Turra-vrapi i rrezikshëm i Haradinajt

Opinione

Turra-vrapi i rrezikshëm i Haradinajt

Nga: Mimozë Lakna Më: 18 janar 2018 Në ora: 10:44
Mimozë Lakna

Të mërkurën, Kryeministri i Kosovës ia futi vrapit. Pas tij vrapuan vartësit e tij, këshilltarë e zëvendësministra. Këmbët e shpejta nuk e quan më larg se sa tek zyra e tij në Qeverinë e Kosovës. Nuk e quan në SHBA, pasi aktualisht nuk ka as vizë për të udhëtuar drejt shtetit mik. Kryeministri Ramush Haradinaj, vrapoi duke na lënë përshtypjen se po e zë hapin. Por Kosova, ajo me të cilën udhëheqë Ramush Haradinaj nuk e ka zënë hapin në asnjë drejtim. Madje, ka kohë që numëron në vend.

Në dhjetëvjetorin e saj si shtet, Kosova nuk e ka ushtrinë dhe si rrjedhojë në veri vazhdimisht ndodhin krime nga ato më të lehtat deri te ato më të rëndat siç ishte vrasja e Oliver Ivanoviçit.

Në dhjet vjetorin e saj si shtet, ushtria e Kosovës mbahet peng i qëndrimeve të Listës serbe, me të cilën, “kryeministri vrapues” lidhi koalicion pa ia bërë fjalën dy.

Krejt falë këtij Kryeministri, qytetarët e Kosovës presin me orë të tëra para Ambasadave të huaja për viza, pasi nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Imazhi i Kryeministrit, që punon me orar të gjatë dhe që ngutet për të kryer punë. Kjo është ajo çfarë kjo Qeveri mundohet ta paraqes para qytetarëve të Kosovës. Por, këtë nuk “e hanë” qytetarët të cilëve ju shkon dita, në shi,  në borë e temperatura të larta duke pritur për një përgjigje, e cila mund të jetë edhe “jo”. Në fakt, një përvojë të tillë e pati edhe vet Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i`a refuzuan vizën për vizitë zyrtare. Haradinaj u përball me një “JO”, të madhe nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Është po ky Kryeministër që ishte zotuar se do t`i kryej obligimet e shtetit të Kosovës ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, e që në realitet po e bën të kundërtën.

SHBA ka ripërsëritur qëndrimin e saj, lidhur me tentativën e partisë ku Haradinaj është kryetar, si dhe partive të tjera që mbahen si të “dala nga lufta”, por të Presidentit Hashim Thaçi, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ambasadori Delawie, ka paralajmëruar pasoja të ashpra për Kosovën në rast të shfuqizimit të Speciales.

Ai ka thënë, se Gjykata Speciale do të merret me krimet individuale të ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe jo me UÇK-në si organizatë.

Se ka pasur “krime individuale”, apo devijim të rregullave të luftës e kishte pranuar edhe vet Presidenti Thaçi gjatë një interviste të dhënë vitin e kaluar.

Është i habitshëm qëndrimi aktual i Presidentit në krahasim me atë që kishte thënë më parë.

Qytetarët e Kosovës, përherë i kanë qëndruar besnikë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zgjedhjet do t`ua tregonin vendin liderëve që tani po përpiqen të kthejnë vendin prapa, njësoj siç me një kamerë kthehej videoja ku Kryeministri vraponte.  Kryeministri po vrapon prapa..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat