“Vallja e djallit” në komunën e Preshevës

Opinione

“Vallja e djallit” në komunën e Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 10 mars 2018 Në ora: 23:51
Nehat Hyseni

“Vallja e djallit” ose proceset prapakthyese, retrogarde e tmerrësisht antishqiptare në komunën e Preshevës, arritën kulmin sidomos gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017.

Me moton: “t’i çojmë në pension politikanët e vjetër”, dmth PVD-në e Riza Halimit (nga Presheva) dhe PDSH-në e Ragmi Mustafës (nga Zhunica), APN e Shqiprim Arifit (nga Tërnava), e ndihmuar nga fraksioni i PDSH-së, “Lëvizja për Reforma” e Sami Salihut (nga Rahovica), arritën që pas 26 vjetësh, dmth. nga viti 1992, koha kur kjo komunë udhëhiqej nga Dragolub Filipoviq, i SPS-it famëkeq të Sllobodan Millosheviqit, (ri)sollën serbishten në udhëheqjen e seancës konstituive të Kuvendit Komunal më 19 shkurtit 2018.

Pikërisht, duke i falemnderuar koalicionit të turpshëm APN-LRPDSH, Lista serbe “Za jedinstvenu Srbiju-Aleksandar Vuçiq”, fitoi 41 vota të shqiptarve në rivotimin e 28 janarit 2018, në njësinë zgjedhedhore numër 5 dhe kaloi pragun zgjedhor prej 5%, duke u rikthyer pas shumë vitesh në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Si dhe pse u votua Lista serbe nga shqiptarët?

Përgjigja në këtë pyetje, që bëri bujë dhe e tronditi thellë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarve kudo që janë, e sidomos i zhgënjeu votuesit e devotshëm të njësisë zgjedhore numër 5 dhe u bë aferë, megjithatë është e thjeshtë dhe e qartë: Listën serbe “Za jedinstvenu Srbiju-Aleksandar Vuçiq” e votuan pikërisht ata të cilët kishin nevojë dhe i kishin borxh SNS-it, meqë ishin në koalicion (të pashpallur) në Organin e Përkohshëm, me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017!

Pra, atëbotë Shqiprim Arifi u emërua  kundërligjshëm nga Qeveria e Serbisë, me nënshkrimin e premieres Ana Bërnabiq, si kryetar i Organit të Përkohshëm ose Masave të Dhunëshme dhe Armend Aliu, gjithashtu nga APN me një anëtar të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, si anëtarë të këtij organi të dhunshëm, që e suprimoi pushtetin demokratik dhe shkarkoi kryetaren e Komunës, zonjën Ardita Sinani.

Kështu u përmbys vetadministrimi komunal i shqiptarve të Komunës së Preshevës , i cili do të mbahet në mend gjatë kohë në kujtesën e shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe në mbarë Shqiptarinë nga udhëheqja brilante e zonjës Sinani, zgjedhja e të cilës më 10 mars 2017 si kryetare e parë e Komunës së Preshevës,  në Luginë dhe ndër femrat e para kryetare në mbarë Shqiptarinë, por dhe në mediat rajonale e europiane, duke e quajtur këtë zonjë të madhe si zonja “Hillary Clinton e Luginës së Preshevës”!

Por, kjo histori shpresdhënëse e krenare, si të ndërpritet dhe do të përmbyset në mënyrë të turpëshme dhe të tmerrëshme, me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017, si dhe do të konfirmohet në mbledhjen makabër të Kuvendit Komunal të Preshevës të 19 shkurtit 2018, nga Aleanca famëkeqe e antishqiptare APN-LRPDSH-Lista srpska “Aleksandar Vuçiq-Za jedinstvenu Srbiju”.

Realisht, historia e kësaj lidhjeje “platonike” midis APN-së së Shqiprim Arifit dhe SNS-it të Presidentit aktual të Serbisë së Aleksandar Vuçiqit, zanafillen e vet e kishte filluar shumë vite më parë, dmth gjatë aktivitetit të dyshimtë e enigmatik “biznesor” dhe “humanitar” të Shqiprim Arifit në Gjermani, Sllovaki e gjithandej nëpër Europë.

Por, argatin e “valles së dreqit”. dmth të djallit ndaj APN-SNS-it, që do të shënoj faqe të turpëshme të synimeve karrieriste për pushtet me çdo kusht dhe për faqe të zezë , e bëri LRPDSH e Sami Salihut, që pranoi të jetë pjesë e këtij koalicioni famëkeq, kinse pas premtimit dhe betimit të Arifit se “Plani Aksional “ do të abrogohet dhe do të hiqet nga agjenda politike e këtij koalicioni për periudhën e mandatit katërvjeçar 2018-2022.

Ky fraksion i ndarë nga PDSH, fillimisht arsyetohej se Ragmi Mustafa si kryetar i PDSH-së “nuk kishte bërë reforma”. Prandaj, menjëherë pas zgjedhjeve lokale të 24 prillit 2016, nga PDSH u nda fraksioni prej 9 këshilltarësh. Por, ky grup u emërtua si “Lëvizje për Reforma” në PDSH dhe në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017, arriti t’i merr vetëm tre mandate, nga nëntë që i kishte me PDSH-në, dmth trefish më pak. Trendi i “shkrirjes” si këtij grupi joparimor, sidomos pas pjesëmarrjes në koalicionin aktual, ka humbur plotësisht besimin e votuesve dhe i ka zhgënjyer tmerrësisht votuesit e vet. Prandaj, këto mashtrime të elektoratit, LRPDSH-në në zgjedhjet e ardhëshme lokale mund ta përjashtojnë definitivisht nga skena e politikbërjes preshevare.

Pra, LRPDSH sa duket, që në start ia siguroi vetes vendin në plehërat e historisë së turpëshme e antishqiptare, meqë ia mundësoi koalicionit APN (15)-Lista srpska “Aleksandar Vuçiq-Za jedinstvenu Srbiju” (2), që i kanë së bashku gjithsej 17 këshilltarë dhe vetëm me tre (3) këshilltarët e LRPDSH-së arritën që të krijojnë mazhorancën minimale prej 20 këshilltarësh, në Kuvendin e Komunës së Preshevës, që numëron gjithsej 38 këshilltarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat