Shkumbin Mehmeti, tronditi drejtësinë e kapur nga politika

Opinione

Shkumbin Mehmeti, tronditi drejtësinë e kapur nga politika

Nga: Faton Mehmeti Më: 17 janar 2018 Në ora: 11:11
Faton Mehmeti

Ndonëse për vrasjet e pasluftës është diskutuar dhe folur shumë, askush thuajse nuk e dinte saktësisht  se kush në të vërtet qëndronte pas tyre. I pari që theu tabunë ishte Nazim Bllaca, i cili doli publikisht për të treguar me emër dhe mbiemër për njerëz të lidhur me vrasjet. Ndonëse, arriti të fuste në burg disa nga të përmendurit, nuk arriti të fuste krerët e saj, të cilët e quanin “njeri të Serbisë”. Gjithsesi, kjo bëri që qytetarët të reflektonin për ata që i konsideronin heronj të gjallë.

Nga dëshmia e Bllacës u kuptua se në qendër të sulmeve ishin njerëzit e LDK-së, vrasjet e të cilëve kishin si qëllim eliminimin e tyre për të ardhur në pushtet krahu i luftës, por vrasjet bëheshin nën epitetin e “ tradhtarit”. Ndërkohë, javën që shkoi doli publikisht edhe dëshmitari i prokurorisë Shumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e  dy policëve të UNMIK-ut në vitin 2004. Shkumbini rrëfeu për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt dhe Sebahata Tolajt, të gjithë njerëz të afërt të Presidentit Rugova. Sipas Shkumbin Mehmetit truri i kësaj bande famëkeqe ishin vëllezërit Kelmendi, Qerimi dhe Ibrahimi.

Pas këtyre akuzave të dëshmitarit prokuroria po hesht, ndonëse do të duhej që menjëherë të fillonte hetimet, duke i marrur në pyetje vëllezërit Kelmendi, pavarësisht se çfarë do të nxjerrin hetimet. Nuk mund të paragjykojmë se sa e vërtetë është deklarata e Shkumbin Mehmetit, por heshtja e prokurorisë me hapa konkret, përveç deklaratave “se hetimet vazhdojnë” nuk janë të mjaftueshme. Lënia në liri e njerëzve që pretendohet se janë truri i vrasjeve të pasluftës, është rrezik i madh për vendin dhe si i tillë dëshmon se drejtësia në ketë vend ka shkuar për lesh.

Në anën tjetër, nëse Shkumbin Mehmeti qenka dëshmitar i prokurorisë, pse prokuroria nuk paska vepruar më herët? Por, tani pret që të filloj hetimet për të përmendurit në dëshminë e tij publike. Këtu dëshmohet se prokuroria nuk është serioze, ajo shërben si patericë e pushteti dhe interesave të njerëzve të caktuar. Deklarata e Shkumbin Mehmetit përforcon edhe me shumë ato që i thoshte Nazim Bllaca, që të bën të kuptosh se këtu ka diçka të vërtet, por nuk i intereson shteti që të zbardhen këto të vërteta, pasi mund të dalin edhe njerëz të nivelit të lartë si pjesë e saj. Kjo e bën më dramatike gjithë këtë histori, duke dëshmuar edhe njëherë se në këtë vend udhëheq krimi, bandat e drogës e kazinove. Të jetosh në Kosovë është e rrezikshëm, në veçanti nëse fillon të punosh për të mirën e vendit, pasi vritesh  në mes të ditës. 

Nëse shteti nuk fillon të veprojë sa më parë, që dyshoj shumë, vendi po futet në një agoni të frikës . Mbase duhet pritur Gjykatën Speciale, që këto vrasje të zbardhen dhe që vrasësit të shkojnë aty ku e kanë vendin. Shkumbin Mehmeti tronditi drejtësinë e fjetur në vendin tonë, me deklaratat e tija shpërfaqi dështimet e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë. Shkumbini tronditi drejtësinë e lidhur me krimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat