Shqiptarët dhe aftësia shtetformuese

Opinione

Shqiptarët dhe aftësia shtetformuese

Nga: Xhelal Zejneli Më: 17 janar 2018 Në ora: 08:56
Xhelal Zejneli

Serbia vazhdon të ndjekë ndaj Kosovës luftë speciale. Në krye të kësaj lufte speciale qëndron kryetari i Serbisë – A. Vuçiqi. Deklaratat luftënxitëse lidhur me Kosovën, të ministrit serb të Punëve të Jashtme – I. Daçiqit, janë shumë më irracionale se qëndrimet e radikalëve të Sheshelit. Ambasadori i Serbisë në Shqipëri, deklaron në Shkodër se Kosova na qenkësh Jerusalem i Serbisë. Ky farë diplomati, këtë mësim duhet ta ketë mësuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila në çdo liturgji pohon se Kosova është Jerusalem serb.

Serbia është duke zhvilluar propagandë të vazhdueshme kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë propaganda antikosovare e zhvillon anembanë, në të katër anët e botës, si: në kancelaritë evropiane, në vendet arabe apo islamike, nëpër vendet e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine. Ndërkohë, diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës është pasive. Pretendimet e Serbisë për ta ndarë Kosovën, nuk kanë pushuar. Qëndrimi destruktiv i Beogradit lidhur me Kosovën trimërohet nga politika luftënxitëse e V. Putinit.        

A. Vuçiqi synon të imitojë politikën e Titos, i cili e çonte mirë me të gjithë: me Lindjen dhe Perëndimin, me dy superfuqitë e kohës së luftës së ftohtë, me Kinën, si dhe me të ashtuquajturat vende të painkuadruara, ku bënin pjesë vendet arabe, vendet e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet t’ia lejojnë Vuçiqit këtë lojë të djallit. Beogradi duhet të përcaktohet: ose me demokracinë perëndimore ose me bizantizmin e Putinit. Titoja vërtet u mbajt me të gjithë, por në fund “Jugosllavia e Titos” u shpërbë në gjak. Një gjë dihet saktë: Serbia, kurrën e kurrës s’ka për të dalë në Adriatik, Rusia kurrën e kurrës s’ka për të dalë në Mesdhe.

Beogradi merr pjesë në bisedimet e Brukselit vetëm formalisht, sa për sy e faqe. Duke qenë se Beogradi zhvillon luftë speciale ndaj Kosovës, ngase me ndihmën e Putinit synon shkëputjen e një pjese të saj, atëherë Prishtina duhet t’ia bëjë me dije Uashingtonit se takimet e Brukselit janë të panevojshme. Aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, janë arsye e vetëkuptueshme që edhe Tirana zyrtare t’i ngrijë marrëdhëniet me Beogradin.

*   *   *

Lajmi se Egjipti mund ta tërheqë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës është shqetësues. Kjo flet për dështimin e diplomacisë së Kosovës si dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Nga kjo mund të nxirret përfundimi se në krye të diplomacisë së Shqipërisë apo të Kosovës, ndodhen individë jo mjaft kompetentë. Ka kohë që pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur kush. Me vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës apo ajo e Shqipërisë, duhet të mbajnë kontakte të vazhdueshme. Diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të mbështetura nga ShBA-ja, duhet të intensifikojnë angazhimet politike dhe diplomatike për ta rritur numrin e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës.   

Shqiptarëve u mungon një strategji kombëtare dhe një politikë kombëtare. Politika shqiptare nuk i ka të përkufizuara prioritet kombëtare. Kjo flet për mosangazhimin e institucioneve shkencore të kombit, siç janë akademitë e shkencave dhe institutet përkatëse të tyre. Kjo tregon se në krye të shtetit ndodhen njerëz jokompetentë. Kjo dëshmon se në krye të politikës së Shqipërisë apo të Kosovës, ndodhen persona jopërkatës.

Lidhur me çështje të caktuara që kanë të bëjnë me kauzën kombëtare, ndërmjet qendrave politike shqiptare të vendosjes - Tiranës dhe Prishtinës, mungon një bashkërendim i mirëfilltë i veprimit.

Shqiptarët duhet të ruajnë imazhin e shtetit – të Shqipërisë apo të Kosovës. Autoriteti i shtetit është cenuar në shumë mënyra, si:

- Shkrimet dhe botimet denigruese ndaj udhëheqjes politike, që i tejkalojnë suazat e mendimit kritik;

- Konflikti i ashpër midis forcave dhe grupeve politike, si në asnjë vend tjetër të rajonit;

-  Konflikti i ashpër midis shumicës qeverisëse dhe forcave apo grupeve opozitare, si në asnjë vend tjetër të Ballkanit;

- Diskursi fyes dhe ofendues midis udhëheqësve politikë – të mazhorancës dhe të opozitës, si në asnjë vend tjetër të gadishullit;

- Retorika triviale, përdhese në organin më të lartë të shtetit, si në rrallë vend tjetër të rruzullit;

- Hedhja e gazit lotsjellës në organin më të lartë të shtetit, madje jo një herë por shumë herë;

- Kuvendi i shtetit që ka në radhët e vet përfaqësues të popullit, me dosje kriminale për trafikim lëndësh narkotike, për trafikim qeniesh njerëzore, për abuzime financiare, për ndërtime pa leje, deri edhe për vrasje;

Shndërrimi i protestave politike paqësore, në protesta violente; zëvendësimi i veprimit politik demokratik me veprim politik jodemokratik; burgosjet apo arrestimet e shpeshta; dalja e forcave policore në rrugë dhe ballafaqimi me protestuesit, u lë përshtypje të keqe të huajve dhe e cenon imazhin e shtetit në skenën ndërkombëtare.

Ngritja e interesave partiakë para interesave të shtetit apo të kombit; pasurimi brenda natës, i individëve apo i klaneve të caktuara, shtrojnë pyetjen: Cili ishte qëllimi i shqiptarëve? Çlirimi nga kolonializmi serb apo pasurimi i paligjshëm?! Bota mund të pyesë: Ç’u bë me idealin e shqiptarëve  - për liri, pavarësi dhe demokraci?!

Organizuesit e protestave në Shqipëri dhe në Kosovë, para se të ndërmarrin veprime protestuese, duhet të kenë parasysh faktin sesi ndikojnë ato në ruajtjen apo në dëmtimin e imazhit të shtetit. Në pluralizëm, forca politike e caktuar apo grupi politik i caktuar ka të drejtë të veprojë politikisht, në kuvend dhe jashtë tij, kryesisht me mjete politike dhe demokratike. Në shtetin demokratik lejohet edhe mosbindja civile pasive por edhe mosbindja civile vepruese, për aq, për sa nuk cenohen vlerat e demokracisë parlamentare. Partia politike apo grupi politik, pikëpamjet politike të veta duhet t’i artikulojë kryesisht në organin ligjvënës të shtetit, d.m.th. në kuvend. Pesha e fjalës në kuvend, e një partie politike, duhet të jetë  në përputhje me forcën politike të saj, që buron nga verdikti i fituar prej qytetarëve. Me fjalë të tjera, forca politike e një grupi politik matet gjatë zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, në ditën kur flet qytetari me votën e vet. Nuk mund të kesh dy deputetë dhe të sillesh politikisht sikur i ke dhjetë sish. Nuk mund t’i kesh 25 deputetë dhe të sillesh sikur i ke 60 të tillë. Ka raste kur një grup politik pretendon ta rrisë rejtingun e vet, duke bërë vazhdimisht protesta, të cilat shkallëzohen dhe shndërrohen në manifestime violente, pa çarë kokën sesi ndikon një gjë e tillë në imazhin e shtetit - para faktorit ndërkombëtar. Për t’u njohur Kosova nga vendet që ende nuk e kanë njohur, i nevojitet stabilitet, i bazuar në parime demokratike. Ka raste kur një parti politike e vë interesin partiak para interesit kombëtar, edhe atëherë kur flet në emër të kauzës kombëtare.

Kosova sot ballafaqohet edhe me çështjen e themelimit të gjykatës speciale, që kërkohet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Interesi shtetëror i Kosovës është më i madh se fati i individit. Personat që mund të ballafaqohen me një gjykatë të këtillë, pafajësinë e vet duhet ta dëshmojnë para organeve të drejtësisë. Politika shtetërore bashkëkohore, nuk është politikë lagjesh, zonash apo krahinash. Interesi shtetëror apo kombëtar nuk është interes individi, grupi, koniunkture, klani apo fisi.

Mbjellja dhe shitja e kanabisit, para opinionit ndërkombëtar, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, krijon në një pasqyrë të shëmtuar.

Shqiptarët duhet ta dinë se borgjezia në Evropë është krijuar brenda shumë shekujve. Shqiptarët ndërkaq, duan të bëhen kapitalistë për 10-15 vjet. Kjo s’bëhet dot, përpos me abuzime apo me veprime të paligjshme. Shteti nuk krijohet me korrupsion, me ryshfet, me mitë - në organet e gjyqësisë, në organet e pushtetit vendor, në shëndetësi, nëpër spitale, në arsim, nëpër universitete, në administratën publike, në të gjitha poret e shoqërisë, në të gjitha segmentet e sistemit apo të aparatit shtetëror. Shqiptarët duhet të dalin para botës si popull me aftësi shtetformuese. Ndryshe, para qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, mund të paguajnë çmim politik. 

Është kohë kur në skenën politike ndërkombëtare mbizotërojnë kontradikta apo kundërthënie të mëdha. Ndërthuren interesat e fuqive të mëdha – ShBA-së, Rusisë dhe Kinës. Është kohë e pretendimeve të fuqive të mëdha për t’u penetruar në rajon. Pretendime për Ballkanin manifeston edhe Ankaraja. Neootomanizmi nënkupton rikthimin e Turqisë në gadishull, nëpërmjet Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kosovës dhe pjesërisht edhe Maqedonisë.

Lidhja e kombit shqiptar me ShBA-në, nuk ka alternativë. Askush në rruzullin tokësor nuk mund t’u dalë zot shqiptarëve, përpos ShBA-së. Pa Uashingtonin, shqiptarët nuk mund të realizojnë asnjë interes kombëtar.   

Votimi i përfaqësuesit të Shqipërisë në OKB, lidhur me rezolutën që kishte të bënte me Jerusalemin - në kundërshti me pozicionin e Uashingtonit – nuk mund të konsiderohet i qëlluar. Bosnja dhe Hercegovina abstenoi. Kroacia, ndonëse anëtare e BE-së, po ashtu abstenoi. Edhe Shqipëria ka mundur të abstenojë. Politika e Tiranës nuk duhet të ndikohet nga R. T. Erdogani, i cili tha se Kosova, ndonëse është njohur nga 114 vende, përsëri nuk u bë shtet i pavarur. Po ky, disa ditë pas kësaj deklarate, erdhi në Beograd dhe nënshkroi 12 marrëveshje me Serbinë. 

Politika kombëtare e shqiptarëve është properëndimore, por punët dhe veprimet politike nuk janë gjithaq në përputhje me normat dhe me vlerat e demokracisë perëndimore.    

Mbështetja e miqve perëndimorë të shqiptarëve, në krahasim me mbështetjen e para 15-20 vjetëve, vjen duke u zbehur. Shqiptarët duhet ta dinë se lufta çlirimtare e viteve 1998-1999, nuk ishte luftë fetare, por kombëtare. Orientimi i një pjese të caktuar të klerit islamik shqiptar kah Turqia, kah bota arabe apo kah vendet islamike, pa e përfillur fare interesin kombëtar shqiptar, i bën dëm kauzës shqiptare. Pjesëmarrja e një numri të caktuar të shqiptarëve nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Maqedonia në luftërat e huaja - në Irak dhe në Siri - në kuadër të ISIS-it, ka qenë në dëm të jashtëzakonshëm të kauzës kombëtare shqiptare. Beogradi, Athina dhe Moska sot e kësaj dite u thonë kancelarive perëndimore se shqiptarët, nuk janë veçse mbetje turke në Ballkan, adhurues të fundamentalizmit apo të radikalizmit islamik si dhe përçues të interesave politikë të vendeve islamike në gadishull dhe në Evropë.

Një pjesë e shqiptarëve, duke mbajtur njërin sy nga Orienti, ia bëjnë me dije botës se kanë nivel të ulët të vetëdijes kombëtare, se politikisht janë të paformuar dhe se nuk janë popull politik.

Çështja kombëtare për Tiranën nuk duhet të jetë çështje e marketingut partiak. Tirana dhe Prishtina duhet të kenë të hartuar program politik kombëtar dhe duhet të përkufizojnë interesin kombëtar shqiptar në rajon. Për çështje të caktuara, shqiptarët - të ndarë në gjashtë pjesë të rajonit - duhet të veprojnë si një komb. Këtë nuk mund t’ua ndalojë askush. Politika kombëtare e shqiptarëve duhet të jetë konzistente e koherente dhe jo e rastësishme. Për çështje të caktuara, Tirana dhe Prishtina duhet të ndjekin politikë të bashkërenduar.

Politikë kombëtare mund të ndërtojnë dhe mund të ndjekin vetëm shtetarët me integritet dhe me ideal. Në krye të proceseve historike nuk mund të jenë individë të paarsimuar, me gjysmë arsimimi apo kuazi intelektualët, rreth të cilëve sillen lakmitarët. Shteti nuk është pronë e individëve, e grupeve, e klaneve apo e fisit. Klanet dhe fiset, kurrë në histori nuk ia kanë dalë të krijojnë shtet, e jo më shtet ligjor dhe demokratik dhe shoqëri civile. Kastat e korruptuara nuk kanë as ndërgjegje kombëtare, as ideal kombëtar, as dhimbje kombëtare, as brengë kombëtare. Me arsimim jocilësor nuk shkohet në Evropë, pos si punëtorë krahu. Kombi nuk mbahet me dyndjen e të rinjve, në rrugët pa kthim - drejt Perëndimit.

Shqiptarët duhet ta dinë se shteti nuk është muzikë pornografike, as mbrëmje magjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat