Arsimi pa mbikëqyrje evropiane, në mëshirën e politikës

Opinione

Arsimi pa mbikëqyrje evropiane, në mëshirën e politikës

Nga: Hajdin Berisha Më: 9 mars 2018 Në ora: 14:25
Hajdin Berisha

Dita e mësuesit edhe këtë vit nuk e gjeti gjendjen e arsimit ashtu siç e dëshiron dhe meriton mësuesi. Në fakt, gjeti Kosovën në fundin e listës së PISA-së, me greva të njëpasnjëshme, rrahje të mësuesve, therje e vrasje të nxënësve në shkolla, afera korruptive në institucione arsimore dhe së fundmi përjashtime nga institucione Europiane. Ky nuk është arsimi për të cilin shkolla e parë shqipe ishte themeluar e as abetarja e parë e shkruar.    

Mesazhet e institucioneve Europiane për arsimin në Kosovë duket të jenë jo të mira. Kosova si duket nuk mori mësim nga rezultatet e PISA-së dhe së fundmi mori edhe një mesazh të rëndë nga institucionet Europiane. Shkas, si zakonisht, politika.      

Kosova është mësuar tashmë që në çdo fushë të jetës të ketë ndërhyrje politike. Kjo madje është bërë normë e pa alternativë. Natyrisht, një fatkeqësi e madhe për vendin. Përderisa Kosova nuk merr reagime apo vërejtje nga ndërkombëtaret kjo vazhdon pothuajse asgjë nuk është duke ndodh. Reagimet nga shoqëria Kosovare duket të jenë jo serioze madje të parëndësishme për krerët e shtetit. Debatet së paku fillojnë kur arrin ndonjë reagim nga miqtë ndërkombëtar.

Në disa raste Kosova merr këshilla e porosi, ndërsa në raste tjera vendime të prera dhe pa kthyeshme. Kjo e fundit në veçanti ndodh kur institucionet ndërkombëtare janë në rolin jo vetëm ndihmës, këshillues e bashkëpunues, por mbikëqyrës dhe kur vendimet e politikës Kosovare prekin në veçanti integritetin e tyre. Një vendim të tillë, Kosova në përgjithësi, e në veçanti institucioni që monitoron arsimin e lartë, Agjencia e Akreditimit mori para pak ditësh. Pra, mori një vendim të prerë nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Mori një informim përjashtues nga ky institucion i rëndësishëm Europian për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë. Për njohësit e arsimit kjo është një tragjedi, ndërsa për politikanët mund të konsiderohet një vendim që vendi nuk e meriton, një përceptim i gabuar dhe një vendim që do të zhbëhet “lehtë” dhe “shpejtë”.          

Skandalet në Agjencinë e Akreditimit e cila u përjashtua nge EQAR nuk kanë të ndalur dhe rrjedhimisht gjendja e rëndë në arsim vetëm se po thellohet. Në vitin 2015 drejtuesit e saj u akuzuan për marrje të ryshfetit, ndërsa më 2017 mbeti pa bord funksional, pa të cilin gjindet edhe aktualisht.

Aktiviteti i Agjencisë së Akreditimit në përgjithësi e bordit të saj në veçanti u shua më 25 Shtator të vitit të kaluar nga një vendim i papritur i kryeministrit aktual të vendit e implementuar nga  ministri i arsimit si zbatues i denjë i vendimit. Në atë kohë, ishte një vendim që habiti anëtaret e këtij bordi dhe gjithë arsimin e lartë, ndërsa tani u dëshmua se ka tronditë edhe Regjistrin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, pjesë e së cilit është Kosova që nga viti 2015.       

Vendimi për shkarkimin e bordit ishte një vendim që preku integritetin dhe besueshmërinë e regjistrit Europian sepse Agjencia e Akreditimit të Kosovës ishte në mbikëqyrje të plotë nga ky institucion. Në vendim për shkarkimin e bordit potencohej “arsyetimi” se kishte parregullsi në këtë agjenci gjë që nënkuptonte që edhe monitoruesi ka lejuar këto parregullsi. Kjo rrjedhimisht, në atë botë, nënkuptonte që të gjitha institucionet e akredituara nga ky agjencion përmbajnë parregullsi.  

Natyrisht, parregullsitë në Agjencinë e Akreditimit dhe në institucionet arsimit të lartë që akreditohen nga ajo, në veçanti disa të cilat janë bërë kolegje e universitete universale me të gjitha programet që me numër të programeve kanë tejkaluar edhe universitetet më me renome ndërkombëtare janë evidente. Megjithatë, shkarkimi i bordit pa një arsyetim konkret, solid e të argumentuar mire bëri që Kosova të përjashtohet edhe nga një institucion i rëndësishëm Europian, duke e cilësuar Agjencinë e Akreditimit si të  pa aftë të veproj në mënyr autonome dhe të pavarur.

Pra, nëse në të gjitha fushat politika zgjatë dorën e saj, sektori i arsimit duhet të jetë i lirë, pastër dhe pavarur. Ndryshe, Kosova do të vazhdoi të humb bashkëpunimin ndërkombëtar, të izolohet edhe akademikisht dhe përjashtohet nga institucione te rëndësishme Europiane dhe ndërkombëtare. Një arsim i tillë pastaj nuk do t’i shërbej as vetë politikës e aq më pak shtetit dhe shoqërisë Kosovare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat