A është ngujimi Bushati-Kotzias diplomaci?

Opinione

A është ngujimi Bushati-Kotzias diplomaci?

Nga: Ilir Nikolla Më: 19 janar 2018 Në ora: 22:10
Bushati-Kotzias

Ngujimi i dytë treditor Bushati-Kotzias ka ngjallur frymëzimin e folklorit urban të Korçës, Tiranës dhe Athinës. Paraqitja si një ngjarje politike s’plotëson as kushtet e negociatës, as shpresat e dy etniteteve sovrane që hiqen se përfaqësojnë Bushati dhe ministri i Tsiprasit. Ngujimi nuk është diplomaci dhe rezultatet që mund të vijnë nga ngujimi s’janë rrjedhoja të entiteteve sovrane. Për ministrin e Tsiprasit afërmendsh se nuk shqetësohem shumë - paçka se kam bindjen se mbështetjen parlamentare e ka lojë dhe se e gëzon sovranitetin për negociatën – por djersët e Ditmir Bushatit gjatë negocimit 3 ditor të Kretës dhe gjatë këtyre 3 ditëve që po shkojnë, kam frikë se po shkojnë dëm. Ministri i Edi Ramës nuk gëzon kurrfarë tagri për të marrë vendime lidhur me kufijtë detarë shqiptaro-grekë, të cilët s’janë përkufizuar asnjëherë, as lidhur me modalitetet e shfuqizimit të Ligjit të Luftës mes dy vendeve dhe afërmendsh as me identifikimin e çfarëdolloj qasjeje që mund të zbusë sadopak plagën e pasardhësve të atyre që vuajtën spastrimin etnik të zonave shqiptare të Çamërisë. Ditmir Bushati u shfaq si shumë i lodhur dhe i drobitur, pas negociatave të Kretës, porse opinioni publik mbajti gjallë shpresën e vakët se ndoshta në raundin e dytë, ai do të arrinte që t’i kumtonte publikut lajmin e mirë: Djalëëëëëëë! Mbajti gjallë shpresën se ndoshta një rezultat do të arrihej në këto bisedime ngujimi, në mënyrë që Shqipëria dhe Greqia, dy vende anëtare të NATO-s, të mos vijojnë me krizat absurde të fshesës së emigrantëve, refuzimit të dokumenteve zyrtare respektive dhe ç’është më e keqja, me shantazhet se secili syresh do të vijojë t’i fusë shkopinj nën rrota tjetrit, në rrugën e ambicies së vet.

Gjatë ditës së parë, nga uzurpatori shqiptar i sovranitetit për të negociuar depërtoi veç një frazë, urgjenca që shefi i Bushatit, të hedhë një firmë në muajin prill. Vendimi i qershorit për negociatat e anëtarësimit në BE nuk është një vendim burokratik i marrëdhënieve afatgjata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por një skandencë që sanksionon rrënimin politik të Edi Ramës. Përralla e çeljes së negociatave, edhe pse e pathemeltë, në konceptin e përshpejtimit të integrimit, mund t’i shërbejë Ramës ta kapërcejë narrativën e shndërrimit të Shqipërisë në një narko-republikë, me propagandën se Komisioni Evropian na do e na ndihmon, se ne jemi të ndershëm, të urtë e të iluminuar.

Për nevojën e Tziprasit për ta shfrytëzuar ngujimin si një përfitim kombëtar afatgjatë i grekëve në marrëdhënie me fqinjtë e pabindur të veriut s’kemi shumë interes, por perioda e dytë e ngujimit Bushati-Kotzias duket jetike për Ditmir Bushatin dhe jo fort e pazëvendësueshme për koalicioni larush komunisto-nacionalist të qeverisë së Athinës. Ngujimi rrezikon të sabotojë aspiratat politike të ministrit tonë të jashtëm dhe ta degjenerojë atë të luajë parveny-në në zgjedhjet e ardhshme vendore të Shkodrës, prandaj edhe nevoja për të pasur ca letra në tryezë deri në prill, është një prognozë që pritet. Protestat që po shfaqin këto ditë grupet e interesit, kryesisht drejtues të PDIU-së, intelektualë ortodoksë, përfaqësues të shoqatave të pronarëve si dhe sinjalet e para se tandemi agresiv Rama-Bushati ka përfunduar të riciklojë të gjitha ligjet dhe VKM-të e Berishës, gjatë 2009-s a pak më vonë, flasin për një produkt të pakonsultuar në anën shqiptare dhe në rastin më të mirë jo të votëbesuar tek sovrani (Parlament apo plebishit).

Firma e Ditmir Bushatit do të vijë si rrjedhojë e kapsllëkut që ka karakterizuar politikën e jashtme të Edi Ramës dhe duhet analizuar sipas metodologjisë që zakonisht ndjekim kur arsyetojmë mbi krimet seksuale me bazë dominimin. Nga ngujimi mund të lindë intimiteti, përdhunimi apo gjak(hak)marrja, por pa ndërmjetësim të njohur e të çertifikuar, çfarëdo që të pjellë situata, është ndërvarësi dhe jo drejtësi. Çështja Çame s’mund të shohë dritë zgjidhjeje nga ngujimi i Bushatit në Korçë, as eshtrat e Kosinës vështirë të kenë qetësi pas nënshkrimeve që s’kanë as mbështetjen e historianëve e as memo-n e burokratëve, por para së gjithash marrëdhëniet shqiptaro-greke s’mund t’i kapërcejnë dallimet nga një marrëdhënie ministrash që s’ka asgjë politike dhe nga nevoja urgjente e kryeministrit tonë për të shitur dreqin e të birin, vetëm që të duket se me Greqinë i ka marrëdhëniet pa fraktura, me Maqedoninë s’ka përdorur depërtim të palejueshëm dhe se Serbisë s’i ka ofruar gjithë hapësirën që asaj i nevojitet si poligon qitjeje për manovrat “BE-Rusi dhe Vuçiçi në mes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat