Kryetarit serb

Opinione

Kryetarit serb

Nga: Lis Bukuroca Më: 20 janar 2018 Në ora: 10:47
Lis Bukuroca

Në shekullin e kaluar kryheshin vrasje apo dhunime dhe paraardhësit tuaj, duke u bazuar në përqindjen e oficerëve serb në armatë, në numrin e policëve dhe kryesisht duke i besuar me kokëfortësi një epërsie biologjike, ushtronit monopol mbi shtetin e atëhershëm, mbi popujt dhe mbi të vërtetën. Në atë ecuri shumë herë ju ka ndihmuar edhe heshtja e jashtme, por edhe përkrahja. Edhe më herët, si edhe sot, kërcënimet dhe akuzat bëheshin ndaj shqiptarëve disa minuta pas një krimi apo dhunimi. Juve nuk ju duheshin prova as atëherë, as sot. Ato i kishit në sirtar, të gatshme, të hartuar mirë para krimit, për qëllime të larta politike, të quajtur "interesa nacionale serbe."

Shpesh ka ndodhur të detyroni nën tortura të pranohet armët e paposeduara apo veprat e pakryera. Kështu ishte nga viti 1912 e këtej. Domethënë pasi me gazep shpëtuam nga pushtimi osman, u gdhimë nën robërinë tuaj. Atë që nuk mund ta bënte më pushtuesi i djeshëm, me përkushtim dhe pasion e vazhduat me ndihmën edhe të Evropës, por kryesisht nga Rusia. Pasojat e asaj mbështetje po i përjetoni sot si traumë kolektive.

Lumturia e shumë kombeve të vegjël pa aleatë dhe pa mbështetje, shpesh varet dhe determinohet nga fqinji që ka pranë vetes. Ju, për fatin tonë të lig, që na qëlluat afër, na keni copëtuar, vrarë, dëbuar dhe dëmtuar, si asnjë shtet tjetër në Ballkan. Krejt tragjedia dhe fragmentimi shqiptar ka një emërtim: Kolonializëm serb!

Pa ndihmën tuaj Mali Zi nuk do të kishte zaptuar asnjë lamë shqiptare. As hapësira jonë, që sot gjendet nën dominimin maqedonas, ku shqiptarë diskriminohen përsëri nga një epërsi tjetër biologjike sllavomaqedonase e imagjinuar! Edhe këta të fundit besojnë si ju, se ka njerëz dhe nënnjerëz, popuj dhe nënpopuj. Edhe këta janë të bindur se nacionalizmi, shovinizmi dhe nënshtrimi i fqinjit, zmadhon krenarinë nacionale. Edhe këta, si ju, janë duke punuar për ndarjen, ose për Republikën Shqiptare në Maqedoni. Ju duke ngulur këmbë të mbani të pushtuara trojet shqiptare, ku kishte pak serb, humbët territore tjera, ku ata bënin shumicën! Kështu zvogëluat Shqipërinë dhe Serbinë.

Zaptuat troje shqiptare, hungareze, boshnjake dhe kroate. Madje ëndërronit edhe Selanikun. Morët kishat e huaja dhe shpallët veten popull hyjnor. Popujt që i pushtuat, nuk kishin ardhur në Serbi, por armata juaj i kishte robëruar dhe i shpallët pakica në tokën e vet, pa të drejta njerëzore, ose vetëm aq, sa lejonte megalomania e shteti serb.

Ato pushtime nuk ishin rezultat i guximit tuaj, por i mbështetjes ruse! Keni vdekur për Maqedoninë, për Malin e Zi, për Banatin hungarez, por sot dhe nesër, ose do të respektoni pakicat e diskriminuara në Serbi si njerëz të barabartë, ose do të vazhdoni të ktheheni në kufijtë etnik, domethënë pa Banatin, pa Luginën, pa Sanxhakun, por edhe pa vendbanimet kroate në Vojvodinë.

Fqinjësia me ju nuk ishte vetëm makth për ne shqiptarët, por edhe për hungarezët, kroatët, sllovenët, malazezët, maqedonasit dhe vet fakti se asnjë komb nuk dëshiroi të bashkëjetojë me ju, madje as ata që i zmadhuat duke dëmtuar kombin shqiptar, tregon krejt paudhësinë, psikopatinë e një marionete politike ruse.

Ju që nga ikja e Turqisë, keni vrarë dhe prerë pa marrë asnjë dënim, madje edhe më keq! Ju jeni mburrur me masakra! Edhe më keq, edhe sot konsideroni vepra heroike, plojat që keni shkaktuar dhe asnjë gjykatë serbe, nuk merret me hetimin e atyre barbarive të shteti tuaj.

Ju u anulonit popujve në fillim dinjitetin njerëzor dhe pastaj i shpallnit të përshtatshëm për shfarosje. Bota heshti dhe ju mbështeti, deri kur në Kosovë morët dënimin e parë për nacional-fashizmin shekullor të ligjëruar nga një Akademi raciste dhe nga një Kishë me popa, që bekonin tanke duke predikuar urrejtjen. Hiç më pak se në emër të Krishtit, që disa çaste para vdekjes, i lutej të atit të falte vrasësit e vet. Me atë Akademi dhe me atë Kishë keni dëmtuar dhe helmuar popullin tuaj, sa çdo udhëheqës serb, ka frikë se mund të vritet apo të burgoset nga pasuesi. Nuk keni rrënuar vetëm mirëqenien e serbëve, por sherri juaj ka lënë pasoja të tmerrshme edhe tek fqinjët!

Kërkesa juaj për të hetuar vrasjen që duket se është planifikuar në Beograd, nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për ta nxjerrë nga sirtari të "vërtetën" e shkruar para vrasjes. Vuçiq, ne njohim, ne jemi stërvitur brutalisht me rrenat tuaja, që ju akoma i merrni për  art, por që i besoni tani vetëm ju dhe Putini!

Filozofia juaj politike dhe diskurset tuaja janë për keqardhje. Ju dhe Daçiqi dëshironi të rifitoni, të riktheni atë që humbi Millosheviçi pas kapitulimit! Ky i fundit kuptoi realitetin dhe firmosi, ju jeni të bindur se do ta ktheni historinë prapa. Madje ëndërroni edhe të sulmoni Kosovën! Ju vërtetë jeni në gjendje të rëndë psikike. Ju jeni në një derexhe më të rëndë halucinante se sa Millosheviçi.

Harroni kërcënimet! Dukeni qesharak. Harroni shantazhet! Harroni sabotimet! Arroni veprimet subversive! Asnjë popull për rreth nuk ka më frikë prej jush. SHBA dhe Evropa nuk vallëzon më me “gusllën” serbe. Ata gjenden në vitin 2017, por juve ju ka ngelur ora në vitin 1917! Më shumë përfiton populli serb duke pranuar shqiptarët si partnerë të barabartë, se sa duke u përpjekur t'u rrënojë shtetin! Madje, u mundëson jetë pa frikë edhe serbëve në Kosovë. Me kërcënimet tuaja, ju rrezikon lumturinë e tyre dhe bashkëjetesën.

Ju Vuçiq, nuk hetoni 13.000 të vrarë nga ushtria juaj, mijëra gra të dhunuara, por gjoja alarmoheni, gjoja tmerroheni për një atentat, kundër një të dyshuari për krime dhe pastrime etnike.  Vini lule te vendi i ngjarjes, por mos harroni edhe Prekazin, edhe Reçakun! Edhe ata ishin njerëz, edhe ata u ekzekutuan! Shoqja e të vrarit nuk ka asnjë arsye të frikësohet për të vazhduar jetën në Mitrovicë, frikë ajo duhet të ketë vetëm në Beograd.

Vuçiq, me përjashtim të udbashëve shqiptarë, nuk ekziston një familje te ne, që nuk është dëmtuar prej shtetit serb: ndonjë e sakatuar nga një apo disa vrasje, tjetra nga një apo disa të burgosur dhe qindra mijëra kanë braktisur vendin nga aparteidi juaj. Edhe kjo tragjedi nacionale shqiptare, por edhe kroate e boshnjake, ju duken pak dhe do të shkaktonit më shumë mjerim, sikur të kishit bole, por nuk i keni, edhe pse me hapareshje dhe kanosje, mashtroni veten se i posedoni!

Moskuptimi, mosperceptimi i tragjedisë, që na keni shkaktuar neve dhe fqinjëve tjerë, shpjegon sadizmin, arrogancën, apatinë dhe pafytyrësinë për të shpallur veten nga krimineli, në viktimë! Fundi i fundit, shembull më eklatant je ti dhe Daçiqi. Nga nacional-socialistë, u konvertuat pjesërisht, por duke ruajtur me krenari ortodokse besimin mbi epërsinë gjenetike serbe.

U bombarduat nga SHBA, nga NATO, por akoma keni iluzione se një ditë do të lazdroheni si më herët, do të kuptoheni si dje, do të kurvëroheni si dikur dhe do të mbështeteni në pushtime të reja. Akoma dëshironi ngrohjen në prehrin rus, por me lugën e Perëndimit në gojë. Pse Rusinë? Sepse vetëm me bekimin e saj mund ta quani veten komb i zgjedhur, mbikomb i Ballkanit. Përballë vendeve evropiane,  jeni një komb i vogël, që prodhon sherre serike tash e një shekull. Nuk ju duket e tepërtë se nisët luftën e fundit në Ballkan dhe Luftën e Parë Botërore!

Akoma vazhdoni me shantazhe, me kërcënime, me spiunazh, me komplote dhe assesi nuk arrini të kuptoni se ka përfunduar epoka e Serbisë qiellore dhe se ajo duhet të zbresë në tokë, të përkulet para viktimave, të kërkojë ndjesë dhe pranojë realitetin se nuk është e rrethuar me qenie çnjerëzore, siç edhe percepton popujt për rreth qeveria juaj, por me njerëz që synojnë, si edhe shumica e popullit serb: Lumturinë dhe paqen!  Nga paqja dhe bashkëpunimi përfitojnë të gjithë popujt e Ballkanit! Shkoni sot në Prekaz dhe Reçak dhe gjunjëzohuni!

Me ndriçimin tuaj, me çdehjen, jo se do të ndihmonit Ballkanin, por pikë së pari popullin tuaj, i cili më në fund duhet të mësojë të punojë për vete dhe jo të eksploatojë fqinjët në emër të përrallave, legjendave, urrejtjes fetare dhe nacionale! Nuk ka më "naše more" (deti jonë.) Ai është i sllovenëve, kroatëve dhe i malazezve. Nuk ka më Trepçë serbe, por kosovare. Nuk ka më Serbi Jugore (Maqedonia), por shtet maqedonas-shqiptar! Ju mund të shkoni kudo dhe të ndjeheni mirë, por vetëm si mik, dhe vetëm si i penduar! Ballkanit i nevojitet një kryetar serb i kthjelluar nga mendja, që përpiqet të ndërtojë ardhmërinë, jo të ndryshojë historinë!

Me pranim të fajit, me përkulje para viktimave, ndoshta ju vrasin edhe juve, por do të hynit në historinë serbe dhe do të sillnit një shëmbëlltyrë të madhe, se për humanizëm, ia vlen të jetohet dhe të flijohet jeta. Për të vërtetën! Jeta ka vlerë, por historia, ardhmëria, populli serb dhe Ballkanit i duhet një kryetar serb si Willy Brandti, jo  surrogatë të Millosheviçit!

Të vdiset për të mirën e kombit dhe Ballkanit, është nder, por t'i dalë njeriut shpirti duke vrarë fqinj apo në burg, është mizantropi dhe turp. Nesër historia do t'i quajë derrat edhe armiq të kombit të vet! Fati ka dashur të jemi fqinjë dhe alternativë nuk keni as ju, as ne, prandaj të punojmë për ardhmëri paqësore të Ballkanit. Popujve nuk iu duhet idiotë që dinë të nisin luftëra dhe të vrasin fqinjë, por njerëz që paqen e vet e gjejnë tek paqja dhe mirëqenia e fqinjit!

Edhe një, Vuçiq, merrni guximin dhe përmbaroni denazifikimin e Akademisë dhe Kishës, që janë kryefajtore për helmimin dhe manipulimin e popullit!

Çdo kërcënim që vjen nga Serbia, vështirëson jetën e qytetareve serb atje. Ju akoma e quani Metohi dhe ndërtuat mitin e ri me shpresa se do të ndikoni edhe në anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Ju vërtet jeni për keqardhje! Edhe nëse do ta kishte pranuar si shtet vetëm SHBA-ja, do të kishte mjaftuar për njeriun normal dhe për shtetin e ri. Nuk ka më prapa dhe ekziston vetëm tri mundësi: Mirëkuptimi, paqja dhe bashkëpunimi! Se mund të shkarravitni Ballkanin si dikur, harrojeni për gjithmonë! Ka marrë fund imperializmi juaj. Kthejuni vetes! Kosova nuk është në NATO, por NATO është aty për ta mbrojtur shtetin e Kosovës nga ju!

Mos harroni të vendosni një kurorë lulesh në Prekaz dhe Reçak! Do të ishte lajm planetar dhe do të përshpejtonte pajtimin, rriste sigurinë dhe mirëqenien në Ballkan!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat