A po na troket opsioni i ndarjes së Kosovës? - Bota Sot
A po na troket opsioni i ndarjes së Kosovës?

Opinione

E hënë, 24 shtator 2018

A po na troket opsioni i ndarjes së Kosovës?

Nga: Fadil Maloku Më: 19 janar 2018 Në ora: 15:36
Fadil Maloku

1.            Në një takim ekspertësh në Bruksel, mu ditën kur Projekti i Presidentit Ahtisari duhej të debatohej në Këshillin e Sigurimit të KB-ara, si panelist i vetëm që isha nga Kosova, rastisa të dëgjoj “ofertën” për ndarjen e Kosovës nga goja e ish- shefit të diplomacisë serbe, Goran Svilanoviqit. Në fillim këtë opsion, mundohesha ta kundërshtoja me shumë pretekste (siguria rajonale, stabiliteti i pasigurt, ndarja e padrejtë më 1912-tën etj.) shkencore, politike, historike e gjeostrategjike. Sepse e kishim bindjen që “pavarësia e mbikëqyrur”, (që do na imponohet më vonë ishte një projekt i përbashkët i sugjeruar tërthorazi nga miqtë ndërkombëtarët) për momentin politik ishte ndoshta opsioni më i pranueshëm si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë në Këshillin e Sigurimit.

2.            Rregulla e vjetër, e thënë me njëfarë eufemizmi pakashumë diplomatik, se “prapa çdo interesi politik fshihet ai (i njëmendti) ekonomik”, më së miri pasqyrohet në përvijimet e konturave, që më vonë u ndërthuren përkitazi me enklavizimin, kantonizimin, pra në fakt edhe “ndarjen e brendshme” të Kosovës përmes Mitrovicës.

3.            Përse mu ky dhe jo ndonjë tjetër, shtrohet pyetja? Arsyet, do thoshim, janë të shumta, ndërsa më kryesoret do të mund të numëroheshin lidhja e saj gjeografike me Serbinë, motivimi i pasurisë dhe begative nëntokësore, që i posedon pellgu i Trepçës, liqeni i Ujmanit, pastaj, koncentrimi dhe barrikadimi i minoritetit serb në këtë qytet, mundësia e lëvizjeve të shpeshta të paramilitarëve dhe militarëve serbë (tashmë të konvertuar në shërbyes civil?!) nga Serbia në Kosovë, si edhe roli gjeostrategjik që e ka ky qytet për interesat e disa qendrave të vendosjes në Ballkan.

4.            Komuniteti serb, me menaxhimin dhe direktivat që merrte nga Beogradi dhe disa qendra të tjera, nga konflikti dhe dhuna ndëretnike e vitit 2004 tentoi t’i “qesë hi syve” UNMIK-ut, KFOR-it dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar, për gjoja viktimizimin e tij, ose siç shprehej ish lideri i serbëve të Kosovës, (tashmë i ndjeri Oliver Ivanovic!) në intervistën dhënë CNN-it- “geton e fundit për serbët e të gjitha viseve të tjera të Kosovës”(!), me qëllim që në një fazë tjetër edhe më tensionuese, t’i hyhet kompromisit të “shkurorëzimit” definitiv me shqiptarët etnikë!

5.            Sipas këtij skenari, Kosova, në fazën e parë, lypsej të enklavizohet (Mitrovica si model nismëtar) në stilin e “lëkurës së leopardit”, në mënyrë që më vonë të pretendohej të ngrihej në nivelin e tërësisë territoriale. Një synim që sot po pretendohet të instalohet paqësisht, përmes Asociacionit.

6.            A mund të ndahet, pra Mitrovica, e së bashku me të edhe Kosova, me përqindjet (15-20 % serbe 80- 85 % shqiptare) e kalkuluar nga strategët politikë dhe ushtarakë serbë? Ose, sa mund të duket i mundshëm shkëmbimi i territoreve të Kosovës Lindore me pjesët e Kosovës Veriore, synim ky që ngadalë, por sigurt po tentohet të futet në disa qarqe zyrtare të Brukselit. Të informuarit mirë do të thoshin se këtë nuk e lejon asnjë paragraf i Rezolutës 1244, madje as një paragraf i Marrëveshjes historike ushtarake mes NATO-s dhe UJ-së në Kumanovë, e lëre më Kushtetuta e tashme e aprovuar e Kosovës!?

7.            I tërë ky skenar nuk është edhe për të mos u dyshuar, kur të kihet parasysh “toleranca dhe mirëkuptimi” i KFOR-it francez, me disa qarqe të tjera të vendosjes, për “miqtë (interesin) e vjetër serb”!

8.            Marrë parasysh se Mitrovica, si territor i tërësisë territoriale administrative të Kosovës, është më së afërmi gjeografikisht me Serbinë, përmes të cilit dosido mbyllet i ashtuquajturi “korridor funksional”, që i lidh territoret e Kosovës, Sanxhakut dhe të Malit të Zi, së bashku me Bosnjën.

9.            Disa qarqe dhe disa analistë të jashtëm dhe të brendshëm nuk e përjashtojnë edhe ndonjë fërkim të mundshëm mes këtyre qendrave të vendosjes politike dhe ushtarake, që ngjarjet dhe interesat e tyre t'i ndërlidhin edhe me atentatin mbi politikanin Ivanovic...

10.          Tani, perëndimit do t’i ndihmonte mjaft përcaktimi i prerë i politikës dhe i qeverisë në Kosovë, po qe se ata prononcohen e sidomos kujdesen që përgjigja e tyre lidhur me serbët e koncentruar në veri të vendit, të mos i ngjasonte konfliktit me ngjyrime etnike apo edhe dëbimit në Serbi, ashtu si ndodhi ne viti 2004.

11.          Në anën tjetër, si kundërshpërblim ndaj këtij solidariteti dhe kësaj gatishmërie për t’i mbrojtur minoritetet, përkatësisht, tërësinë territoriale të Kosovës, pala shqiptare do të duhej ta bënte; një inkurajim më konkret në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga krimi dhe korrupsioni dhe; një promovim më të dendur në ruajtjen e tolerancës etnike e konfesionale, me gjithë ata serb lojal që janë të gatshëm të bashkëjetojnë me shqiptarët.

12.          Opsioni i kompromisit të “kthimit të serbëve në (qytetar lojal) favor të ruajtjes së tërësisë territoriale” të Kosovës, duket se do ishte puna më e mirë nga qeveria jonë. Edhe për shkakun se është i leverdishëm në disa dimensione:

a) Së pari, shqiptarët janë aq të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për pamundësinë e ekzistimit të shteteve të pastërta nacionale në hapësirën ballkanike, ku janë të përzier etnikisht të gjithë ngapak . Ndërsa Kosova, edhe ashtu me 95% të pastërtisë etnike, nuk ka edhe aq shumë nevojë ta ndjekë këtë parim, të cilin e ka krijuar vetvetiu bioritmi natyror i natalitetit dhe mortalitetit gjatë gjithë historisë.

b) Kthimi i serbëve, i prejudikuar gjithnjë sipas kritereve të atyre që nuk kanë qenë të implikuar në krime dhe masakra, do të mundë t’ua hiqte nga dora disa qarqeve zyrtare të NATO-s dhe regjimit të Beogradit, argumentin për kinse mostolerancën ndëretnike, që janë duke treguar shqiptarët.

c) Shembullin krahasimtar, lidhur me një model të tillë kompromisi, e kemi në kornizën e riintegrimit të qytetit të Vukovarit dhe Sllavonisë Lindore, në territorin e Kroacisë. d) Me këso qasje dhe standardi evropian, e ne fakt tolerant nga ana e Qeverisë kosovare, do të mund të përfitonin shumë shtresat e ulëta të popullsisë, të cilat, dalëngadalë, siç po shihet, po i largohen vëmendjes së ndihmës nga faktori ndërkombëtar. Proces ky që i ka ndodhur edhe Bosnjës, deri para fillimit të luftës në Kosovë, Çeçenisë, Afganistanit, Sirisë, etj. Domethënë, vëmendja e koncentruar ndërkombëtare në Kosovë është dashur të shfrytëzohet maksimalisht me të gjitha potencialet e mundshme ekonomike, intelektuale, politike etj. , për integrimin e pakicës serbe. Ngase, tani me konfigurimet e reja rajonale e globale, ekzistojnë gjasat reale të imponimit të një zgjidhjeje (përmes një “këmbimi”), sipas modelit në Bosnjë e Kroaci. Pretekst për këtë ndërhyrje, do ishte asimetria logjike e politikës aktuale, ku do thuhet; “Ne ua dhamë shansin, por ju nuk ditët ta shfrytëzoni atë”!

13.          Në anën tjetër, kam përshtypje se çështja e shtruar e ndarjes a mosndarjes së Kosovës, që po të mëtohet të krijohet përmes tendencës së Asociacionit, do të varet shumë edhe nga ecuritë dhe trendët politike, që do zhvillohen drejtpërdrejt Luginën e Preshevës dhe sidomos në Maqedoni.

14.          Pra, nëse nisemi nga një logjikë dhe përvojë e ecurive dhe zhvillimeve të pasluftës, sipas së cilave “shkaku i gishtit të sëmurë, nuk duhet hedhur tërë dorën”- atëherë tendencat serbe dhe të disa qarqeve të tjera tona.... rreth getoizimit të grupeve etnike serbe nëpër enklava, e së bashku me të edhe synimet për ta copëtuar (në fakt marr 25-30% të territorit) Kosovën, s'paku deri tash nuk shkuan huq. Ndarja (lexo: copëtimi i territorit te Kosovës) eventuale do t’i kishte efektet domino në tërë rajonin, si në Bosnjë e Maqedoni. Kurse, reperkusionet vështirë mund të paramendohen.

15.          Opsioni i ndarjes, po rikthehet ngadalë por, sigurt por tash jo më si farsë, po si realitet! “Meritat” kryesore për rikthimin e kësaj teme si top agjendë për Kosovën, padyshim i adresohen pa asnjë dyshim: PAPËRGJEGJËSISË SONË SHTETËRORE (se nuk patëm: këllqet lidershipi; as dije, as vullnet e as Projekte recidive?!) për ta menaxhuar saktësisht këtë temë, NEGLIZHENCËS DHE KALKULIMIT POTHUAJSE MAZOHIST NDËRKOMBËTAR (i Brukselit sidomos, të cilit i munguan: si vullneti unik politik, ashtu edhe vendimet e prera?!) dhe KËMBËNGULËSISË DHE DURIMIT MARATONIK të shtetit Serb. Andaj: të nderuar qytetar, qeveritar, opozitar, medie, shoqëri civile dhe ekspert, bëhuni gati!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test