Lajthitje e ministrit apo kthim mbrapa i shtetit?

Opinione

Lajthitje e ministrit apo kthim mbrapa i shtetit?

Nga: Eugjen Merlika Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:50
Eugjen Merlika

Ndryshimi thelbësor ndërmjet shtetit ligjor dhe të gjithë sistemeve të tjera shtetërore autoritare, në të cilët institucionet janë shprehje e vullnetit të njëshëve të “kurorëzuar”, apo të oligarkive të ndryshme që drejtojnë ecurinë e jetës shtetërore e shoqërore, është hartimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre, duke i njohur të gjithë qytetarëve barazi para tyre.Në të parët ligjet janë shprehje e një vije politike që fiton, nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta, votbesimin e pjesës më të madhe të qytetarëve të një Vendi, vijë politike që shpaloset përpara e që sendërtohet mbrapa nëpërmjet ligjesh që miratohen nga Kuvendi i të zgjedhurvet të popullit dhe aktesh nënligjore që hartohen nga ministritë përkatëse. Ndërsa në t’ashtuquajturit shtete të demokracive “të forta”, në të cilat pushteti ruhet për kohë relativisht të gjata e, herë herë, kthehet në të trashëgueshëm pa marrë formën zyrtare të mbretërisë, ligjet hartohen e zbatohen edhe atje, por ata mbeten gjithmonë krijesa të brishta, të paracaktuara të zbatohen simbas rrethanave e mjediseve shoqërore të cilëve u referohen.

Kështu për shembull ndodhte në Shqipërinë komuniste, ku ligji kishte “karakter klasor” e zbatohej gjithnji në vartësi me objektin që e pësonte. Kjo ndodhte në të gjitha fushat e jetës, në një shoqëri që kishte një ndarje të prerë mes “njerëzvetanë” dhe “armiqve”. Për tanët ligjet , kur kishin karakter shtrëngues, zbuteshin e hynte në lojë “kritika ndreqëse”, apo falja me premtimin për të mos përsëritur gabimin apo fajin. Për “armiqtë” ligjet zbatoheshin me rreptësinë më të madhe, në vartësi të shkallës së ashpërsisë së zbatuesit të rendit partiak apo policor, që ishin të lirë të ushtronin në format më të ndryshme dhunën e diktaturës. Për pasojë ligji i shtetit, i hartuar në rrethin e ngushtë të diktatorit e të shpurës së tij, ishte një subjekt i lakueshëm simbas objektit klasor mbi të cilin ushtrohej.

Me ndryshimet epokale të shembjes së komunizmit si sistem në Evropën lindore, ajo politikë dalluese ndërroi formë për t’i u përshtatur kushteve të reja, në të cilët duheshin përqafuar e përvehtësuar vlerat e shoqërive perëndimore, drejt të cilave synonin të përshtateshin elitat ish komuniste”antikapitaliste” dhe “antirevizioniste” të cilat, duke mos qënë më të besueshme, “abdikonin” në dobi të bijve të tyre, të cilëve Perëndimi, në të dy anët e Atllantikut, i jepte menjëherë besimin. Kështu u ripërtëri politika shqiptare, duke ruajtur gjithmonë raportin e forcave të regjimit, madje edhe një pjesë të trashëgimisë ideore, materiale e politike të tij.

Koha, në domosdoshmërinë e saj, shtroi para Shtetit pas komunist probleme të reja për t’u zgjidhur, siç ishte rivendosja e disa të drejtave parake, pa njohjen e të cilave nuk mund të bëhej asnjë hap para në integrimin në institucionet ndërkombëtare. Ato qenë kthimi i pronave të grabitura nga rendi i “çlirimtarëve” dhe dëmshpërblimi për pasojat e sistemit të dhunës proletare mbi një pjesë, jo të pakët, të popullsisë. Që në fillim udhëzimet që ishin marrë për sendërtimin e tyre kishin qënë thjesht demagogjike e për fasadë e përfundimet, mbas më shumë se një të katërt shekulli, janë gjysmake e pa shpresë në rrugën e zgjidhjes.

Pa u futur në Babelin e kthimit të pronave, dua të trajtoj për të satën herë çështjen e dëmshpërblimeve për vitet e punës së papaguar të të dënuarvet të diktaturës që ishin fuqia puntore më frutdhënëse e shumë veprave të socializmit shqiptar. Ajo praktikë, e huajtur nga gulagët e famshëm të markës leninisto-staliniane, që ishte në kudërshtim me të drejtën penale ndërkombëtare, kishte qënë për gjysëm shekulli njëra nga burimet më të leverdisëshme të një ekonomie që njihte vetëm dështime, në sajë të drejtimit nga një ideologji krejtësisht të gabuar dhe kundërekonomike, që zotëronte të gjithë jetën e Vendit.

 Në vitin 1992 parlamenti pluralist shqiptar, me një vendim historik të tij, shfuqizoi nenet e dhunës politike dhe shpalli pavlefshmërinë juridike të të gjithë veprimeve shtrënguese, siç kishin qënë burgimet me punë të detyruar, pushkatimet me dhe pa gjyq, internimet me afate të pafund. Para kësaj kthese shtrohej si domosdoshmëri morale e juridike dëmshpërblimi i të gjithë atyre njerëzve që kishin pësuar ata lloj dënimesh e të familjeve të tyre. Historia e gjatë e luhatjeve të qeverive e mungesa e vullnetit real për zgjidhjen e problemit duke mbajtur parasysh vështirësitë objektive, por jo të pakapërcyeshme, që dilnin përpara, sollën një gjëndje në të cilën premtimet mbetën vetëm në letër dhe ish të burgosurit apo t’internuarit, për arsye objektive moshe, u ndanë nga kjo jetë pa marrë asgjë, veç ndonjë “letre me vlerë” që përfundoi me vlerën vetëm të letrës.

Këtyre premtimeve të pambajtura të qeverive shqiptare të kalesës për njëzet vjet u duk se do t’i vinte fundi me fitoren e Rilindjes nëvotimet e vitit 2013. U duk sikur problemi po vihej në rrugën e zgjidhjes nëpërmjet një ligji të vitit 2014, në të cilin shkruhej e zezë mbi të bardhë :

“Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimeve për ish të dënuarit nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70% për të gjithë kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni dhe 30 % për trashëgimtarët e ish të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i vogël se 100.000 lekë dhe jo më i madh se 1.000.000 lekë.

Me shlyerjen përfundimtare të subjekteve parësore sipas këtij neni, i gjithë buxheti vjetor kalon për dëmshpërblimet e trashëgimtarëve të ish të dënuarve politikë”.

Thjesht e qartë, një model kundërburokracie, ligji përcakton mënyrën e sendërtimit nga ana e isitucioneve shtetërore të dëmshpërblimeve të ish të burgosurve, madje u fol edhe për ata të ish t’internuarve para vitit 1954. Duhet pranuar se në këta vite u bë një punë e lëvdueshme nga ana e administratës shtetërore sa i përket dhënies së dëmshpërblimeve në një pjesë të mirë për ata që ishin në jetë dhe simbas parashikimit dy këste për trashëgimtarët, që llogaritet në 25 % të shumës së përgjithëshme, por duke premtuar se me kohë do të të merrnin të tërën.

Por viti iri 2018 shënoi një të paritur shumë të hidhur për shpresat e të dëmshpërblyerve. Si një rrufe në qiell të kthjellët, më 15 janar z. Arben Ahmetaj, ministër i ekonomisë e financavet, njoftoi nëpërmjet televizionit se fondet e dëmshpërblimit “Ishin ngrirë”. Praktikisht, një ligj i shtetit pezullohet me një komunikim të një ministri, pa asnjë vendim Qeverie e pa asnjë miratim Kuvendi. Shteti ligjor pësoi një goditje të fuqishme nëdëm të pjesës më të dobët të shoqërisë, duke pohuar se ai tek ne është një krijesë tepër e brishtë, shprehje jo e një demokracie të qëndrueshme, por e një demokrature, nëse më lejohet të huazoj termin e një publiçisti e shkrimtari të njohur ballkanas. Në këtë paçavure është detyrë parësore e Kryeministrit Rama të mbrojë shtetin ligjor me përgënjeshtrimin e fjalëve të papërgjegjëshme të ministrit të tij. Nëse ai nuk e bën këtë, do të thotë se ai është i një mëndjeje dhe atëherë problemi bëhet edhe më i mprehtë.

Argumentimi se “duhen përcaktuar trashëgimtarët”, që përdori ministri në televizion, nuk është as bindës dhe as përligjës, sepse është absurde të mendohet se mbas një të katërt shekulli që diskutohet ky problem e mbasi janë paguar dy këste për trashëgimtarët, ata duhen “përcaktuar” edhe një herë tjetër. Nëse do t’i besojmë fjalëve të ministrit Ahmetaj, duhet të pranojmë se administrata shqiptare është krejtësisht e paaftë për të ushtruar detyrën e saj, mbasi nuk ka qenë në gjendje,duke patur në dorë të gjithë dokumentet e duhura, të përcaktojë se kush duhet të përfitojë nga zbatimi i atij ligji. Por meqë kjo është një mundësi që ka shumë pak ose aspak gjasë të jetë e vërtetë, arsyetimi çon në një tjetër përfundim, që do t’uronja me gjithë zemër të ishte vetëm një hamëndje.

Qeveria bën një hap mbrapa në zbatimin e ligjit për dëmshpërblimet duke i kaluar në heshtje ata fonde nëvendarritje të tjera, për të vazhduar lojën dhjetravjeçare të premtimeve të pambajtura. Si në një rast ashtu edhe në tjetrin përballohemi me një traumë të fortë, që thellon hendekun ndërmjet shtetit e qytetarëve, madje pjesës më të vuajtur të tyre. Nuk është në nderin e një shteti apo të një qeverie të luajë me një temë që përmbledh në vetvete jetë njerëzish të gjymtuara ose të prera, ëndrra të vrara, shfaqje skllavërietë papranueshme në shekullin e atomit, lot6, dhimbje, mundime e flijime të pafund tëgrave shqiptare që i hiqnin bukën nga goja fëmijëve për t’i çuar një trastë me ushqime burrit apo vëllait që ishte dënuar, shpresa të ushqyera për të patur një shpërblim, sado të pakët të kujtimit të vuajtjeve të prindërve, të gjyshërve....

Nuk ka asnjë bazë logjike, morale e juridike diskutimi se deri në cilin brez duhet të paguhen dëmshpërblimet, mbasi është qesharake dhe e turpëshme të shtrihet në breza dhënia e atyre parave, sepse trashëgimtarët janë të gjithë njësoj dhe borxhi i shtetit, i zgjatur kaq shumë për t’u paguar, nuk mund të shkojë në parashkrim e të shuhet nëse vdesin bijtë e ish të dënuarvet.

Shpresoj që fjalët e ministrit të kenë qënë shprehje e një lapsusi të rastit e jo e vërteta e hidhur e një vendimi sa të paligjshëm aq edhe të padrejtë që do të lëshonte një hije të zezë mbi karakterin e ekzekutivit që nuk është në gjendje të sigurojë zbatimin e ligjit të hartuar e miratuar prej atij vetë e në të cilin janë parashikuar edhe mbulesat buxhetore. Një gjë e tillë do të çonte në fund të këmbëve besueshmërinë e një qeverie dhe të klasës politike që e shpreh atë.

Dua t’a përfundoj këtë shkrim të shqetësuar me thënien e një shkrimtari politik gjerman të shekujve 18 e 19, Ludwig Börne : “ëdo qeveri që nuk bën asnjë hap përpara duhet gjykuar me shumë maturi ; por një qeveri që bën hapa mbrapa duhet dënuar pa asnjë mëshirë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat