Kosova, ende larg standardeve të të drejtave të konsumatorit

Opinione

Kosova, ende larg standardeve të të drejtave të konsumatorit

Nga: M.A. Sami Blakaj Më: 15 mars 2018 Në ora: 20:42
M.A. Sami Blakaj

Mbrojtja e konsumatorit për çdo shtet, rrjedhimisht shoqëri të organizuar, jo vetëm që është një sferë dhe problematikë më rëndësi dhe peshë të veçantë, por edhe komponentë po aq relevante dhe me ndikim të përhershëm në ecuritë dhe kahet e zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Andaj angazhimi i faktorëve kompetentë në avancimin e pozitës dhe të drejtave të konsumatorëve do të thotë, jo vetëm shlyerje e një detyrimi ligjor dhe institucional, por edhe qytetërues e human. Mbrojtja e konsumatorëve, së këndejmi, ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt, rrjedhimisht të një garancie shoqërore, se të gjitha produktet dhe artikujt, të cilët konsumatorët dëshirojnë t’i blejnë, për nevojat ekskluzive të tyre dhe të familjeve të tyre, janë të sigurta.

Bashkimi Europian (BE) sot ka një treg të hapur, ku përfshihen 28 vende dhe mbi 500 milionë konsumatorë. Kjo ju jep mundësinë atyre që në zonën euro të kenë  akses në një numër të madhë zgjedhjesh për produkte dhe të blejnë mallra me çmime sa më konkurruese, pa u shqetësuar për doganat, taksat dhe për kurset e këmbimit.

Mbrojta e konsumatorit rregullohet dhe zbatohet në të mirë të respektimit të të drejtave fundamentale të qytetarit, përmbushjes së nevojave të tij personale dhe familjare të konsumit si dhe në të mirë të realizimit të kërkesave dhe interesave vitale në jetën dhe aktivitetet e përditshme shoqërore.  

Zbatimi i këtyre të drejtave jetësohet përmes 10 parimeve themelore të BE-së për mbrojtjen e konsumatorit dhe si të tilla janë: 

1.     Blejë çka të duash, ku të duash

2.     Nëse nuk funksionon, ktheje mbrapa

3.     Standarde të larta të sigurisë për ushqimin dhe të mirat e konsumatorit

4.     Dijeni se çka po hani

5.     Kontratat duhet të jenë të favorshme për konsumatorin

6.     Nganjëherë konsumatorët edhe  mund të ndërrojnë mendjen

7.     Të lehtësuarit e bërjes së krahasimit të çmimeve

8.     Konsumatorët nuk duhet të ç‘orientohen

9.     Mbrojtja gjatë kohës kur jeni në pushim

10.  Kompensimet efektive për mosmarrëveshjet përtej kufirit

Çështja e mbrojtjes së konsumatorit, gjykuar sipas parimeve të mësipërme, por edhe të standardeve të tjera relevante kombëtare e ndërkombëtare, ndër të tjera është edhe çështje e të drejtave të njeriut.

Këto dhjetë parime ngërthejnë në vete minimumin e nivelit të mbrojtjës, të cilin të gjitha shtetet e BE-së apo shtetet potenciale për t’u bërë anëtare të saj, bazuar në të drejtën e BE-së duhet t’ua ofrojnë konsumatorëve.

Njëra nga shtetet potenciale për t‘u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane është padyshim edhe Kosova.

Por, a është Kosova e gatshme për t‘i përmbushur parimet bazë për konsumatorin, veçmas ato që kanë të bëjnë me standartet e larta të sigurisë për ushqimin dhe të mirat për konsumatorin?! 

Kur bëhet fjalë për standardet e mbrojtjes dhe sigurisë së konsumatorit me të drejtë vijmë në përfundim se Kosova është larg përmbushjes së këtyre standardeve dhe se një gjë e tillë lënë shumë për të deshiruar!

Përveç tjerash, konsumatorit kosovar i mungon njëri nga faktorët më relevantë që ndikon direkt në sigurinë dhe besueshmërinë e tij, e ai është informimi i drejtë i konsumatorit për produktet që ai apo ajo vendosë për t‘i blerë.

Të drejtat e konsumatorit për të cilat sot angazhohet BE, e të cilat doemos do duhej sigurohen dhe të garantohen edhe në Kosovë janë:

1       Informimi i vazhdueshëm, i plotë dhe i gjithanshëm;

2       Arsimimi - edukimi i konsumatorit;

3       Vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve;

4        Inkorporimi aktiv dhe kontribues i konsumatorit në aktivitetet e ndryshme relevante dhe të përhershme, në sferën e mbrojtjes së tij. 

Image

Kur bëhet fjalë për informimin e plotë, të vazhdueshëm dhe të gjithanshëm, konsumatorët europian kudo që ndodhen dhe kudo që ata blejnë brenda BE-së, në parim janë jetësisht të interesuar për informim të besueshëm, që do të thotë të vërtetë, në mënyrë që të orientohen me lehtë e më shpejtë se kur, ku, çfarë produkti dhe më çfarë çmimi të blejnë. 

Megjithatë një informim i tillë është i varfër karshi konsumatorit kosovarë, marrë parasysh informatat e pakta që ata kanë për produktet që blejnë dhe konsumojnë.  

Hiq më mirë nuk gjendet Kosova edhe në fushën e arsimimit, edukimit, vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve.  Shumica e konsumatorëve kosovar për dallim nga ata europian edhe sot e kësaj vazhdojnë të jenë pak të informuar për të mos thënë fare të arsimuar përkitazi  me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Në një shtet ligjor dhe të organizuar demokratik, çfarë pretendon të jetë edhe Kosova, nuk mjafton vetëm informimi, arsimimi, edukimi dhe vetëdijësimi i konsumatorëve, por edhe inkorporimi aktiv dhe kontribues i konsumatorit në aktivitetet e ndryshme relevante dhe të përhershme, në sferën e mbrojtjes së tij.

Format e interesimit, involvimit dhe angazhimit të qytetarit-konsumator në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave, interesave dhe përmbushjen e nevojave të veta, por edhe të të gjithë konsumatorëve, nga institucionet përgjegjëse kosovare duhet doemos të përkrahën materialisht dhe në aspekte të tjera të nevojshme.

Interesi këtu nuk është vetëm personal, parcial apo grupor (pra i ndonjë shoqate për mbrojtjen e konsumatorëve ose të ngjashme), por është interes gjithëshoqëror, me shtrirje, peshë dhe efekte pozitive shumëdimensionale për të mirën e vendit.

Me fjalë të tjera autoritetet gjegjëse kosovare duhet kuptuar se qytetarit të saj, përkatësisht konsumatorit nuk i takon vetëm të blejë e harxhojë, të jetë indiferent dhe vetëm soditës i rrjedhave, ecurive dhe proceseve zhvillimore.

Ai duhet të jetë edhe aktiv edhe kontribues, edhe hulumtues edhe solidar, edhe bashkëpunues edhe prijatar në mbrojtjen e pozitës së tij dhe të gjithë të tjerëve si ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat