bruksel me delegacionin serb.

Po ashtu, ky delegacion nuk ka paraqitur në Kuvend për miratim një strategji të qartë që po kërkohet nga opozita për kohëzgjatjen e bisedimeve, cilat do të jenë tema që do të bisedohet me palën serbe në këtë proces dhe për cilat çështje qeveria duhet të ketë një vijë të kuqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat