Ceremonial shtetëror me protokoll shteti…?!

Opinione

Ceremonial shtetëror me protokoll shteti…?!

Nga: Shpëtim Idrizi Më: 20 janar 2018 Në ora: 16:29
Shpëtim Idrizi

Po për andartët grekë që shkrumbuan jugun e Shqipërisë për Vorio-Epirin në 1913-1914?! Apo pas takimit tjetër do nxirret nga shporta e agjendës grekereke…?!

Në bazë të çdo konvente e praktike ndërkombëtare, për ata që kanë ndërruar jetë në një territor të huaj, ngrihet një varrezë përkujtimore e simbolike, siç Shqipëria ka aplikuar për ushtarët francezë dhe britanikë.

Pse nuk kërkuan të njëjtën gjë Gjermania e Italia për të rënët e Luftës së Dytë Botërore, por i morën trupat dhe jua çuan familjeve?

E imagjinoni po të kërkonin të njëtën gjë për të rënët gjermanët, italianët, turqit, austriakët, serbët, francezët, anglezët apo çdo lloj ushtrie që ka kaluar në Shqipëri gjatë luftës së parë apo të dytë botërore ?

Pse kjo bamirësi e vasalitet nga qeveritë e majta e të djathta për 120 vende zhvarrime të reja në hartën e Vorio-Epirit?

Nuk mjaftonte Kosina që ja kaloi dhe skenarëve të filmave horror me zhvarrime e varrime deri të mbetjeve të fëmijëve e pleqve shqiptarë, të cilët u bënë ushtarë grekë…

Po ju kujtoj shprehjen greke: “Aty, ku kemi varret e të rënëve, aty kemi atdheun” dhe pas shume viteve e ceremonive zyrtare shtetërore nga Shteti Shqiptar, kur mos të jenë më të njëjtët në pushtet do të na nëmë historia.

Po ju kujtoj që i vetmi vend që përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e Musolinit ishte qeveria greke me Kryeministrin kuisling, Metaksa që vuri dhe betimin nazist në Greqi.

Mendoni që mund të harroni e të zhdukni kujtimin e atyre mijërave shqiptarëve të Çamërisë që u masakruan pleq, gra, fëmijë në një pastrim etnik të pashembullt në histori…

Ata nuk u vranë në luftë, Ata nuk ishin ushtarë, po u therrën e u masakruan në shtëpitë e tyre. U vranë pabesisht e jo në betejë.

Për shqiptarët e Çamërisë të masakruar në një gjenocid të pashembullt në histori – shportat e bisedimeve, respekti njerëzor, dinjiteti e reciprociteti nuk vlejnë. Kjo është qeveria shqiptare “Patriote”?!

Minimalisht reciprocitet në trajtimin e të vdekurve!

Nuk ka fe, besim e politikë në botë që nuk i trajton të vdekurit njësoj!

Të vdekurit janë të barabartë edhe para Zotit dhe para robit!

Dhe dhembin njëlloj!

Dhembin njëlloj dhe po njëlloj meritojnë nderim!

Mendoni që Napoleon Zerva i vrau fizikisht e dikush do t;i vrasë moralisht dhe me heshtje?!

Po ju garantojmë që jemi gjalë e do ngrihemi me gjithë shqiptarët.

Ajo që s’të vret, të bën më të fortë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat