Arsimi me greva në krizë

Opinione

Arsimi me greva në krizë

Nga: Hajdin Berisha Më: 12 mars 2018 Në ora: 15:50
Hajdin Berisha

Zhvillimet e fundit në arsim, qartësojnë se gjendja e arsimit në të gjitha nivelet pa dallim, nuk është për t’i lakmuar. Në kohën kur Kosova renditët në fundin e listës së PISA-së, ajo gjendët në grevë.

Kosova para pak ditësh ishte një orë në grevë, të nesërmen dy, sot jemi tërë ditën dhe me këtë trend presim të jemi me javë e muaj. Kjo është situata në të cilën arsimi dhe shkollat tona gjinden sot. Krejt kjo në kohën kur krerët institucional debatojnë me seanca të stërzgjatura (natyrisht me pagesë), mbi ligjin për paga dhe kur rezervat buxhetore të shtetit kanë filluar të zbrazën.     

Të gjithë, pa dallim, sot duhet të solidarizohemi me mësimdhënësit dhe nxënësit. Të gjithë së bashku çmojmë vlerat dhe kontributin e mësuesëve të cilët kontribuan në kohërat më të vështira. Disa nga ta dhanë jetën e tjerët rrezikuan atë, vetëm për një qëllim të shenjtë; edukimin e brezave të rinj, mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe dhe ruajtjen e shkollave shqipe nga zhdukja e tërësishme nga armiku serb.      

Të njëjtit apo kolegët dhe pasardhësit e tyre sot gjinden në grevë. Pra gjinden në përkrahje të punës së tyre dhe kolegëve të tyre të cilët u harruan dhe asnjëher nuk u kompensuan.        

Natyrisht, nuk ka ndonjë kompensim material e as financiar që barasvlerëson punën, kontributin dhe rrezikun për të cilin kishin kaluar. Megjithatë, duke pasë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi, shoqëria dhe familjet e këtyre mësimdhënëseve, ata po kërkojnë një kompensim sado të vogël financiar. Pra, po kërkojnë një rrogë minimale sa për t’i mirëmbajtur familjet e tyre.    

Kjo u është premtuar shumë e shpeshherë, por nuk u realizua asnjëher. Kur kësaj i shtohet mënyra e ndarjes së buxhetit shtetëror dhe shpenzimet të cilat janë duke u bërë në dikastere tjera, kërkesa e mësimdhënësve duket të jetë më se e  drejtë.  Shpenzimet luksoze për manifestime e ngjarje të ndryshme janë të shumta dhe ato arrijnë vlerat jo më pak se miliona.    

Megjithëkëtë,  forma  e reagimit, pra grevat e organizuara dhe efektet të cilat ato prodhojnë në arsim nuk i kontribuojnë përmirësimit të arsimit dhe si të tilla nuk janë te duhura.

Nëpërmes grevave, para se gjithash  ndërpritet mësimi dhe mbyllën shkollat; një gjë të cilën askush nuk do duhej ta dëshironte. Pra, shkollat i shpëtuam nga regjimi serb, por po i mbyllim në liri!!!   

Por, këto janë vetëm dy efektet e dukshme nga shumë tjera të cilat grevat prodhojnë, përfshir këtu demotivimin e nxënësve dhe mësimdhënësve, çrregullimin e planeve dhe programeve mësimore,  zgjatjen e mësimit gjatë kohës në temperatura më të larta të vitit, kohën dhe debatet përcjellëse të panevojshme në media, mesazhi dhe imazhi për gjendjen e arsimit tek institucionet ndërkombëtare dhe gëzimi i shtuar i armikut të shkollave shqipe. Të gjitha këto, vlera jo evropiane për të cilat Kosova synon. Pra, me gjithë të drejtat e plota dhe të pamohuara, SBASHK-u duhet të mendoj çdo alternativë tjetër përveç ndërprerjes së mësimit. Kjo është e mundshme dhe alternativat ekzistojnë. Pra, kërkohet një diskutim gjithëpërfshirës i shoqërisë civile në veçanti institucioneve relevante të arsimit, ndërsa përmbushja e kërkesave të mësimdhënëseve mbetet e pa kontestuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat